Integrimi

Florian Blumer: “O sa mirë me qenë shqiptar ;-)”

Florian Blumer është publicist i njohur zviceran, redaktor në revistën “Surprise”. Ai thotë se shqipen e ka dëgjuar “me vetëdije” vetëm nga bashkëshortja e tij, Shpresa Jashari. Si shprehje që i është kujtuar e para në gjuhën shqipe ka qenë slogani: "O sa mirë me qenë shqiptar ; )"

“Unë nuk mendoj se shqipja tingëllon ngjashëm me anglishten. Dhe në fakt me asnjë gjuhë tjetër që njoh unë”, thotë veç tjerash publicisti Florian Blumer, njohës (ende fillestar) i shqipes.

Albinfo.ch: Kur keni dëgjuar shqipen për herën e parë dhe si tingëlloi ajo për veshin tuaj ? 

Florian Blumer:  Me vetëdije unë për herë të parë kam dëgjuar të flitet shqip vetëm kur e kam njohur Shpresën (Shpresa Jashari, v.j.), gjegjësisht kur ajo po fliste shqip në telefon me vëllain e saj. Më erdhi aq e huaj, e largët kjo gjuhë sikur të bëhej fjalë për kinezishten.

A mundeni t`i shqiptoni lehtë të gjitha shkronjat tona? 

Me thënë të drejtën po. Shumicën e tingujve që ndryshojnë nga gjermanishtja, i njoh nga anglishtja, pasi që e kam studiuar gjuhën angleze.

Me cilën gjuhë sipas jush ngjan muzikaliteti i shqipes ? 

Megjithatë, unë nuk mendoj se shqipja tingëllon ngjashëm me anglishten. Dhe në fakt me asnjë gjuhë tjetër që njoh unë.

A e keni pasur vështirë ti shqiptoni fjalët e para të shqipes? 

Po, vetëm me shqiptimin e r-së, gruaja ime, Shpresa më ka kritikuar përherë.

Sa e njihni kulturën shqiptare? 

Unë tashmë e njoh paksa këtë kulturë, nga udhëtimet në regjionet ku flitet shqipja dhe nga familja e gruas time.

Keni vizituar ndonjë nga trojet shqiptare? 

Unë kam qenë tashmë në Ulqin, Mali i Zi, në vende të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Në veçanti më ka pëlqyer Prizreni.

A keni lexuar ndonjë libër shqip, apo në gjuhën tuaj, nga autorët shqiptarë? 

Jo, shqipja ime është akoma shumë e dobët për diçka të tillë. Në gjuhën gjermane e kam lexuar “Piramidën” dhe “Koncert në fund të dimrit” nga Ismail Kadare.

Thuhet se fëmijët i mësojnë më shpejt gjuhët e huaja sepse ata nuk turpërohen kur gabojnë. A ngurroni ju gjatë të folurit të shqipes? 

Po, unë besoj se ndodh gjithmonë ashtu, kur të mësoh një gjuhë të re, është si një kërcim në ujët e ftohtë.

A keni ndonjë fjalor të gjuhës shqipe? 

Po, sigurisht: Kam një fjalor të madh dhe një fjalor të vogël.

Sa më multigjuhësor jemi aq më të mirë e kemi kujtesën, besoni në këtë ? 

Po. Unë mendoj po ashtu se shumëgjuhësia të hap horizontin dhe të siguron qasje në botët e panjohura

Duke e njohur gjuhën shqipe a i kuptoni më mirë shqiptarët?

Po.

A mund të na e thoni një frazë shqipe nga ndonjë tekst, këngë apo ndonjë përshëndetje shqiptare?

O sa mirë me qenë shqiptar ; ).

Ka lexuar Kadarenë gjermanisht dhe i ka pëlqyer Prizreni

Unë kam qenë tashmë në Ulqin, Mali i Zi, në vende të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Në veçanti më ka pëlqyer Prizreni”, thotë Blumer. Ndërsa pyetjes nëse ka lexuar ndonjë libër në gjuhën shqipe ai i përgjigjet: “Jo, shqipja ime është akoma shumë e dobët për diçka të tillë. Në gjuhën gjermane e kam lexuar “Piramidën” dhe “Koncert në fund të dimrit” nga Ismail Kadare”.