Shkurt.ch

Filloi punimet legjislatura e re e Parlamentit të Zvicrës

Kryetare e Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, me 159 nga 197 votat e vlefshme është zgjedhur Christa Markwalder nga FDP

Pasditen e sotme ka filluar punimet legjislatura e re e Parlamentit të Zvicrës, e dalë pas zgjedhjeve të mbajtura më 18 tetor të këtij viti. Deputetët e rinj të Dhomës Nacionale dhe asaj të kantoneve janë takuar sot për herë të parë në ndërtesën e parlamentit ku dhe kanë dhënë betimin.

Punimet e kësaj legjislature, të 50-tës me radhë nga viti 1850 e këndej, i ka hapur deputeti me përvojë më të gjatë në parlament, Luzi Stamm nga SVP (AG). Ai në fjalën e tij u ka tërhequr vërejtjen deputetëve të mos e humbin kontaktin me realitetin. Ndërsa deputetja më e re, 27 vjeçarja Lisa Mazzone nga të Gjelbrit (TI) ka mbajtur po ashtu një fjalim, pas të cilit të gjithë deputetët kanë bërë betimin ceremonial.

Nga 200 deputetët e kësaj legjislature 54 janë të rinj, gjegjësisht ndodhen për herë të parë në parlament.

Kryetare e Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, me 159 nga 197 votat e vlefshme është zgjedhur Christa Markwalder nga FDP.