Shqipëria

Fondi i Abu Dhabit ndihmon për rregullimin e lumit të Tiranës

Fondi i Abu Dhabit do mbështesë Bashkinë e Tiranës për të çuar deri në fund projektin e Bulevardit të Ri për dy segmentet e mbetura dhe revitalizimin e një sheshi monumental në fund të tij.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim drejtorin e operacioneve në botë të Fondit të Abu Dhabit për Zhvillim, Adel Al Husan, me të cilin bisedoi për përfundimin e projektit të Bulevardit të Ri, si dhe për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe për projekte të tjera, përcjell albinfo.ch.

“Kemi pasur një eksperiencë të shkëlqyer me zbatimin e projektit të Bulevardit të Ri, në këto dy vjet kemi ecur me ritme të jashtëzakonshme. Sot po i afrohemi fundit, ndërkohë kemi përfunduar totalisht sistemimin e lumit të Tiranës, çka shpëtoi nga përmbytjet”, ka deklaruar Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi faktin se projekti i rehabilitimit të lumit të Tiranës nuk përfshin vetëm sistemimin e familjeve që jetonin në shtëpi të ndërtuara në shtratin e lumit, si dhe ndërtimin e skarpateve mbrojtëse, por edhe krijimin e hapësirave çlodhëse dhe argëtuese për banorët e zonës.