E-Diaspora

Flaka Goranci fillon turneun me “Lulet shqiptare”

Pas prezantimit të albumit “Albanian Flowers” (Lulet shqiptare) në maj të këtij viti në Vjenë të Austrisë,  Mezzossoprano-ja  e njohur nga Kosova, Flaka Goranci, do të nisë turneun artistik për të promovuar këngët e saj të reja në viset shqiptare dhe në Zvicër. Bashkë më ansamblin “Dielli” turneun do ta fillojë më 16 tetor në Tiranë, për të vazhduar më 6 nëntor në Prishtinë, më 7 nëntor në Gjakovë si dhe më 6 dhjetor në Cyrih.

“Më vjen mirë që do të fillojmë më Tiranën në Teatrin e Operës dhe Baletit, aty ku unë u shkollova dhe debutova me rolin e Rosines. Pastaj do të shkojmë në Prishtinë në “Swiss Diamond Hotel”, ku jeton edhe familja ime. Një ditë më pas do të jemi në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, në vendin tim të lindjes si dhe do ta përfundojmë turneun në Cyrih të Zvicrës, në shtetin ku kemi përqindjen më të madhe të shqiptarëve”, thotë Flaka për albinfo.ch.

CD-ja “Albanian Flowers” është një prodhim austriak nga kompania internacionale “Gramola” dhe mund të blihet online në gjithë tregun internacional, ndërsa pas koncertit mysafirët do të kanë rastin ta blejnë po ashtu CD-në më një çmim special.

Albumi “Albanian Flowers” përmban 11 këngë të përzgjedhura nga zona të ndryshme shqiptare, si: “Martesa jonë”, “Më fal atë buzëqeshje”, “Margjelo”  dhe bashkë me albumin përfshihet edhe një “Booklet” me tekstet e këngëve të përkthyera në gjuhën gjermane dhe angleze. Gjithashtu aty janë publikuar foto nga Kosova dhe Shqipëria si dhe një përshkrim i muzikës shqiptare i shkruar me shumë mjeshtëri nga një studiues austriak i muzikës.

Albumi është vlerësuar deri tash shumë lartë nga kritika amerikane, austriake dhe ajo gjermane.  “Në koncertet promovuese do të interpretojmë këngët nga albumi si dhe do të këtë disa fjalime nga drejtuesit e institucioneve të cilët kanë përkrahur gjithë këtë projekt”, tregon Flaka

Ajo ndihet e lumtur dhe falënderuese që ky projekt është përkrahur nga shumë institucione nga Kosova, Shqipëria dhe Austria si:  Ministria e Kulturës në Kosovë; Ministria e Kulturës në Shqipëri, Ministria e Diasporës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjakovës, Ministria e Jashtme e Austrisë, Ambasada e Austrisë në Kosovë, Shoqata për Trashëgimi Kulturore në Kosovë, Teatri i Operës dhe Baletit në Shqipëri,

Swiss Diamond Hotel në Prishtinë dhe Banka Austria në Austri!

“Pa gjithë këtë mbështetje prodhimi i CD-së nuk do të ishte i mundur si dhe ky turne”, shprehet ajo për gazetën tonë.

Flaka njihet si një nga Mezzossoprano-t më të mira shqiptare të momentit, e cila gjatë viteve artistike ka pasur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ajo ka performuar si soliste me orkestra të njohura, si: Concentues Muzikus, Orkestrën e Operës Shqiptare, Das Salonorchester Bad Schallerbach, në Orkestren e Ramat Hasherom, Orkestrën simfonike të RTSH-së, Filarmoninë e Kosovës dhe të Maqedonisë, pjesë e shfaqjes “Le Nozze di Figaro” në Teatrin e Vjenës si dhe shumë suksese të tjera në vende të ndryshme të Evropës.