Lifestyle

Filmat nga Kosova nuk nominohen për “Oscar”

Organizatorët e ceremonisë “Oscar” për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje i kanë bërë të ditura nominimet për 9 kategori të ndryshme, më shumë se një muaj para se të zbulohen nominimet e plota të shpërblimeve prestigjioze “Oscar

Në mesin e kategorive të zbuluara janë edhe “Filmi më i mirë i huaj” dhe “Filmi më i mirë i shkurtër”, ku konkurronin edhe tri regjisoret kosovare, Blerta Zeqiri, More Raça dhe Lendita Zeqiraj. Ndër  të nominuarit më të përfolur në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” ishin ato të Lady Gagas e Bradley Cooperit, dhe Kendrick Lamar dhe SZA, shkruan albinfo.ch

Në mesin e 9 filmave të nomimuar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” nga 87 filmat konkurrentë, nuk përfshihet edhe filmin kosovar i regjisores Blerta Zeqiri, “Martesa”, i cili këtë vit pritej të hynte në listën e ngushtë të nominimeve, ku  janë filmat: “Roma” nga Alfonso Cuaron që e përfaqëson Meksikën, “Cold War” nga Polonia dhe filma të tjerë nga Libani, Japonia, Koreja e Jugut, Danimarka, Gjermania, Kazakistani e Kolumbia.

Po ashtu, anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencës, që e organizojnë këtë ceremoni prestigjioze të kinematografisë, e kanë publikuar listën e filmave të nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, dhe fatkeqësisht në këtë listë nuk kanë arritur të hyjnë as dy pretendentët e tjerë nga Kosova, “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj dhe “Ajo” nga More Raça.