Lajme
Filmi në proces: “Shqipëria është Kosovë dhe Kosova është Shqipëri”
“Tematika e filmit është ndërthurja e fatit njerëzor dhe kombëtar në dy momente tragjike. Është i njëjti personazh që përjeton dy drama në jetë: Luftën në Kosovë në vitin 1999 dhe tërmetin në Durrës në vitin 2019”
“Shqipëria është Kosovë dhe Kosova është Shqipëri”. Kjo është ideja e filmit me metrazh të shkurtër që rrëfen historinë tronditëse të Hanës, e cila i mbijeton masakrës së familjes së saj nga forcat paramilitare serbe në vitin 1999. 20 vjet më pas plagët e luftës po fashiteshin, dhe Hana që kishte ndërtuar një jete të re përgatitet të udhëtojë për në Durrës në prag të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2019, plot 20 vjet nga tragjedia e familjes së saj në vitin 1999. Megjithatë mbërritja në Durrës pak orë para tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 do ta rikthejë dramën e luftës dhe tmerrin e tërmetit. A do t’i mbijetojë Hana edhe kësaj tronditjeje?
Ky është me pak fjalë subjekti i filmit me titull provizor “Shqipëria është Kosovë dhe Kosova është Shqipëri” që e ka nisur si projekt të sajin Anna Koxhaj, (Ariana Dervishi) artiste nga Shqipëria, me qëndrim në Itali dhe Britani të Madhe.
Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me znj. Koxhaj, ku ajo tregon hollësitë rreth realizimit të këtij projekti interesant.
Albinfo.ch: E nderuar zonja Koxhaj, Ju keni marrë përsipër një projekt interesant dhe mjaft ambicioz, xhirimin e një filmi artistik në Shqipëri dhe në Kosovë. Bazuar në konceptin e shkurtër që keni publikuar, duket një temë interesante. Megjithatë, na thoni, me pak fjalë për lexuesin, cila është tematika e këtij filmi?
Anna Koxhaj: Tematika e filmit është ndërthurja e fatit njerëzor dhe kombëtar në dy momente tragjike. Është i njëjti personazh që përjeton dy drama në jetë: Luftën në Kosovë në vitin 1999 dhe tërmetin në Durrës në vitin 2019. Ideja kryesore është se dramat nuk duhet ta përkulin njeriun dhe ne si shqiptarë jemi një, pavarësisht historisë që na ka ndarë përkohësisht, por nuk mund të na ndajë përjetësisht. Pra, nuk është thjesht personazhi kryesor që i përjeton këto dy drama të mëdha, por është një komb i tërë që i përjeton që të dyja këto momente tragjike sikur të ishte i njëjti person apo personazh.
Titulli i filmit mbetet provizor deri në momentin e fundit, por ideja që Kosovë dhe Shqipëri jemi Një dhe që shpëtimi na vjen nga njëri-tjetri është lejtmotivi i qartë i filmit.
Albinfo.ch: Ju jeni duke udhëhequr një fushatë sensibilizimi në mediat sociale për projektin e realizimit të filmit. Por në vetë filmin, cili është roli juaj?
Anna Koxhaj: Në film roli im është e aktores kryesore që përjeton të dy tragjeditë dhe njëkohësisht i përballon edhe pse me dhimbje të dyja. Natyrisht në rolin tim për vitin 1999 është një aktore tjetër që luan, por bëhet fjalë për të njëjtin personazh. Fushata e sensibilizimit është një mundësi jo vetëm për të mundësuar një mbështetje për realizimin sa më cilësor të idesë, por edhe për të nxitur frymën e bashkëpunimit komunitar mes nesh si shqiptarë.
Albinfo.ch: Nëse mund të thoni emra në këtë fazë, cilët janë ata? skenaristët, regjisori, aktorët kryesorë etj.
Anna Koxhaj: Zakonisht në këtë fazë nuk është praktikë që të jepen shumë detaje, por mund të them se aktorët kryesorë i kemi përzgjedhur tashmë, por janë disa role që jemi në fazën e kontakteve dhe përzgjedhjes. Skenari është shkruar me shumë kujdes dhe hollësi nga Prof. Ardian Muhaj, njohës shumë i mirë i historisë së Kosovës dhe në përgjithësi i historisë shqiptare, kurse regjia dhe realizimi është marrë përsipër nga enti i publikimit Ars & Academic Publishing me qendër në Tiranë.
Albinfo.ch: Realizimi i një filmi është një punë ekipore që do organizim por dhe mjete financiare. Si qëndroni ju nga ky aspekt?
Anna Koxhaj: Para së gjithash duhet shumë vullnet dhe besim se do ia dalësh. Padyshim që puna në ekip dhe bashkëpunimi është thelbësor ashtu sikurse mjetet e duhura financiare. Për momentin kemi mundur të realizojmë një pjesë të konsiderueshme të xhirimeve përmes kontributeve private nga njerëz vullnetmirë dhe që e kanë konsideruar kënaqësi këtë kontribut për një tematikë dhe nismë të tillë. Pjesë e kësaj është edhe fushata publike që kemi ndërmarrë, pikërisht për të mos e lënë idenë dhe nismën që të mbetet e parealizuar për shkak të mungesës së financimit.
Albinfo.ch: Keni mjetet e nevojshme për projektin, keni ndonjë sponsor ose si mendoni ta përballoni financiarisht realizimin e filmit?
Anna Koxhaj: Kemi njerëzit e duhur së pari, kemi qëllimin e mirë dhe të qartë, kemi dëshirën e madhe për të realizuar diçka që të përçojë një ide madhështore, e cila të mbetet në mendjen e shikuesit. E kemi nisur punën dhe i kemi vazhduar xhirimet me mundësitë dhe mbështetjen e njerëzve vullnetmirë. Shpresojmë ta vazhdojmë dhe ta çojmë deri në fund me këmbëngulje dhe pasion.
Albinfo.ch: Na tregoni, deri ku keni arritur në këto momente: keni bërë xhirime (nëse po, sa dhe ku) apo ende ndodheni në fazën e përgatitjeve?
Anna Koxhaj: Padyshim që kemi bërë një pjesë të mirë të xhirimeve, në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk është e lehtë të rikrijosh skenat e një tragjedie, dhe aq më pak të dy tragjedive, por besoj se ia kemi dalë të realizojmë mjeshtërisht skenat që kemi xhiruar.
Albinfo.ch: Bashkëpunoni me ndonjë shtëpi filmike?
Anna Koxhaj: Sikurse e thashë bashkëpunojmë me entin e publikimeve Ars & Academic Publishing në Tiranë, por jemi të hapur dhe mirëpresim bashkëpunime dhe bashkëpuntorë të tjerë të interesuar.
albinfo.ch: Pasi filmi trajton ngjarje që zhvillohen në Kosovë dhe në SHqipëri, si e keni ndarë punën në aspektin Shqipëri – Kosovë. Keni në ekipin tuaj edhe pjesëtarë nga Kosova?
Anna Koxhaj: Natyrisht që kemi pjesëtarë nga Kosova, por nuk kemi bërë asnjë ndarje në aspektin Shqipëri-Kosovë, për vetë faktin se nuk është synimi ynë të bëjmë ndarje zonash por punësh dhe detyrash. Kështu që jemi një për sa i përket angazhimit dhe vullnetit për të sjellë në mënyrën më të mirë idenë dhe mesazhin madhështor të filmit.
Albinfo.ch: Keni ndonjë afat kohor që i keni dhënë vetes për ta përfunduar filmin?
Anna Koxhaj: Po. I kemi vënë vetes një afat kohor, por për ne ka rëndësi realizimi sa më cilësor i idesë.
Kush është Ariana Dervishi (Anna Koxhaj)
Ariana Dervishi (Anna Koxhaj) është lindur në Kuçovë, Shqipëri. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi franceze në Universitetin e Tiranës dhe ka qenë dëshmitare dhe aktive në ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri në fillim të viteve 1990. Që gjatë studimeve pasioni i saj për gjuhën dhe letërsinë franceze është gërshetuar me pasionin dhe angazhimin në aktivitete kulturore, në fushën e teatrit, përkthimeve letrare dhe angazhimit qytetar në bashkëpunim me institucione kulturore shqiptare dhe franceze. Jeton dhe punon mes Italisë dhe Britanisë së Madhe duke mos qenë asnjëherë e shkëputur nga Shqipëria, as shpirtërisht dhe as fizikisht. Ky është projekti i parë i saj në fushën e kinematografisë, pas projekteve në fushën e teatrit dhe përkthimeve.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?