Lajme

Forca speciale të EULEX-it kundër krimit në veri

Në punën e njësisë, e cila numëron 20 veta, përpos policisë, janë të përfshirë edhe gjykatës e doganierë

EULEX-i do të formojë një njësi speciale policore që do të vendoset në veri të Kosovës. Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Christian Klasing në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Klasing më tutje ka thënë se, ndonëse njësia është formuar në nëntor të vitit të kaluar, është duke vazhduar rekrutimi i njerëzve që do të përfshihen në të. Njësia do ta luftojë krimin e organizuar.

Sipas Klasing, në punën e njësisë, e cila numëron 20 veta, përpos policisë, janë të përfshirë edhe gjykatës e doganierë. Ideja është që në angazhimin e saj për ndalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, EULEX-i do të bashkëpunojë edhe me policinë lokale, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it.