Lajme

Filmi “Shpia e Agës” në Festivalin e Göteborg-ut

Filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës”, me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj, do të prezantohet në festivalin e filmit në Göteborg të Suedisë.

Ky festival mbahet nga 24 janari e deri më 3 shkurt.

“Shpia e Agës” sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë. Jeta e grave në film fillon me të qeshur, duke bërë shaka, kënduar e vallëzuar, mirëpo mbrapa këtij imazhi të lumtur fshihen akoma plagët dhe traumat që kanë këto gra. Burri i vetëm i shtëpisë në film është Aga (Arti Lokaj), një djalë 9-vjeçar. Ai kërkon vazhdimisht babën e vet për të cilin mendon se është hero dhe i burgosur në Serbi. Në mungesë të një roli, se si një burrë duhet të veprojë, Aga nxit shikuesit e filmit që të reflektojnë edhe mbi rolin e patriarkalit, shkruan koha.net, përcjell albinfo.ch.

“Shtëpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Rolet i luajnë: Art Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.

Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.