Kosova

Flamuri i Kosovës përkrah atij kombëtar te Rrethi në Prishtinë

Flamuri i Kosovës ka qenë aty më herët, derisa ishte zëvendësuar me atë kombëtar, pasi Shpend Ahmeti fitoi në Prishtinë

Departamenti i Protokollit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, nesër do ta vendosë flamurin e Republikës së Kosovës te Rrethi në Prishtinë.

Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka bërë me dije se flamuri i Republikës së Kosovës do ta valojë përkrah atij kombëtar pasi të vendoset edhe një shtizë, përcjell albinfo.ch.

Flamuri i Kosovës ka qenë aty më herët, derisa ishte zëvendësuar me atë kombëtar, pasi Shpend Ahmeti fitoi në Prishtinë.

Ahmeti ka thënë se çështja e vendosjes së flamurit nuk është në kompetencën e tij. Ditë më parë në rrjetet sociale është përhapur një iniciativë që të vendoset flamuri i Kosovës te Rrethi në Prishtinë për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Konform ligjit nr 03/L-132, është kërkuar nga protokolli i shtetit ta zbatojë ligjin sipas kompetencave të tij dhe të bëjë vendosjen e flamurit shtetëror me rastin e festës shtetërore. Pra, do të vendoset edhe një shtizë te rrethi kryesor i Prishtinës, me parametra adekuate”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.