Integrimi
Flet Ambroz Rrustemi, mbështetësi shqiptar i Iniciativës së SVP-së për dëbim
Plot 82 % e kosovarëve të Zvicrës me të drejtë vote kanë votuar kundër iniciativës për dëbimin e të huajve. Ja çfarë thotë për albinfo.ch shqiptari që ka zhvilluar fushatë për këtë iniciativë, politikani i SVP-së, Ambroz Rrustemi
Një javë pas refuzimit të iniciativës për dëbimin e të huajve, ku mbi 59% kanë votuar kundër iniciativës së Partisë Popullore Zvicerane (SVP), trajtimi i kësaj teme është akoma i pranishëm në medie.
Anketa e fundit ka nxjerrë në sipërfaqe një tabelë të votuesve zviceranë me rrënjë migracioni.
Sipas anketës së mediumit Tamedia që e posedon ekskluzivisht gazeta 20minuten, vetëm 18 për qind e votuesve me prejardhje nga Kosova kanë votuar pro iniciativës. Me përqindje më të vogël, 14 %, pas kosovarëve janë vetëm turqit. Kurse përkrahjen më të madhe iniciativa e ka marrë nga italo-zviceranët, të cilët me 43 % e kanë votuar me shumë se vetë zviceranët autoktonë.
Në mesin e këtij 18 përqindëshi të shqiptarëve, Ambroz Rrustemi ka lobuar haptas për votimin e iniciativës. Ai vjen nga radhët e partisë së krahut të djathtë, SVP-së, dhe së fundi ishte kandidat i zgjedhjeve për deputet kantonal në St. Gallen.
Mësuesi i arsimit profesional në informatikë dhe ekonomi në shkollën Ekonomike HSO në Oerlikon dhe BWZ-Schule në Rapperswil, kishte shpresuar shumë në kalimin e iniciativës, shprehet ai për albinfo.ch. Duke menduar se po u pranua iniciativa për dëbimin e të huajve me akte kriminale, Zvicra do të bëhej vend edhe më i sigurt për të jetuar dhe kjo do të ndikonte në uljen akuzave të përgjithshme ndaj të huajve.
Politikani i Partisë Popullore Zvicerane, Ambroz Rrustemi, megjithëse bën pjesë në mesin e pak shqiptarëve që kërkonin dëbimin e të huajve me automatizëm, mbetet i përkushtuar ndaj partisë që ka qenë promotore e iniciativës. Numri i lartë i votave që ai ka marrë në zgjedhjet e javës së shkuar për të qenë pjesë e parlamentit kantanal, e shtyn mësuesin e lëndës së informatikës dhe ekonomisë, t’i hyjë seriozisht politikës. Ai nuk kishte pritur të merrte mbi 4 mijë e 500 vota duke llogaritur se angazhimi në partinë SVP, nuk do të haste në përkrahje të madhe nga bashkëkombësit shqiptarë.
“Kundërshtarë kisha edhe në familjen e ngushtë”
„Unë vetë kam qenë shumë i befasuar që i kam marrë tërë ato vota”, thotë për albinfo.ch, Ambroz Rrustemi. Normalisht e kam të qartë se shumica e tyre vijnë nga partia, por kjo është rezultat edhe i punës sime që njoh shumë njerëz. „Ta them me sinqeritetin më të madh, unë nuk kam bërë asnjë ditë fushatë zgjedhore. Nuk kam pasur asnjë takim elektoral”, shprehet Ambrozi, i lindur në Eschenbach të St. Gallenit.
Angazhimi i tij për ta votuar iniciativën për zbatim të dëbimit të të huajve, kishte ngjallur mjaft polemika edhe brenda vetë familjes së tij të ngushtë, tregon ai.
„Po, pranon ai, „kam pasur mjaftë kundërshtarë, bile edhe në mesin e ngushtë të familjes. Vëllai im ishte kundër, ai nuk votoi iniciativën”, tregon Ambrozi.
Por “shkruaje”, dikton ai, se “partitë tjera të qendrës së majtë, sindikata e tjera kanë bërë propagandë duke i frikësuar votuesit se edhe për një vjedhje të vogël, dëbohesh, ndërsa kjo nuk është absolutisht e vërtetë”.
„Unë mendoj se kanë bërë një kampanje jashtëzakonisht të madhe kundër kësaj iniciative”, thotë ai.
“Humbjen e marr me sportivitet”
Me këtë iniciativë ne kemi dashur të arrijmë dëbimin e të huajve me raste të rënda kriminale; vrasje, prostitucion, tregti me drogë, trafikim të njerëzve. Në burgjet zvicerane përbërja e të huajve ësshtë 72 përqind të të dënuarve, kurse ballkanasit përbëjnë numrin më të lartë në këtë përqindje. Ky është një fakt që nuk mund të mohohet”, ngul këmbë politikani i SVP-së, Ambroz Rrustemi.
“Të jem i qartë për lexuesit”, insiston Rrustemi, „angazhimi im në SVP nuk do të thotë se unë pajtohem me çdo vendim a iniciativë që vjen prej partisë. Mirëpo ka një program që mua më pëlqen, ka disa pika të tjera që më lidhin mua me SVP-në dhe unë këtë e kam shprehur edhe në takime me përfaqësuesit më të lartë të partisë”.
Megjithatë unë këtë garë politike e marr në mënyrë sportive, sikur në futboll, ka fitues dhe humbës dhe unë nuk e marr humbjen si fatalitet, thotë Ambrozi në fund të bisedës me albinfo.ch
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve