Lajme

Florida nuk ka më shtretër në dispozicion në mjekimin intensiv

Shtetet e Bashkuara të Amerikan aktualisht po kryesojnë listën e vendeve me numrin më të madh të vdekjeve dhe të të infektuarve me COVID-19.

Situatë e rëndë është paraqitur në shtetin jugor amerikan të Floridas.

Drejtuesit e dyzet e pesë spitaleve njoftuan të hënën se nuk kishin më shtretër në dispozicion në njësitë e kujdesit intensiv, ndërsa numri i të infektuarve me koronavirus vazhdon të rritet, përcjell albinfo.ch.

Shteti njoftoi më shumë se 12 mijë raste të reja me koronavirus të dielën, dita e pestë me radhë që raportohen më shumë se 10 mijë raste infektsionesh.

Më e goditura paraqitet veçanërisht zona e Majamit.

Kryetari i Majamit, Francis Suarez, njoftoi se duke filluar nga sot (e hënë) do të vendosen gjoba më të ashpra ndaj kujtdo që nuk vendos maskë në publik.

Gjobat variojnë nga 50 dollarë në rast të shkeljes së rregullit për herë të parë deri në 500 dollarë për shkelësit përsëritës.

Në Los Anxhelos kryetari Eric Garcetti tha të dielën se ndodhej në prag të vendimit për lëshimin e një urdhri të ri për qëndrim në shtëpi të banorëve.

Ai kritikoi administratën Trump për atë që ai e quajti mungesë të udhëheqjes se vendit në përpjekjet kundër pandemisë.

Të dielën në rang kombëtar në Shtetet e Bashkuara u shënuan më shumë se 500 vdekje dhe 63 mijë raste të reja me koronavirus.