Kosova

Flasin predikuesit fetarë: Vaksina anti-Covid nuk e prish agjërimin

Kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava, thotë se edhe këtë vit situata është shumë e vështirë sa i përket pandemisë dhe ai u ka bërë thirrje besimtarëve të respektojnë masat e vendosura nga IKSHP.

“Edhe këtë vit, siç po shihet, do të jetë një Ramazan në kushte jonormale. Unë ftoj të gjithë besimtarët të respektojnë masat e vendosura nga institucionet shtetërore me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti publik”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i muslimanëve të Kosovës thotë se të infektuarit me coronavirus nuk e kanë obligim agjërimin, pasi sipas tij, të sëmurëve u lejohet të abstenojnë nga agjërimi.

“Nëse bëjnë më mirë, më vonë duhet ta kompensojnë me aq ditë sa nuk kanë mundur të agjërojnë”.

Sa i përket Bajramit, Tërnava thotë se do të presin si do të sillet numri i infektuarve deri atëherë.

“Ne do të bashkëpunojmë me institucionet e vendit, IKSHPK-në, Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të shohim si do të shkojë situata. Po shpresojmë se do të bie numri i të infektuarve”.

I pyetur nëse vaksina anti-Covid prish agjërimin, Tërnava është përgjigjur: “Vaksina nuk e prish agjërimin, pasi nuk është ushqyese”, tha ndër të tjera Naim Tërnava.