Portrete të firmave

“Forumi i ndërtimtarisë”, një platformë bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Zvicrës

Forumi u organizuar nga platforma albinfo.ch me mbështetjen e USAID Kosovo Compete Activity dhe me përkrahjen e GROUPE ORLLATI SA

Në mbrëmjen e 12 dhjetorit është mbajtur Forumi i ndërtimtarisë, i pari i këtij lloji në Lozanë të Zvicrës. Në këtë Forum morën pjesë mbi 80 kompani, të cilat veprimtarinë e tyre e kanë të fokusuar në sektorin e ndërtimit, të specializuara në përpunimin e drurit apo metalit, e po ashtu të pranishme ishin edhe shumë studio arkitekture, dizajni dhe agjenci të patundshmërive.

Forumi, i cili u organizua nga platforma albinfo.ch, me mbështetjen e USAID Kosovo Compete Activity
si dhe përkrahjen e GROUPE ORLLATI SA, mblodhi në një vend rreth 40 kompani nga Kosova si dhe po aq të tjera nga Zvicra, për të mundësuar rrjetëzimin e këtyre kompanive, të cilat kanë potencial dhe hapësira të nevojshme bashkëpunimi në këtë sektor.

Në vitet e fundit te kompanitë kosovare është parë një rritje e prodhimtarisë dhe e zhvillimit të projekteve të ndryshme, kështu duke qenë në hap me trendët, nevojat e blerësve si dhe cilësinë e tyre si projektues apo prodhues. Nga kjo është rritur edhe kërkesa për t’i plasuar produktet e tyre në një treg më të gjerë dhe është krijuar një rrugë që këto kompani nga Kosova të hyjnë në tregun evropian, sidomos atë zviceran.

Rrjedhimisht janë parë mundësitë e bashkëpunimit me firma zvicerane që tashmë janë pjesë e kësaj industrie dhe e këtij tregu.

Me objektivin për t’i promovuar kompanitë nga të dy vendet, në këtë degë, Forumi i ndërtimtarisë arriti që përmes prezantimeve të shpalosë potencialin ekonomik dhe punën e disa nga kompanive më të suksesshme në Zvicër si dhe, në anën tjetër, të mundësojë njohjen e kapaciteteve të firmave nga Kosova.

Gjatë këtij Forumi janë organizuar edhe takimet B2B (business to business) me qasje direkte mes kompanive zvicerane dhe atyre kosovare, duke mundësuar kontakte bashkëpunimi e pune.

Drejtori i platformës albinfo.ch (online&print), Sevdail Tahiri

Në eventin e mbajtur në “Starling hotel” në Lozanë, Forumi u hap me fjalimin e organizatorit, drejtorit të platformës albinfo.ch (online&print), Sevdail Tahiri, i cili foli për rëndësinë e këtij organizimi.

“Përveç se japin shembull të patriotizmit ekonomik, duke kontribuar për ekonominë e vendit të origjinës, ndërmarrësit shqiptaro-zviceranë në këtë mënyrë ua mundësojnë prodhuesve dhe kompanive kosovare të zhvillohen profesionalisht dhe njëkohësisht të rritet punësimi dhe të ngrihet kualiteti i prodhimit dhe shërbimeve me standarde zvicerane”, u shpreh z.Tahiri.

Ai gjithashtu tregoi se këto takime po ndihmojnë zhvillimin e ndërsjellë në aspektin biznesor.

“Takimet tona Zvicër-Kosovë janë shpeshtuar, ky është një tregues shpresëdhënës se marrëdhëniet tregtare dhe biznesore ndërmjet dy vendeve janë duke u rritur”.

 

Skender Rama, drejtor i projektit nga USAID Kosovo Compete Activity, gjatë prezantimit të tij për pjesëmarrësit tregoi për angazhimin dhe sukseset e kompanive nga Kosova.

“Këto kompani kanë investuar në pajisje, makineri e fuqi punëtore, që të arrijnë cilësitë e standardet ndërkombëtare, e këtë e vërteton edhe rritja e eksportit. Pse ne mendojmë që mund të eksportojmë edhe më shumë, është pikërisht lidhja që ekziston, e që mund te forcohet edhe më shumë përmes bizneseve të diasporës“, theksoi Skender Rama.

Destan Orllati, drejtor financiar “Groupe Orllati”

Një përshëndetje për të pranishmit e pati edhe zotëri Destan Orllati, si drejtor financiar i kompanisë më të fuqishme në rajonin frankofon “Groupe Orllati”, të udhëhequr nga Avni Orllati, i cili ishte nikoqir i forumit.

Ai u shpreh se është krenar për të arriturat e kësaj kompanie dhe se janë të hapur për bashkëpunim me firmat që kanë objektive të përbashkëta.

Veronique Chaignat, përgjegjëse e komunikimit në kompaninë ORLLATI

Fazën e prezantimeve gjatë forumit të ndërtimtarisë e filloi zonja Veronique Chaignat, përgjegjëse e komunikimit të kompanisë ORLLATI, e cila mysafirët i njohtoi me historikun e familjes Orllati, fillimet e tyre si kompani ndërtimi, projektet e realizuara si dhe qëllimet e mëtutjeshme të kësaj kompanie.

Në rrjedhën e prezantimeve para masës mori fjalën edhe z. Valon Gashi, përfaqësues i kompanisë “Mahagoni” në Zvicër.

Valon Gashi, përfaqësues i kompanisë “Mahagoni” në Zvicër

Sesa është zhvilluar industria e drurit flet fakti se tashmë shtëpitë modulare Kosova po i ndërton edhe jashtë kufijve, jo vetëm në Evropë, Gjermani dhe Austri, por edhe përtej oqeanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto shtëpi prodhohen në fabrikën “Instabuild” në Kosovë, me standarde evropiane dhe amerikane!

Diedon Kica kishte ardhur enkas nga Prishtina për të prezantuar në këtë Forum kompaninë “Instabuilt”.

Nga dr. Bashkim Iseni, në cilësinë e bashkinicuesit, është lansuar platforma që do të jetë „shtëpia“ e Kosovës në Zvicër. Për këtë platformë Iseni ka paraqitur pikat kyçe, me qëllim krijimin e një klime besimi të biznesit Zvicër-Kosovë, rritjen e investimeve dhe përmbushjen e vakumit organizues si një unazë moderne dhe profesionale që do të ndikojë në rrjetëzimin e vazhdueshëm të shembujve të suksesit përmes një strukture që përfshin aktivitete, trajnime, informacione dhe promovime mediale.

Dr.Bashkim Iseni

Pas pjesës zyrtare të fjalimeve, për më shumë se 3 orë u zhvilluan takimet B2B në disa hapësira të veçanta për t’u realizuar biseda dhe për të shkëmbyer ide bashkëpunimi mes kompanive me interesa të përbashkëta. Këto takime u panë si forma më adekuate e të bërit biznes cilësor për një të ardhme të afërt apo edhe afatgjate.

Nëpër këto takime po ashtu u diskutua edhe për mundësitë që i ofron tregu zviceran në këtë sektor, marrëdhëniet mes kompanive të ndërtimit dhe atyre të arkitekturës e dizajnit, faktori i shitjes përmes agjencive të patundshmërisë, e shumë aspekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë në zhvillimin e këtyre kompanive, deri te marketingu i mirë si formë e duhur publiciteti.

Ngjarja, e cila rezultoi me krijimin e disa marrëveshjeve tregtare si dhe rrjetëzimin e protagonistëve të kësaj fushe, u përmbyll suksesshëm, kështu duke filluar të projektohen ide dhe projekte të tilla, në një takim të ardhshëm në Prishtinë.

Krejt në fund, në Forumin e ndërtimtarisë nuk kishte si të mungonte ushqimi tradicional, si pjesë e kulturës shqiptare, si dhe muzika e lehtë në sfond, e performuar live nga DUO EAST.

Ky Forum tashmë mori rolin e një ure bashkëpunuese mes 80 kompanive nga Zvicra dhe Kosova si dhe shumë ndërmarrjeve të tjera që duan t’u bashkohen iniciativave të reja inovative, në zhvillimin e tregtisë e ekonomisë në raport me këto dy shtete.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Autore: Alisa Buzhala

Foto nga Forumi i Ndërtimtarisë në Lozanë, të realizuara nga Rromir Imami

Fotografi nga Forumi i Ndërtimtarisë në Lozanë