Futboll

FIFA gjobit FSHF-në, më pak tifozë në tribuna në ndeshjen kundër Serbisë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është ndëshkuar nga FIFA pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Shqipërisë dhe Andorrës, e zhvilluar më 24 mars në stadiumin “Arena Kombëtare”, shkruan albinfo.ch.

Në një komunikatë zyrtare, FSHF njoftoi se Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka gjobitur federatën me 20 mijë franga zvicerane për shkak të sjelljes diskriminuese të tifozëve shqiptarë. Përveç gjobës financiare, FIFA ka urdhëruar që të paktën 20% e stadiumit të mbyllet në ndeshjen e radhës të Shqipërisë në kuadër të kompeticioneve ndërkombëtare të FIFA-s, me fokus në tribunat pas portave.

Sipas vendimit të FIFA-s, hapësirat e mbyllura mund të plotësohen me përfaqësues të komuniteteve apo organizatave që angazhohen kundër diskriminimit, me miratimin paraprak të institucionit ndërkombëtar të futbollit. Gjithashtu, FSHF ka afat 6 muaj për të përgatitur dhe paraqitur një plan të përmirësuar kundër diskriminimit, i cili duhet të marrë aprovimin e FIFA-s.

Federata u ka bërë thirrje tifozëve të vijojnë mbështetjen për Kombëtaren në mënyrë qytetare dhe pozitive, duke shmangur çdo sjellje që mund të dëmtojë imazhin e ekipit kuqezi.

“FSHF mbetet në pritje të udhëzimeve të FIFA-s për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi,” përfundon komunikata zyrtare, transmeton albinfo.ch.