Lajme
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar mblodhi në Vjenë personalitete nga politika dhe biznesi i të gjitha trojeve shqiptare
Të shtunën në Vjenë u mbajt takimi i radhës i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar. Aty u diskutua për projekte konkrete dhe investime në trojet tona shqiptare
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar kishte zgjedhur kryeqytetin austriak për të mbajtur takimin e radhës me anëtarët e saj. Pas disa takimeve të rëndësishme me ekspertë austriakë të fushave të ndryshme, në një darkë pune, por edhe miqësore e familjare, për të ftuarit kishte organizuar në shtëpinë e tij në Vjenë biznesmeni i njohur shqiptar në Austri, Argtim Hani. Përveç anëtarëve të Forumit, nuk munguan as personalitete të ndryshme nga politika si dhe biznesmenë shqiptarë të suksesshëm nga të gjitha trevat shqiptare si dhe nga diaspora jonë në Austri dhe Amerikë. Pas këtyre takimeve, u premtua edhe investime në Luginën e Preshevës dhe Ulqin. Albinfo.at ka përcjellë këtë takim, nga ku mori edhe disa prononcime nga anëtarët e Forumit si dhe personalitete të tjera të pranishme.
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar është një organizatë jofitimprurëse, e themeluar në vitin 2019 dhe vepron në hapësirën mbarëshqiptare. Fushat e veprimtarisë së Forumit shtrinë aktivitetet e tij në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, si dhe në Diasporë. Qëllimi i tij është heqja e barrierave tregtare si dhe investime në disa zona në hapësirën mbarëkombëtare.
Kryetari i Forumit Mbarëshqiptar, Nagib Fejzi, thotë se e mira e këtij Forumi është bashkimi i bizneseve në të gjitha trojet shqiptare.
Nagib Fejzi, kryetar i Forumit: “Sot patëm rastin të jemi mysafirë të një miku tonë, i cili është anëtar i Forumit dhe na ofroi që këtë takim ta mbajmë këtu në shtëpinë e tij në Vjenë. Detyra e Forumit është lobimi për largimin e barrierave të biznesit në mbarë trojet shqiptare. Për shkak të pandemisë, natyrisht se nuk kemi mundur të zhvillojmë të gjitha synimet tona, por për këto tre vjet mendoj se kemi bërë një lobim të suksesshëm. Tani jemi në nismën e aktiviteteve dhe shpresojmë që të dalin të suksesshme”.
Mendi Qyra dhe Vullnet Haka, të dy zëvendëskryetarë të Forumit dhe ndër themeluesit e tij, theksuan se janë shumë të kënaqur me nismën e këtij Forumi. “Çdo ditë e më shumë po shtojmë numrin e anëtarësisë dhe për rrjedhojë po shohim se si mundemi që biznesin mbarë kombëtarë shqiptarë ta strukturojmë, ndihmojmë dhe zhvillojmë ashtu siç duhet dhe si e kanë edhe vendet tjera nëpër botë”, thanë ata.
Nikoqiri Argtim Hani foli rreth aktiviteteve që Forumi ka zhvilluar gjatë ditës së shtunë në Vjenë.
Argëtim Hani, anëtar i Bordit: “Gjatë këtyre ditëve kishim takime intensive me Forumin Ekonomik. Në Vjenë organizova takime me ekspertë të fushave të ndryshme, ku njëri ndër ta na sqaroi se si shoqëritë jofitimprurëse funksionojnë në vendet evropiane. Një tjetër ishte profesor universiteti këtu në Vjenë dhe na informoi funksionimin e shoqërive aksionare në Austri. Ne kërkuam module për të shikuar se si mund të zbatojmë edhe në trojet tona etnike. Një ekspert tjetër, i cili ishte një guvernator i një banke të Lihtershtajnit, na tregoi se si mund të formojmë një fond biznesor dhe nëpërmjet atij fondi të investojmë në projekte të ndryshme. Pastaj kishim takimin tonë të radhës mes anëtarëve të bordit dhe caktuam edhe detyrat për secilin anëtar. Unë jam anëtar i Bordit dhe përfaqësoj diasporën në përgjithësi, ndërkohë sot kam marrë një detyrë të re, jam Koordinues i Komitetit të Politikëbërësve.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe personalitete të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut:
Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane në Shqipëri “Gjëja më e mirë është se biznesi shqiptar të organizohet në të gjitha trevat shqiptare. Mendoj se duhet të ndërtojmë një raport të qëndrueshëm ekonomik. Ky është hapi i parë drejt bashkimit kombëtarë, ku shqiptarët e bashkuar do të mund të jenë në Evropën e bashkuar. Ne kemi pasur disa diskutime midis qeverive por nuk kemi implementuar dot, sepse nuk e kemi dëgjuar si duhet zërin e bizneseve. Mendoj se ky forum e ka këtë dimension për të bërë politika për t’iu qasur edhe politikbërësve, për të arritur që të kemi ligje të cilat do të i shërbejnë zhvillimin ekonomik të gjitha trevave shqiptare. Në përgjithësi qasja e politikës ka qenë e gabuar në raport me biznesin. Deri më tash politika e ka parë biznesin si shërbim ndaj politikës në një kohë kur duhej të ishte politika në shërbim të biznesit. Barriera që janë vendosur herë pas herë kanë qenë barriera të interesave të caktuara dhe jo rrallë herë edhe korruptive. Mendoj që politika ka një rol për të kryer edhe ekonomik për t’iu qasur politikës në gjitha trevat shqiptare që të kemi propozime të përbashkëta”.
Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së dhe deputet në Parlamentin e Kosovës: “Forumi Ekonomik është një platformë që ka ide dhe projekte konkrete. Pjesë e këtij Forumi shoh se janë një pjesë figurave të suksesshme të biznesit të cilët kanë zhvilluar bizneset e tyre qoftë në trevat shqiptare apo edhe në diasporë. Duke i njohur një pjesë të tyre edhe personalisht, jam i bindur se kanë ide dhe projekte konkrete. Projektet e mundshme që kanë për qëllim investimin qoftë në Ulqin apo investimet e mundshme në Luginën e Preshevës, tregon se Forumi nuk e ka për qëllim përfitimin individual, por këta i shërbejnë një kauze të madhe me zhvillim të barabartë kudo që jetojnë shqiptaret. Si politikan, mendoj se politika në gjitha trevat tona ka mundur të bëj shumë më shumë. Gjatë këtyre 20 viteve kemi bërë hapa të mirë. Ne kemi bërë të mundur që të kemi mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë, kemi mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kemi pas ide për mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Malit të Zi. Por përtej ketyre vendimmarrjeve dhe marrëveshjeve të shumta, ajo çka i ka munguar bashkëpunimit ekonomik, janë idetë dhe projektet konkrete. Pikërisht kjo platformë ia jep një dimension krejt të ri bashkëpunimit mes shqiptarëve. Ne, nuk mundemi me e rrit territorin e trevave shqiptare dhe as numrin e banorëve, por atë çfarë mundemi më e bë është, rritja e ekonomisë dhe cilësisë së produkteve. Si unë personalisht, por edhe subjekti të cilit i takoj PDK-së, sa herë që të jetë e nevojshme, do ta ndihmojmë, qoftë përmes amendamentit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës, qoftë përmes mbështetjes konkrete politike.
Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit në Maqedoninë e Veriut: “Momenti që takon përfaqësues të bizneseve të suksesshme nga mbarë trojet shqiptare, kjo tregon se ka interesa edhe për të investuar në trojet tona shqiptare. Kjo është në interes të zhvillimit ekonomik ku pritet të implementohen edhe projekte të rëndësishme, jo vetëm për anëtarët e Forumit, por që do prekin edhe interesin e qytetarëve në vendet tona.
Kjo nismë kërkon edhe vullnetin tonë politik që ta bëjmë që këto projekte të zhvillohen, të janë efikase dhe të heqim barrierat politike të cilat mund të pengojnë në një formë a tjetër zhvillimin e kësaj iniciativë. Kapaciteti është kogja i madh, por ne si politikbërës duhet të hapim derën dhe të japim mundësinë për investime në tokat tona”.
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar ka një bashkëpunim të ngushtë edhe me Odat Ekonomike Tregtare të shteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedoni e Veriut, raporton albino.at.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë si dhe anëtar Bordi i Forumit: “Kjo është një mundësi ideale për të potencuar një realitet ekonomik në gjithë trevat shqipfolëse. Në qoftë se ne dimë të koordinojmë siç duhet potencialin dhe fuqinë e sipërmarrëseve shqiptar dhe nga ana tjetër do të gjejmë edhe klimën e duhur nga qeveritë e tri shteteve, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut për të përthithur dhe për të bërë interesante projektet se ku do të financohen qoftë ekonomik por edhe sociale. Në këtë takim u pajtuam që të investojmë në sektorin e energjisë ku dhe presim të fillojmë sa më shpejt me hapa konkrete”.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, anëtar i Bordit të Forumit:
„Forumi është një organizëm i jashtëzakonshëm që synon me grumbulluar të gjitha ata që kanë interes për zhvillimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe për kultivimin sa më të madh ekonomik të vendeve tona në hapësirat gjithë shqiptare dhe tregjet e rëndësishme botërore. Mbrëmja e sotme ishte një mbrëmje fantastike në shtëpinë e njërit prej anëtarëve të Forumit. Një ambient komod ku mundëm të diskutojmë për ide të ndryshme, qoftë nga jeta jonë e përditshme, por edhe për anën tonë profesionale. Tani kemi një konsilidim të anëtarëve dhe duket që Forumi ka arritur fazën e parë të qëllimit dhe grumbullimi i biznesmenëve të suksesshëm nga trevat mbarë shqiptare”.
Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, anëtar i Bordit të Forumit: “Bashkëpunimi Ekonomik i kompanive shqiptare në Ballkan është në një nivel të duhur por jo edhe mjaftueshëm, prandaj ne kryetarët e Odave Ekonomike me një vullnet të mirë, ngritën një iniciativë si asociacion të mirëfilltë mbarë shqiptarë që të mundemi në një formë më të organizuar të mblidhemi që të ndikojmë sado pak në qeveritë tona përkatëse veçanërisht në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut. Kjo është një ide që ne po synojmë të jemi mbi politikën, që me kontributin dhe më dëshirën tonë të zhvillojmë si vende të Ballkanit dhe të ndikojmë që politikat tona të jenë në shërbim të biznesit dhe ekonomisë në përgjithësi. Është fakt që rinia jonë po lëshon trevat shqiptare dhe ne duhet të jemi ata që duhet të krijojmë kushte më të mira për t’i mbajtur rininë në vendlindje dhe për t’iu krijuar atyre një jetë më te dinjitetshme. Për ne në Maqedoninë e Veriut duke qenë se tashme kemi dhjetë ministra dhe dy zëvendëskryeministra në qeveri, është momenti i jashtëzakonshëm që të shfrytëzojmë këtë mundësi për të siguruar një zhvillim më të mirë për rininë tonë por edhe për të arritur qëllimet tona që i kemi si biznese. Ideja jonë është që të bëjmë bashkë të tri qeveritë nga trevat shqiptare dhe t’i ballafaqojmë me problemet që ekzistojnë për t’i sqaruar këto barriera e të bërit biznes me shteteve tona”.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe biznesmenë shqiptarë dhe amerikanë nga Amerika, si Nazar Mehmeti, Ylber Korça dhe Kevin Carey:
Nazar Mehmeti, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Botë dhe anëtar i Bordit Drejtues të Forumit: “Është një iniciativë shumë e qëlluar, është një „network“ ku njerëzit njoftohen së bashku, komunikojnë me njëri tjetrin, shkëmbejnë ide dhe mund të flasin për projekte të përbashkëta. Unë jam ardh enkas nga Amerika së bashku me disa miq të mi biznesmen shqiptarë dhe amerikanë dhe kishim dëshirë t’iu bashkohemi kësaj iniciativë të përbashkët të trojeve shqiptare. Çdo herë që ka iniciativa për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe për shqiptarët, unë gjithmonë jam i gatshëm të jap kontributin tim”.
Ylber Korça, anëtar i Bordit për diasporë: “Është një hap shumë i rëndësishëm për gjitha trojet shqiptare. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Siç e dini unë jam edhe anëtar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Botë dhe bashkë me miqt e mi jemi ardh nga Amerika për të qenë pjesë e këtij takimi. Unë shpresoj që shumë shpejt Forumi do të këtë bashkëpunim edhe me Rrjetin dhe bashkë të bëjmë më të mirën për vendet tona shqiptare. Ne kemi mjaft atëdhetar të cilët janë të gatshëm për të investuar, natyrisht për përfitime të tyre por edhe për të hapur vende të reja të punës për të rinjtë tanë në mbarë trevat shqiptare”.
Aty nuk mungoi as biznesmeni i njohur, pronar i “Devolli Group”, Blerim Devolli.
Në anën tjetër, për projektet e Forumit, për albinfo.at folën edhe prof. Dr. Gjokë Uldedaj si dhe biznesmenët Muharrem Salihu nga Medvegja, i njohur si biznesmen në Venecia si dhe Nazik Sumi, biznesmen nga Ulqini.
Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, anëtar i Bordit: Mbrëmja e sotme është një konkluzion e një dite të ngarkuar të Forumit Mbarë Shqiptar, i cili u mblodh këtu në Vjenë. Ky Forum është i pari i këtij lloji dhe ka vizione të qarta që bashkon gjitha trojet shqiptare jo vetëm për të parë interesa të biznesit, por për të prekur edhe interesat sociale. Forumi shumë shpejt do të bëj një aktivitet në Medvegj dhe Bujanoc, projekt i cili do t’u shërbejë qytetarëve të kësaj zone. Qëllimi është krijimi i vendeve të punës në mënyrë që të mund të kontribuojmë edhe tek të rinjtë. Poashtu ky Forum ka për qëllim që të krijojë edhe një fondacion, ku mund të marrin pjesë të gjitha shoqatat e bizneseve shqiptare pa dallim se ku jetojnë.
Muharrem Salihu nga Medvegja/Venecia, anëtar i Bordit: Fillimi është i mbarë dhe uroj që sa më shpejt të hedhim edhe projektet konkrete. Ne u pajtuam për disa projekte dhe tani duhet të punojmë në implementimin e tyre. Unë besoj në këtë Forum, sepse mbi interesin personal, ka interesin social dhe rikthimin e dinjitetit për qytetarët tanë që jetojnë në trevat tona shqiptare”
Nazif Cungu nga Ulqini, anëtar i Forumit: “Nga aktivitetet e deritashme të Forumit mendoj se janë shumë pozitive në zhvillimin ekonomik mbarë shqiptarë. Në mbledhjen e Bordit që mbajtëm sot, kemi vlerësuar të nisim dy projekte. Një projekt është në Luginën e Preshevës, dhe një tjetër në Ulqin, në sektorin e Bujqësisë. Unë e kam marr si obligim që të përgatis draftin e parë dhe shpresoj që shumë shpejt të jetë projekti i gatshëm i cili do të jetë edhe sfida e parë e këtij forumi”.
E gjithë mbrëmja përfundoi me një darkë solemne në shtëpinë e biznesmenit, Argtim Hani.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës