Kinema

Filmi kosovar, në festivalin e Cannes

Në kërkim të bashkëprodhimeve dhe hapjes së mundësive të reja për filmin kosovar, Qendra Kinematografike e Kosovës edhe sivjet ka zënë vend në tregun e festivalit të Cannes.

Stenda e përbashkët e Kosovës për të tetën herë është vendosur në hapësirat e festivalit ndërkombëtar që mbledh yjet e kinematografisë në rivierën franceze.

 

Drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë për mediat kosovare se edhe sivjet qëllimi kryesor i këtij prezantimi mbetet hapja e dyerve të reja për filmbërësit, transmeton, albinfo.ch .

Në ekranin e festivalit prestigjioz të filmit do të shfaqet edhe filmi shqiptar “The Van”, pjesë e të cilit janë dy aktorët kosovarë, Afrim Muçaj dhe Arben Bajraktaraj.

Filmi i regjisorit Erenik Beqiri është në konkurrencë zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër.

Në tregun e festivalit të Cannes, Kosova edhe sivjet ndan hapësirën me Shqipërinë në stendën me numër 131.

Edicioni i 72-të i Festivalit të Filmit në Cannes është hapur mbrëmë me premierën e filmit “The Dead Don’t Die”, me regji e skenar të Jim Jarmuschit.