Lajme

Fillon “Festivali i Frankofonisë 2014” në Kosovë

Prej 19 deri më 29 mars do të mbahet edicioni i radhës së Festivalit të Frankofonisë 2014, që organizohet nga Ambasada e Francës në Prishtinë

“Festivali i Frankofonisë 2014”, në Kosovë do të ilustrojë pasurinë dhe diversitetin e kulturës frankofone, përmes ngjarjeve të shumta të propozuara nga ambasadat e Francës, Zvicrës, Luksemburgut, zyrës diplomatike belge dhe Aleancës Franceze”, është thënë në njoftimin e Ambasadës Franceze në Kosovë, lidhur me këtë festival, transmeton Kultplus.

Sipas organizatorëve, kjo festë frankofone do të shënohet edhe në qytete të tjera, pos Prishtinës, si: Leposaviq, Gjakovë, Prizren, duke përfshirë rryma të ndryshme të artit, sikurse: koncerte të jazz-it, pjesë teatrale, debate, filma, literaturë, sport dhe zbulime kulturore.

“Gjatë gjithë festivalit, pjesëmarrja e artistëve dhe e akademikëve me origjinë të larmishme (Mirush Kabashi, Bojan Z, Laurent Mareschal, Guérassim Dichliev, Jean René Klein, Driton Kajtazi, Jean-Paul Champseix) do të dëshmojnë lidhjet e forta që bashkojnë Evropën dhe Ballkanin”, thuhet më pas në njoftimin e ambasadës.

Në anën tjetër, sipas programit të këtij festivali, thuhet se ky edicion do të nisë me Leposaviqin, pikërisht në Qendrën e Kulturës, ku do të jetë një koncert i muzikës jazz me performancë të Bojan Z në piano dhe Julien Lourau në saksofon, me fillim në orën 19:00.

Kurse më 20 mars, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku vlerësohet të jetë edhe hapja zyrtare e këtij edicioni, do të shënohet me spektaklin pantomimë “Monolog me valixhe”, të Guerassim Dichliev që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në ora 19:00.

Festa më pas vazhdon më 21 mars, në amfiteatrin e vogël të Universitetit të Prishtinës, ku nëpërmjet konferencës së Jean Rene Klein, profesor francez do të debatohet mbi frëngjishten e Belgjikës në orën 14:00 dhe në të njëjtën ditë, në shtëpinë e kulturës “Xhemajl Berisha” Prizren do të prezantohet spektakli pantomimë “Monolog me valixhe”, në orën 17:00. Kurse po më 21 mars, në Teatrin “Oda” në Prishtinë, do të bartet koncerti i muzikës jazz të Bojan Z dhe Julien Lourau, në orën 20:00.

Ndërkohë, më 22 të këtij muaji, në Amfiteatrin e Vogël të Universitetit të Prishtinës, në orën 10:00 do të mbahet seminar në Departamentin e Gjuhës Frënge, në kuadër të UP-së.

E hëna e javës së ardhshme këtë festë do të nisë me shfaqjen e filmave francezë në Qendrën për Kulturë në Leposaviq në orën 19:00, për të vazhduar më pas më 25 mars, në Modelarium, në orën 18:00, ku do të organizohet një debat në bashkëpunim me Galerinë e Arteve të Kosovës, ku do të jenë të pranishëm Laurent Maraeschal dhe Marlen Rigler, artistë francezë.

26 marsi i Javës frankofone do të sjellë në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë pjesën teatrale të shkrimtarit francez, Eriz Emmanuel Schmitt, “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, e adaptuar dhe performuar nga aktori i madh shqiptar, Mirush Kabashi, me fillim në orën 19:00, për të vazhduar më 27 mars, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku do të bëhet prezantimi i veprës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, nga profesori i Universitetit të Parisit, Jean Paul Champseix, ngjarje kjo që do të fillojë në orën 14:00.

Në të njëjtën ditë, në teatrin “Oda”, në orën 20:00 do të shfaqet një pjesë teatrale e Driton Kajtazit, “Monsieur Guri Ura, I’etranger d’ici”, nga teatri shqiptar “Kurora”, të Nyon të Zvicrës.

Për të vazhduar kjo javë franceze edhe me aktivitete sportive dhe lojëra, ngjarje kjo që do të mbahet në “Nëna Terezë”, amfiteatër, aktivitet i quajtur “Sporti pa kufij”, në orën 14:00, ndërkaq në mbrëmje, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të prezantohet shfaqja e Mirush Kabashit.

Dita e fundit e Javës frankofone që i bie të jetë më 29 mars, do të shënohet me prezantimin e filmave francezë, ku do të jepen në disa termine, prej orës 15:00 deri në orën 21:00.

Sipas njoftimit të ambasadës, të gjitha aktivitetet mund të përcillen falas, përpos shfaqjes “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, të sjellë nga Mirush Kabashi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, biletat e së cilës qysh tashti janë në shitje.