Kosova

Filantropi shqiptar nderohet nga Donald Trump

Filantropi shqiptar, Ramiz Tafilaj, është nderuar nga Shtëpia e Bardhë për punën e palodhshme për shqiptaro-amerikanët dhe për përkushtimin e tij për ta bërë botën vend më të mire.

Në letrën e tij, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi Ramiz Tafilajn për përkushtimin e tij për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë, njofton Klan Kosova, përcjell Albinfo.ch. 

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”.

“Në emër të një Kombi mirënjohës, ju falënderoj për shërbimit tuaj jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerikanë dhe atyre që më së shumti kishin nevojë… Keni siguruar vazhdimësinë e përkushtimit të pashoq të Amerikës për të përmirësuar jetët e të tjerëve”.

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) është shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

Tafilaj ka mërguar në SHBA gjatë vitit 1973 dhe njihet si veprimtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe Ballkan, njofton Klan Kosova, përcjell Albinfo.ch.

“Ai ka sponsorizuar mbi 100 studentë shqiptarë dhe nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve kanë banuar në shtëpinë e tij”.

“Në fundvitet 1980, ai ua bëri të qartë Shteteve të Bashkuara domosdoshmërinë për ta përkrahur Kosovën dhe për të themeluar një parti demokratike, që sot është Lidhja Demokratike Kosovës”.