Kosova

Kosova, në konferencën e Frankofonisë në Paris

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, po merr pjesë në Konferencën e 45-të Ministrore të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që po mbahet sot, më 3 tetor, në Paris. Ajo atje ka shkuar me ftesë të ministrit francez për Europën dhe Punë të Jashtme, përcjell albinfo.ch.

“Kjo pjesëmarrje është një mundësi e rëndësishme për Kosovën për të avancuar interesat e saj në skenën ndërkombëtare dhe për të krijuar lidhje të reja të rëndësishme bashkëpunimi me vendet anëtare të ONF-së”, ka thënë Ministria në njoftim.

Gjatë kësaj konference, MPJ tha se Kosova do të promovojë aspiratat e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe të forcojë dialogun me vendet frankofone, duke përfituar nga përvoja dhe mbështetja e tyre në fusha kyçe, si ekonomia, inovacioni dhe edukimi.

“Për më tepër, pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë që mban moton “Krijoni, inovoni dhe ndërmerrni në frëngjisht” nënvizon përkushtimin e saj ndaj diversitetit kulturor dhe gjuhësor, si dhe përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e diplomacisë ndërkombëtare”.

MPJ thotë se përfshirja e Kosovës në këtë konferencë është “një hap konkret në vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimit më të thellë në organizatat ndërkombëtare, duke forcuar marrëdhëniet me partnerët aktualë dhe duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me vendet e tjera anëtare të ONF-së”.