Shkurt.ch

Fillon punën grupi për jetësimin e iniciativës për dëbim

Përfaqësuesit e SVP-së nuk janë pajtuar me anëtarët tjerë të grupit rreth parimit proporcionalitetit

Grupi punues i emëruar nga ministrja e drejtësisë Simonetta Sommaruga për të jetësuar iniciativën për dëbimin e të huajve kriminelë ka mbajtur dje takimin e tij të parë.

Në krye të grupit është profesori i të drejtës, Heinrich Koller, i cili është shprehur i kënaqur me angazhimin e anëtarëve nga SVP, partia që ka udhëhequr iniciativën, shkruan 20minuten.ch.

Ndërkaq, përfaqësuesit e kësaj partie nuk janë pajtuar me anëtarët tjerë të grupit rreth parimit proporcionalitetit, respektivisht vendosjes së lartësisë së masës ndëshkuese që do të jetë përcaktuese për dëbimin e të huajve.

Ata nuk pajtohen me katalogun e reduktuar të veprave penale, ku përfshihen vetëm deliktet e rënda. Në të kundërtën, anëtarët nga SVP angazhohen që edhe vepra “abuzim social” te futet në këtë katalog. Me këtë, të huajt që nuk prezantojnë të dhënat  e plota për të ardhurat e tyre ose i prezantojnë ato rrejshëm, pasi tu shpallet dënimi nga një gjykatë, do të mund të dëbohen nga Zvicra.

Grupi i punës planifikon që raportin e tij ta prezantojë në muajin qershor.