Integrimi
„Flas shqip me pacientët e mi“
Dr. Mentor Bilalli, në specializim në Klinikën universitare në Aarau, i pakënaqur me pozitën e komunitetit shqiptar në Zvicër
Integrimi i mirëfilltë është një proces i përbashkët në Zvicër.
Kështu deklaron doktori me prejardhje nga Kosova, Mentor Bilalli.
Mentori flet me shumë dashuri për profesionin, por këtë herë në një intervistë për albinfo.ch është fokusuar në integrimin e komunitetit shqiptar nga këndvështrimi i një mantelbardhi kosovar i shkolluar në Zvicër.
Ai deklaron se n pozita e komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane nuk është për t’u dëshiruar.
Doktori me prejardhje nga Gjilani thotë se për imazhin e keq të shqiptarëvë ka ndihmuar edhe vetë komuniteti shqiptar në Zvicër.
Nga ana tjetër, sa shqiptar po edhe aq zviceran thotë të ndjehet Dr. Bilalli, por pa i anashkaluar lidhjet e forta që i ka me vendlindjen.
Doktori foli në këtë intervistë edhe rreth asaj se përse është privilegj të rritesh dhe të shkollohesh në vendin helvetik. Por, ai është gjetur edhe në situata të palakmueshme kur ka dëgjuar nga një pacient se i ruan qentë e rrezikshëm vetëm për shqiptarët. Megjithatë, ai ndjehet mirë si mjek me prejardhje të huaj, sidomos kur i trajton pacientët shqiptarë.
„Në sytë e pacientëve shqiptarë shkëlqen krenaria dhe gëzimi duke komunikuar në gjuhën tonë të bukur“, thotë në këtë intervistë për albinfo.ch mantelbardhi nga Kosova, Mentor Bilalli.
albinfo.ch: Sa e doni me zemër profesionin e mjekut, kur dihet që puna në spital të ofron mundësinë që të takosh njerëz të kulturave të ndryshme si dhe njerëz të të gjitha shtresave, sepse sëmundja nuk pyet se kush je dhe prej nga vjen.
Dr.Mentor Bilalli: Që në fëmijëri e kam çmuar profesionin e mjekut dhe deri më tani i kam mbetur besnik vizionit tim. Është kënaqësi dhe ndjenjë e papërshkruar që të jesh pranë dhe në mbështetje të njeriut kur ai më së shumti ka nevojë për ty. Dhe më në fund e çmoj lart që në profesionin tim individi është prioritar pavarësisht prejardhjes, ngjyrës së lëkurës, racës apo përkatësisë fetare.
albinfo.ch: Por, në të njëjtën kohë ju takoni edhe bashkatdhetarët tuaj dhe a keni arritur të zbuloni kulturën tuaj të origjinës nëpërmes pacientëve shqiptarë apo nëpërmes lidhjeve që i keni me Kosovën?
Dr.Mentor Bilalli: Megjithëse jam rritur në Zvicër, për fat të mirë prindërit dhe familja ime më kanë edukuar me vlerat dhe traditat shqiptare. Në të njëjtën kohë duhet cekur gjithashtu në këtë drejtim lidhjen time të sinqertë me Kosovën, me familjen dhe miqtë e mi atje. Kontakti si mjek me bashkatdhetarët këtu në mërgim e rrumbullakon dashurinë ndaj atdheut.
albinfo.ch: Çfarë ndjenje është të jesh mjek me origjinë të huaj në Zvicër?
Dr.Mentor Bilalli: Pasi jam rritur këtu në Zvicër, jam i integruar dhe flas gjuhën e vendit, pa përjashtim, vetëm në raste të rralla nuk e ndjej veten të huaj kur jam në krye të detyrës. E ndjej vetën në përgjithësi tepër mirë si mjek, sidomos kur kam të bëj me pacientë shqiptarë dhe e shoh që në sytë e tyre shkëlqen krenaria dhe gëzimi duke komunikuar në gjuhën tonë të bukur. Në anën tjetër, në raste shumë të rralla është ndjenjë e mërzitshme dhe e befasueshme kur në Zvicër fatkeqësisht ende ka njerëz që aq i duan shqitarët saqë ua lëshojnë qentë e rrezikshëm.
albinfo.ch: Për ju që jeni rritur këtu, integrimi dhe njohja e kulturës është një proces i lehtë. Çfarë trajtimi keni nga kolegët zviceranë si mjek kosovar? Çfarë perceptimi kanë ndaj shqiptarëve nga përvoja juaj si mjek?
Dr.Mentor Bilalli: Fatmirësisht si në shkollën e mesme, ashtu edhe në fakultet dhe gjatë punës në spitale të ndryshme e kam pasur fatin që ndër kolegët e mi të kenë qenë njerëzit intelektualë. Për këtë arsye trajtimi i tyre ishte shumë kolegial dhe shoqëror dhe në nivelin e duhur. Këto kategori njerëzish e vlerësojnë individin si njëri pa paragjykime dhe në rastin tim, pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë fetare. Anasjelltas është perceptimi që unë si shqiptar jam vetëm një shembull i vogël si te çdo popull tjetër. Ndërsa pjesa dërmuese e shqiptarëve janë njerëz me plot merita.
albinfo.ch: Çka mendoni për të tjerët shqiptarë që nuk janë rritur këtu dhe që shumë pak janë të integruar, ku është problemi?
Dr.Mentor Bilalli: Integrimi i mirëfilltë është një proces i përbashkët! Nga njëra anë, personi që ka dëshirë për t’u integruar, në anën tjetër, mikpritësit që e mundësojnë integrimin. Në Zvicër sigurisht mundësitë dhe rrethanat për integrim mund të jenë edhe më të mira, por besoj që janë në nivel. Një nga pengesat më të theksuara për integrimin e bashkatdhetarëve tanë është sigurisht mosnjohja e duhur e gjuhës, mundësitë e tyre të kufizuara për shkollim dhe punësim, dhe sigurisht kontaktet më të rralla me shoqërinë joshqiptare.
Megjithëse duhet të kemi parasysh se është më vështirë të integrohet njeriu i cili nuk është rritur këtu, por sidoqoftë pasi e shohim të ardhmen këtu, ne duhet të synojmë integrimin e mirëfilltë, ngase kjo është për të mirën e të dyja palëve dhe e vetmja rrugë për një bashkëjetesë multikulturore me një vend sikur Zvicra.
albinfo.ch: Çfarë imazhi kanë bashkatdhetarët tuaj në Zvicër, kush ka kontribuar për imazhin e keq të tyre?
A bëhet trajtimi selektiv i tyre nga shoqëria zvicerane dhe mediat, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët që bëjnë punë të mira me ata që kryejnë punë të thjeshta?
Dr.Mentor Bilalli: Fatkeqësisht imazhi i bashkatdhetarëve tanë këtu në Zvicër lë shumë për të dëshiruar dhe nuk e pasqyron aspak realitetin që jemi një popull me plot merita.
Për të krijuar një imazh të keq gjithmonë luajnë dy anë rolin e tyre. Dhe në këtë drejtim, sigurisht edhe bashkatdhetarët tanë e kanë dhënë kontributin e tyre. Burimet kryesore duhen të diskutohen në faktin se në cilën mënyrë ndodhi imigrimi i shqiptarëve në vitet 90-a. Gjendja politike në Kosovë me gjithë problematikën dhe fatkeqësitë që u ushtruan ndaj popullit tonë në një mënyrë është reflektuar gjithashtu edhe te do bashkatdhetarë tanë këtu në Zvicër, që sjellja e tyre ndikoi negativisht në imazhin e shqiptarëve në vendin ku po jetojmë tani.
Fatkeqësisht integrimi i disa personave shqiptarë ka dështuar, ngase ata ende në kurriz të popullit tonë merren me trafikim të drogës, bëjnë akte kriminale dhe keqpërdorin shtetin social të Zvicrës. Nga ana tjetër, duhet theksuar kontributin e të tjerëve, në këtë rast jo të shqiptarëve. Në vend se këta persona të shihen së pari si njerëz kriminelë, pavarësisht prejardhjes dhe të dërgohen në gjykatën e duhur për të marrë dënimin e merituar, po trajtohen fillimisht si shqiptarë, dhe kjo dukuri imponon në publik që shumica e shqiptarëve qenkan kështu. Dhe në këtë mënyrë bëhet gjeneralizim i gjithë shqiptarëve me një imazh të keq. Kjo ndikon gjithashtu te njerëzit me një horizont jo aq të lartë që mundohen të diskriminojnë shqiptarët me pak suksese.
Për të ndryshuar në të ardhmen këtë dukuri negative, duhet që të investojmë maksimalisht në integrimin e mirëfilltë, ku të dyja palët duhet të luajnë rolin e tyre. Integrimi është çelësi i suksesit.
Duke pasur parasysh që jemi një popull me shumë merita dhe Zvicra është një shtet multikulturor dhe që i mbron fuqimisht të drejtat njerëzore, kemi shumë arsye që të jemi optimistë në këtë drejtim dhe vetëm është pyetje kohe deri sa imazhi i shqiptarëve këtu në Zvicër do të jetë aq pozitiv sikur i italianëve.
albinfo.ch: Nëse jemi 200 deri 300 mijë shqiptarë, a do të duhej të kishim më shumë mjekë, avokatë etj. Pse duhet t’i numërojmë në gishta kuadrot tona shqiptare në Zvicër dhe të krenohemi me ta?
Dr.Mentor Bilalli: Në krahasim sa shqiptarë jemi këtu në Zvicër, për fat të keq ende jemi pak kuadro të edukuara me një shkollë të lartë. Duke pasur parasysh se cila pjesë e popullit shqiptar e ka ndjekur fatin në mërgim dhe cilët kanë qenë qëllimet e gjeneratës së parë, arsyetohet kjo dukuri.
Synimet e gjeneratës së parë, të cilët edhe kanë qenë në përgjithësi nga trevat me kushte materiale të kufizuara, ishin që të ndjekin fatin në mërgim vetëm pëkohësisht për disa vite për të krijuar kushte themelore për një të ardhme më të mirë në vendlindje. Çka do të thotë që mundësitë ishin të vështira dhe ashtu nuk iu kanë kushtuar aq shumë integrimit apo shkollimit të tyre këtu në diasporë. Por, fati deshti ndryshe, situata në vendlindje vetëm sa ishe duke u keqësuar, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe politik. Bashkimi familjar në pjesën dërmuese është bërë me vonesë dhe në moshën jo të favorshme për gjeneratën e dytë. Kështu që edhe gjenerata e dytë i kishte vështirësitë e saj për një integrim dhe shkollim të mirëfilltë.
Por, fatmirësisht e kemi kuptuar që integrimi dhe shkollimi është shumë i rëndësishëm me tendenca që shkojnë në favorin tonë. Në të ardhmen do të jetë shumë normale që spitalet do të mbushen me mjekë shqiptarë, gjykatat me avokatë dhe bankat me ekonomistë shqiptarë.
albinfo.ch: Një njeri i formuar intelektualisht nuk do ta zbehte asnjëherë dashurinë për atdheun, por nuk do të lëshonte as rastin që të njihet edhe me kulturën dhe traditën e vendit ku jeton, por ekziston droja që për gjeneratën e dytë dhe të tretë të mos jetë atraktive më vendi i origjinës?
Dr.Mentor Bilalli: Ne jemi shqiptarë dhe për këtë duhet ta ndjejmë veten të priviligjuar se kemi shumë arsye. Gjithashtu duhet të vlerësohet si privilegj që patëm fatin të rritemi, të shkollohemi dhe të avancohemi këtu në Zvicër. Gjenerata e parë dhe pjesërisht e dyta ishte ballafaquar me sfidat për integrim këtu në diasporë. Në fakt, gjenerata e dytë ia ka filluar që ta ndjente veten gjithashtu edhe si zviceranë pa e anashkaluar prejardhjen. Këtë ne duhet ta pranojmë si shoqëri dhe ta përkrahim, përndryshe do të humbim shumë bashkatdhetarë tanë të suksesshëm. Për momentin, sfida jonë më e madhe si shoqëri shqiptare është gjenerata e tretë që sapo janë duke u rritur këtu në Zvicër. Si kurrë më parë është në duart tona e ardhmja e tyre dhe e njonja si komunitet shqiptar këtu në Zvicër. Ne si shoqëri e kemi obligim moral që të investojmë maksimalisht për integrimin e mirëfilltë të fëmijëve tanë, por gjithmonë pa e anashkaluar edukatën, traditat dhe vlerat shqiptare. Shkurt, ne si popull shqiptar në diasporë duhet të bëjmë gjithçka për një integrim të mirëfilltë, por të bëjmë çmos që integrimi të mos përfundojë në asimilim.
albinfo.ch: Sa shqiptar, po aq edhe zviceran ndjeheni, apo njëra është më shumë se tjetra?
Dr.Mentor Bilalli: Unë kam lindur si shqiptar dhe si shqiptar do të vdes! Këtë e çmoj si privilegj Por, vetëkuptohet si çdo shqiptar që e ka pasur fatin si unë që është rritur dhe shkolluar këtu në Zvicër e ndjej veten gjithashtu edhe si zviceran. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, por vetëm është realiteti ynë dhe i gjeneratave të tjera që vijnë pas nesh.
albinfo.ch: A rrini me shqiptarë më shumë apo me zviceranë?
Dr.Mentor Bilalli: Vetëm fakti që shumë kohë e kaloj në profesion, më imponohet për arsye të mungesës së kuadrove shqiptare në shëndetësi që më shumë të shoqërohem me zviceranë se me shqiptarë. Në fakt, edhe nganjëherë më shumë se me familjen apo të dashurit e mi. Në kohën e lirë vetëkuptohet që mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht me familjen, shokët e mi, qofshin shqiptarë apo të nacionaliteteve të tjera.
Mentor Bilalli është me prejardhje nga Breznica, komuna e Bujanocit, por jeton prej vitesh në Gjilan. Në moshën 4-vjeçare kishte migruar në Zvicër. Shkollën fillore e ka të kryer në Reiden të Kantonit të Lucernit. Gjimnazin e ka përfunduar në Sursee, gjithashtu në Kantonin e Lucernit. Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar pas 6 vjetësh studime në vjeshtë të vitit 2008 në Universitetin e Baselit.
Pas 3 vjetësh specializim në kirurgji (kirurgjia e përgjithshme dhe abdominale, në spitalin kantonal në Olten të Kantonit të Solothurnit dhe në Urologji në spitalin universitar të Bernës (Inselspital) aktualisht është në specializim e sipër në mjekësinë interne në Klinikën universitare në Aarau.
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel