Kosova

FIFA nis masa disiplinore kundër Serbisë, shkas harta e Kosovës me ngjyra të Serbisë

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka njoftuar të shtunën se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.

Imazhi i flamurit me mesazhin “nuk dorëzohemi” në serbisht, u bë virale në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Hajrulla Çeku, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, shkruan Reuters.

“Komiteti disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamuri të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi”, thuhet në një deklaratë.

Procedurat u hapën në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës FIFA 2022.

Kosova u bë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në vitin 2016, tetë vjet pasi vendi shpalli pavarësinë.