Lajme

Franca e frenoi virusin, Macron lehtëson izolimin

Emmanuel Macron, gjatë fjalimit të tij ‘live’ në TV ka njoftuar një relaksim të masave të bllokimit në Francë, Franca e ka frenuar qarkullimin e virusit”, është shprehur ai.

Po ashtu, presidenti falënderoi qytetarët e tij: “Përpjekjet tona, përpjekjet tuaja, kanë dhënë shpagim, kulmi i valës së dytë ka kaluar”. “Nga e shtuna, – shpjegoi ai, – të gjitha veprimtaritë tregtare do të jenë në gjendje të rihapen. Nga e shtuna, të gjitha dyqanet dhe libraritë do të hapen përsëri”, njoftoi Macron, si pjesë e lehtësimit të masave të bllokimit në funksion të festës së Krishtlindjes. Në këtë fazë, vetëcertifikimi për të dalë do të mbetet në fuqi, por do të jetë e mundur të udhëtoni deri në 20 kilometra nga shtëpia juaj”.

Nga 15 dhjetori, vetëcertifikimi nuk do të jetë më i detyrueshëm, bllokimi do t’i hapë rrugën shtetrrethimit, nga ora 21:00 deri në 7 të mëngjesit.

Sidoqoftë, Macron specifikoi, “Ne do të jemi në gjendje të lëvizim lirshëm mbrëmjet e 24 dhe 31 dhjetorit. Tubimet në rrugët publike janë të ndaluara”.

Krishtlindjet, vazhdoi ai, do të jetë e mundura të kalohen “me familjen”, por ato nuk do të jenë pushime “si çdo vit tjetër”. Baret, restorantet dhe palestrat do të rihapen nga 20 janari nëse infeksionet janë nën 5 mijë në ditë.

Për hapjen e vendpushimeve të skive në Francë, Macron tha, “një konsultë është duke u zhvilluar me qeverinë dhe gjithashtu me vendet fqinje. Më duket e pamundur të imagjinoj një hapje për pushimet. Do të jetë më mirë të orientoheni për një rihapje më vonë në muajin e janarit”.

“Vaksinimi kundër Covid-19 mund të fillojë në Francë midis fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit”, përfundoi Makron, duke specifikuar se “nuk do të jetë e detyrueshme”.

Ndërkohë, Franca, pas Italisë, ka kaluar pragun e 50 mijë viktimave të Covid-19. Sipas të dhënave nga Santé Publique, me 454 vdekje në spitale në 24 orët e fundit dhe akumulimin e 4 ditëve të vdekjeve në shtëpitë e pushimit dhe institucionet për personat me aftësi të kufizuara (551), shifra e 50,237 vdekjeve është arritur që nga fillimi i pandemisë. /Albinfo.ch