Shkurt.ch

FIMM kundër kushtëzimit të shtetësisë me vizën C

FIMM është qartazi për revizionimin e fitimit të shtetësisë zvicerane, por ky revizionim duhet të shkojë drejt lehtësimit e jo vështirësimit

Pas kundërshtimit që i bëri dje komisioni për politikë të shtetit, i Parlamentit Federal propozimit për rregullim të ri (ashpërsim) të fitimit të shtetësisë zvicerane nga të huajt, është paraqitur sot edhe Forumi për Integrim i migrantëve të Zvicrës (FIMM) me qëndrimin e tij.

FIMM është në mënyrë të qartë për revizionimin e fitimit të shtetësisë zvicerane, por ky revizionim duhet të shkojë drejt lehtësimit e jo vështirësimit. Për këtë arsye FIMM i kërkon Parlamentit të Zvicrës që të prezantojë një projektligj që do të lehtësonte dhe unifikonte procedurën për natyralizim të të huajve, thuhet në një kumtesë që kjo organizatë i ka dërguar portalit tonë.

FIMM është organizatë-çati që përfshin në vete shumë organizata migrantësh të Zvicrës. Ajo është partner i pranuar nga në fushë të integrimit dhe i përfaqëson interesat e të huajve në Zvicër. Është organizatë e pavarur, neutrale në aspektin politik dhe religjioz.

FIMM përshëndet propozimin e ministres Sommaruga për revizionimin e plotë të të drejtës së natyralizimit por ai është me vendosmëri kundër pjesës së propozimit që viza C të jetë kushti i patjetërsueshëm për të fituar shtetësinë e Zvicrës. Me këtë po privilegjohen edhe një herë qytatarët e vendeve anëtare të BE-së, të cilët sipas legjislacionit të sotëm vizën C mund ta marrin pas 5 vite qëndrimi në Zvicër, përkundër të tjerëve që duhet të presin 12 vjet.

Po kështu sipas FIMM vetëm posedimi i vizës C nuk është tregues i mjaftueshëm për shkallën e integrimit të dikujt. Me gjithë miratimin që i bën ky forum shkurtimit të propozuar të kohës për natyralizim nga 12 në 8 vjet, ai është i mendimit se nuk duhet të ketë ndërlidhje në mes të kohëzgjatjes dhe statusit por se duhet të fitojnë shtetësinë të gjithë ata që janë integruar mirë, pavarësisht nga vitet e qëndrimit në Zvicër.