Lajme

Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë

Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për të drejtën e votës së diasporës

Historia e Florian Haçkajt, një shqiptar me vizion global dhe rrënjë të thella kombëtare, shfaqet si një shembull frymëzues i përkushtimit për një atdhe më të mirë. I lindur pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe i formuar profesionalisht në Evropë, Haçkaj ka ndërtuar një karrierë të shquar ndërkombëtare, ndërsa ka mbetur një mbrojtës i palodhur i kauzave shqiptare. Përmes angazhimit të tij profesional dhe shoqëror, ai ka krijuar ura që lidhin diasporën shqiptare me vendin e origjinës, duke shërbyer si një model i jashtëzakonshëm i integritetit dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të Shqipërisë dhe Diasporës shqiptare anembanë botës.

Florian Haçkaj, një shqiptar që jeton prej më shumë se dy dekadash jashtë vendit, ka një histori frymëzuese që përmbledh përpjekjet e tij për të krijuar një lidhje të fortë mes diasporës dhe Shqipërisë. I lindur dhe rritur në Tiranë, pranë Teatrit Kombëtar, Florian Haçkaj ka kaluar vite të rëndësishme jashtë vendit duke ndërtuar një karrierë dhe familje të suksesshme, por pa harruar asnjëherë rrënjët e tij.

Florian Haçkaj është bashkë-themelues i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe një menaxher komercial i shquar në fushën e kibernetikës, duke udhëhequr tregje të rëndësishme në rang botëror. Ai ka diplomuar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Bielefeld, Gjermani, dhe ka përfunduar studimet postmaster në Menaxhim Turizmi në Universitetin e Luzernit, Zvicër. Më pas ka kryer një specializim ne Shkollën e Lartë në St. Gallen (HSG). Me mbi 15 vite përvojë në menaxhim komercial dhe një karrierë të larmishme që përfshin aviacionin, turizmin, teknologjinë dhe sigurinë kibernetike, ai sot është një nga udhëheqësit kryesorë të kompanisë zvicerane Ontinue.

Në pozicionin e tij aktual si menaxher komercial, Floriani menaxhon një nga tregjet më të ndjeshme, përfshirë organizatat joqeveritare dhe Kombet e Bashkuara, duke u fokusuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin kontraktual. Ontinue operon globalisht, duke ofruar siguri për miliona përdorues interneti në mbi 184 shtete.

Përveç karrierës së tij profesionale, Floriani është edhe një qytetar i përkushtuar shqiptar, një alpinist i njohur dhe një njeri me pasion për zhvillimin e turizmit shqiptar. Ai është shpallur “Ambasador i Kombit” dhe inkurajon rrjetëzimin mes shqiptarëve në diasporë për të forcuar suksesin kolektiv. Trekëndëshi i suksesit të tij përfshin të qenit menaxher i aftë, familjar i përkushtuar dhe qytetar aktiv për kombin.

“Pas përfundimit të gjimnazit në Shqipëri, vendosa të studioj në Gjermani,” tregon ai. Pas një eksperience të pasur pune në Austri dhe Belgjikë, Haçkaj vendosi të jetojë në Cyrih, Zvicër, ku sot ka krijuar familjen e tij. “Zvicra është bërë si një shtëpi e dytë për mua,” thotë ai, duke theksuar rëndësinë e meritokracisë që dominon këtë vend dhe që përbën një model të cilin ai e ka adoptuar si vizion për Shqipërinë.

Në vitin 2020, kur Teatri Kombëtar në Tiranë u shemb, Florian Haçkaj ndjeu një dhimbje të thellë që e çoi drejt një aksioni konkret. “Atë mëngjes u zgjova duke parë pamjet e shkatërrimit të Teatrit dhe për herë të parë qava para djalit tim dyvjeçar. Kjo ngjarje ishte një moment kthesë për mua,” rrëfen ai. Në atë çast vendosi të bëjë një thirrje për bashkim në diasporë, një thirrje që pati një jehonë të jashtëzakonshme. Mijëra shqiptarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan kësaj nisme.

Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”

Kjo thirrje u konkretizua më 17 maj 2020, me themelimin e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”. Qëllimi ishte i qartë: të krijohej një platformë që i jepte zë diasporës shqiptare për t’u përfshirë në çështjet politike dhe sociale të vendit. “Gjithmonë kam menduar se Shqipëria është më e fortë kur lidhja midis Diasporës shqiptarët brenda vendit është sa më e ngushtë. Ne kemi punuar për të rikthyer lidhjen që u ndërpre nga regjimi komunist,” shpjegon Haçkaj.

Lëvizja u përqendrua fillimisht në çështjen e votës së diasporës. “I shkruam Parlamentit Evropian, KQZ-së dhe qeverisë shqiptare për të kërkuar të drejtën e votës për shqiptarët jashtë vendit,” thotë ai. Pas shumë përpjekjesh, në korrik 2024 u miratua një ligj për votën e diasporës, megjithëse jo në formën ideale të propozuar nga lëvizja.

Florian Haçkaj dhe anëtarët e Lëvizjes së Diasporës për Shqipërinë e Lirë kanë krijuar një rrjet që shtrihet në 24 vende të botës. Përmes kësaj lëvizjeje, ata kanë kthyer diasporën nga një entitet folklorik-kulturor në një faktor politik me zë të fuqishëm. “Nuk jemi këtu për të sharë apo për të bërë cirk, por për të dhënë kritika konstruktive dhe për të propozuar zgjidhje konkrete,” thekson ai.

Një ndër sukseset më të mëdha të Lëvizjes ishte padia kundër shtetit shqiptar për cenimin e të drejtës së votës së diasporës në zgjedhjet e 2021-shit, të cilën e fituan në Gjykatën Kushtetuese. Kjo fitore ishte një hap i rëndësishëm për përfshirjen e shqiptarëve të diasporës në proceset vendimmarrëse të vendit.

Lëvizja e Diasporës për Shqipërinë e Lirë ka shtrirë ndikimin e saj në fusha të ndryshme, përfshirë mjedisin dhe të drejtat e njeriut. “Ne kemi ngritur zërin për ndotjen e lumenjve, si ai i Ishmit, dhe kemi ndërmend të çojmë çështjen deri në SPAK,” thotë Haçkaj. Ai shton se qëllimi i tyre është të krijojnë një Think Tank që adreson problemet e vendit me një qasje racionale dhe të pavarur.

Për Haçkajn, atdhedashuria nuk është nacionalizëm ekstrem, por një dashuri e shëndetshme për vendin. “Nuk është e mjaftueshme të brohorasësh në stadium dhe të hedhësh plehra në tokë p.sh. Atëdheu ka nevojë për shembuj pozitivë dhe punë të ndershme,” thekson ai.

Duke u drejtuar brezit të ri, ai apelon për fokus dhe përqendrim në punë dhe qëllime afatgjata, duke shmangur modelin e “lëpirjes ndaj politikanëve.” Për diasporën, mesazhi është po aq i qartë: “Shqipëria ka nevojë për ju. Angazhimi juaj është jetik për një të ardhme më të mirë.”

Për Florian Haçkajn, sukseset personale nuk janë thjesht qëllime, por mjete për të arritur ndryshime të qëndrueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përmes iniciativave të tilla si Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ai ka treguar se bashkimi i diasporës me atdheun mund të krijojë një forcë transformuese. Me vizionin e tij për një Shqipëri meritokratike, të drejtë dhe të qëndrueshme, me një përpjekje të palodhur, po ndërtojnë ura që lidhin shqiptarët kudo që ndodhen, duke kontribuar për një Shqipëri më të drejtë, më të hapur. Haçkaj përçon një mesazh të fortë: zhvillimi dhe përparimi kërkojnë përkushtim, angazhim dhe veprime konkrete. Historia e tij mbetet një ftesë për brezat e rinj dhe për diasporën që të ndjekin të njëjtën rrugë drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët.