Kosova

Së shpejti, sistemi i pagesave elektronike në autostrada

Për 20 ditë qytetarët nëpër pikat pagesore rrugore mund të paguajnë përmes kartelave elektronike të ashtuquajtura kartela “smart”. 

Sistemi i ri i pagesës elektronike është në fazën e fundit. Në fillim pagesa do të mund të bëhet edhe me para në dorë, edhe në mënyrë elektronike. 

Pas test periudhës, të gjithë, edhe udhëtarët e vendit, edhe të huajt, patjetër duhet të kenë kartela smart, shkruan AlsatM, përcjell albinfo.ch.

Ato do të ndahen falas, ndërsa do të mbushen me para në të gjitha pikat pagesore, nëpër pompa të benzinës, nëpër vendkalimet kufitare dhe online. 

Pagesë të këtillë elektronike për momentin kanë vetëm 5 pika pagesore, ndërsa nga qershori, me fillimin e sezonit turistik, në mënyrë elektronike do të mund të paguajnë të gjitha automjetet që kalojnë nëpër Korridorin 10, respektivisht nga Bllaca deri në Bogorodicë.

“Në pikat pagesore në Ramanli, Sopot, Otovicë, Petrovec dhe Milladinovc, mendoj se do të mundet për 15 ditë, ndërsa kur thatë nga Tabanovci në Gjevgjeli për një muaj, do të duhet të presim një muaj e gjysmë të përfundojë ndërtimi i pikës pagesore në Gradsko”, tha Zoran Kitanov, drejtor i Agjencisë së rrugëve.

Ndryshe, të dyja pikat pagesore në autostradën e re Demir Kapi- Smokvicë po ndërtohen me intensitet të shpejtuar. Në maj do të jetë gati ajo në Gjevgjeli, ndërsa në qershor pika pagesore në Demir Kapi. 

Sistemi i pagesave elektronike në pikat pagesore do të mbikëqyret nga Qendra e re për mbikëqyrje dhe kontroll të qarkullimit, e cila pritet të jetë gati për rreth 20 ditë. Nga kjo qendër, përveç pikat pagesore, do të mbikëqyren edhe të gjitha autostradat në vend dhe në këtë mënyrë do të evitohen kolonat nëpër autostrada.

“Dua të theksoj se investimi është 18.6 milionë euro dhe pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në këtë objekt, i njëjti do të vihet në funksion, gjegjësisht do të vihen në funksion pikat pagesore elektronike përgjatë Korridorit 10”, pohoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Në autostradën e re Milladinovc- Shtip, e cila së shpejti pritet të lëshohet në përdorim, në fillim vozitja do të jetë pa pagesë, pasi të dyja pikat e pagesës në këtë rrugë duhet të ndërtohen. Pagesë e plotë elektronike në të gjitha pikat pagesore pritet deri në fund të vitit, kur do të përfundojë modernizimi i pikave pagesore përgjatë Korridorit 8, shkruan AlastM, përcjell albinfo.ch.