Integrimi
Fjalim dhe transparente në gjuhën shqipe për 1 Maj në Schaffhausen
Një e veçantë në manifestimet me rastin e Një Majit ka qenë paraqitja e përgjegjësit për migracion në Unia, Osman Osmani me fjalim edhe në gjuhën shqipe në Schaffhausen
Sot, për ditën ndërkombëtare të punës, gjithandej në Zvicër janë organizuar manifestime të punëtorëve, ku njëherësh është demonstruar për kushte më të mira të punës, për pensione dhe paga korrekte etj.
Një e veçantë në këto manifestime të mbajtura këtë vit me rastin e Një Majit ka qenë paraqitja me fjalim edhe në gjuhën shqipe nga tribuna festive në Schaffhausen. Këtu, Osman Osmani, përgjegjës për migracion në qendrën e sindikatës Unia, i cili njëherësh është edhe këshilltar në parlamentin e qytetit të Schaffhausen-it, ka folur para rreth njëmijë të tubuarve, në mesin e të cilëve ishte edhe një numër shqiptarësh.
Përveç fjalimit në gjuhën shqipe, në këtë manifestim një numër aktivistësh shqiptarë janë paraqitur edhe me transparente, ku kërkohet ndalimi i abuzimit të pasurisë shoqërore në Kosovë, duke iu referuar procesit të privatizimit që po ndodh atje.
Siç bën të ditur për albinfo.ch, Osmani në fjalën e tij, pasi ka njohur meritat e mërgimtarëve tanë në favor të të gjitha zhvillimeve në atdhe gjatë dekadave të fundit, ka vënë theksin në anashkalimin që ky komunitet po e përjeton, sipas tij, si nga institucionet e vendeve të prejardhjes ashtu edhe nga institucionet e venit nikoqir. Kjo për faktin se “Kosova është i vetmi shtet i dalë nga ish federata e Jugosllavisë në raport me të cilin nuk zbatohet Marrëveshja e sigurimeve sociale, marrëveshje kjo shumë e rëndësishme edhe për ruajtjen parakushteve për kthim të këtyre qytetarëve në vendet amë”, ka theksuar Osmani në fjalimin e tij.
Më tej ai është fokusuar edhe në ashpërsimin e ligjeve për të huajt, si trend që po vjen duke u rritur viteve të fundit në Zvicër. “Nga përkeqësimi në vazhdimësi i ligjeve për të huajt, posaçërisht për qytetarët që nuk vijnë nga shtetet e BE-së, këta të fundit janë të detyruar të jetojnë në ankth, se a do tu vazhdohet leja e qëndrimit në vendet pritëse, çka atyre edhe përkundër disa dekadave të punës u krijon vështirësi e pasiguri të përcjella edhe me probleme shëndetësore”, ka thënë Osmani në fjalimin e tij.
Në vazhdim ai ka bërë thirrje që komuniteti ynë të marrë mësim edhe nga traditat më të mira të vendit mikpritës, Zvicrës sa i takon organizimit për të realizuar të drejtat e tij legjitime. “Të angazhohemi bashkë për tu krijuar gjeneratave të ardhshme këtu dhe në mëmëdhe një të ardhme më të mirë dhe me perspektivë”, ka thënë veç tjerash Osmani në fjalën e tij të mbajtur në Schaffhausen në manifestimin e organizuar për nder të 1 majit, Ditës së Punës.
Nga autoritetet në nivel federal në manifestimet e sivjetme është paraqitur ministri i brendshëm i Zvicrës, Alain Berset që vjen nga Partia Socialdemokrate. Ai ka marrë pjesë në manifestimin e mbajtur në Biel/Bienne të Bernës. Ndërsa Paul Rechtsteiner, deputet nacional dhe njeiu numër një i Federatës së Sindikatave të Zvicrës (SGB) ka marrë pjesë në disa manifestime në pjesë të ndryshme të Zvicrës, të mbajtura para dhe pasdite.
Mediet zvicerane raportojnë se këtë vit nuk ka pasur provokime serioze, çfarë kanë ndodhur herë pas here vitet e kaluara. Në Cyrih, ku parakalimi tradicionalisht është më i madh dhe ku grupacioni ekstrem “Linksautonomen” është më aktiv, i gjithë manifestimi ka kaluar i qetë. Forcat e rendit megjithatë kanë qenë të stacionuara në pikat neuralgjike, aty ku pritej se mund të ndodhnin provokimet.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës