Lajme

Franca e bën të detyrueshme maskën në ambiente të mbyllura

Franca do të bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura publike, veçanërisht në dyqane, duke filluar që nga java e ardhshme, njoftoi kryeministri Jean Castex në Senat, përcjell albinfo.ch.

“Ne parashikojmë një hyrje në fuqi të këtyre dispozitave që prej 1 gushtit. E kuptoj që ky afat është i vonuar, dekreti do të hyjë në fuqi javën e ardhshme”, theksoi kryeministri gjatë deklaratës së tij para senatorëve.

Ai ka shtuar se një vendim i tillë po merret për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Francë.

“Mbajtja e maskës përbën me respektimin barrierave një masë parandaluese dhe mbrojtje efikase”, nënvizoi ai.

Ky vendim u mirëprit nga të gjithë ata të cilët kishin kërkuar një masë të tillë dhe aplikimin e saj edhe në vendet e punës.