Kinema

Filmi dokumentar “Ullmar Qvick, ambasador i kulturës shqiptare në Suedi”

Më 23 prill 2019, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në përkujdesjen e Ambasadës së  Republikës së Kosovës në Tiranë, në  bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar  Tiranë u realizua premiera e filmit “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi” – Portret kulturor – Regjisore: Fitore Rubovci. Siç shkruhej në lajmërimin përkatës: 

“Ky film dokumentar i dedikohet albanologut suedez Ullmar Qvick, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas”.

Filmi dokumentar, me skenar të Fitore Rubovci, është realizuar dhe mbështetur në motivet e kryeveprës së Ullmar Qvick “Më shumë heroizma se sa grurë”, ku autori  përmes një këndvështrimi postmodern dhe europerëndimor i shtjellon arritjet dhe problemet kryesore aktuale, në të gjitha trevat shqiptare. 

Titrat e filmit janë në gjuhën angleze.

Në qendër të filmit është albanologu Ullmar Qvick, kurse rreth tij shfaqen e shprehen njohës dhe studiues të veprës së tij: shkrimtarë, gazetarë, artistë, mësues dhe intelektualë të tjerë të sferave të ndryshme në Suedi, Kosovë e Shqipëri, të cilët ndriçojnë emrin dhe veprën e Ullmarit si një ambasador i kulturës shqiptare në Suedi. 

Ata shprehen me sinqeritet, me fakte dhe argumente, përcjellin opinionin shumëvjeçar për jetën, veprën dhe personalitetin e albanologut Qvick, emri i të cilit përmblidhet bukur në siglën “Mik i Madh i Shqiptarëve”.