Shqipëria
Festohet Dita Kombëtare e Zvicrës në rezidencën e Ambasadores në Shqipëri
Ambasadorja Ruth Huber iu drejtua mbi 230 të ftuarve dhe partnerëve në pritjen për të shënuar Ditën Kombëtare të Zvicrës – disa ditë përpara datës zyrtare më 1 gusht.
Dita Kombëtare e Zvicrës u festua edhe në Shqipëri me pritje solemne nga ambasadorja Huber, shkruan albinfo.ch.
Në festën e sivjetme të Ditës Kombëtare të Zvicrës, përfaqësues nga komuniteti diplomatik, nga qeveria kombëtare dhe ajo vendore, si dhe nga shoqëria civile dhe media, iu bashkuan pritjes në rezidencën zvicerane, e cila përfshinte një performancë surprizë në alphorn dhe shijimin e rakletës tradicionale.
Në fjalimin e saj, ambasadorja Huber theksoi rëndësinë e Samitit për Paqen në Ukrainë të organizuar së fundmi nga Zvicra dhe rëndësinë e Konventave të Gjenevës që shënojnë 75-vjetorin.
Fjala e plotë e Ambasadores Huber:
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Deputetë, kryetarë të bashkive,
Kryetarë të komuniteteve fetare,
Të nderuar ambasadorë dhe anëtarë të trupit diplomatik
Të nderuar partnerë, të ftuar dhe miq të Zvicrës,
Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë ju.
Të dashur bashkëqytetarë zviceranë: grüezi mitenand, bienvenus, benvenuti, mirë-se-erdhët!
Kremtimi i festës kombëtare në fakt duhet të jetë 1 gushti, që është data zyrtare. Por kjo do të ishte në kulmin e sezonit të pushimeve dhe të motit të nxehtë dhe për këtë arsye ne e organizojmë atë pak më herët në korrik, pasi duam ta ndajmë me të gjithë ju. Dhe mendoj se jemi mjaft me fat me kushtet sonte.
Zvicra dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të ngushta dhe miqësore. Ne kemi harmonizim të mirë edhe në angazhimet tona ndërkombëtare dhe politikën e jashtme – siç tregohet qartë gjatë mandateve tona përkatëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Dëshiroj të nënvizoj dy ngjarje të spikatura nga Zvicra gjatë vitit 2024. Ato gjithashtu tregojnë qartë disa karakteristika dhe prioritete të rëndësishme të politikës së jashtme zvicerane:
Së pari është Samiti për Paqen në Ukrainë, i mbajtur në malin Bürgenstock në Zvicrën qendrore në mes të qershorit. Samiti u provua si një platformë e vlefshme dhe e nivelit të lartë për dialog. Ishte një hap i parë në procesin drejt paqes dhe bëri thirrje për hapa dhe veprime praktike për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë që Shqipëria u përfaqësua në një nivel kaq të lartë, me pjesëmarrjen e Presidentit Begaj.
Ngjarja e dytë që do të doja të veçoja janë përvjetorët e Konventave të Gjenevës. Kanë kaluar 75 vjet që kur komuniteti ndërkombëtar miratoi katër Konventat e Gjenevës [më 12 gusht 1949]. Dhe janë 160 vjet që nga Konventa e parë e Gjenevës e 22 gushtit 1864.
Pse janë të rëndësishme këto konventa?
Jemi dëshmitarë të një konteksti politik të ndërlikuar global. Në mbarë botën aktualisht ka më shumë se 100 luftëra dhe konflikte që shkaktojnë nivele të paimagjinueshme të vuajtjeve njerëzore.
Konventat e Gjenevës përcaktojnë rregulla dhe kufij në situata konflikti, duke synuar mbrojtjen e njerëzimit nga ndikimet e luftës dhe mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të çdo individi.
Konventat e Gjenevës janë ratifikuar botërisht dhe pas 75 vitesh, ato janë më të rëndësishme se kurrë!
Unë personalisht kam shërbyer si delegate e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në zona të ndryshme konflikti dhe kam parë me sytë e mi se si Konventat e Gjenevës mund të mbrojnë civilët e pafajshëm.
Prandaj, respektimi i Konventave të Gjenevës duhet të jetë një prioritet politik.
Të dyja këto ngjarje – Samiti për Paqen në Ukrainë dhe përvjetori i Konventave të Gjenevës – shprehin angazhimin e palëkundur të Zvicrës për paqen dhe mbrojtjen e civilëve.
Të dashur të ftuar,
Le të shohim tani Shqipërinë: Programi ynë zviceran për zhvillim është i gjerë dhe synon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Ndërsa fillojmë përgatitjet për një program tjetër bashkëpunimi katërvjeçar, është mirë të shohim disa pika kryesore të mbështetjes sonë nga ky vit.
- Ne po mbështesim perspektiva të reja për punë dhe punësim për të rinjtë përmes programeve tona të gjata në zhvillimin e aftësive profesionale. Ky është një prioritet i lartë për qeverinë shqiptare pasi prek të gjithë ekonominë. Përveç kontributit tonë në reformën e arsimit profesional në Shqipëri, këtë vit kemi intensifikuar mbështetjen për rrugëtimin e Shqipërisë drejt arsimit profesional të dyfishtë, një modalitet i cili tashmë është prioritet absolut edhe në axhendën e qeverisë. Dhe ne vulosëm një bashkëpunim me një nga universitetet kryesore të mikpritjes në botë: të mirënjohurën Shkolla e Biznesit të Mikpritjes EHL nga Lozana, Zvicër. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në sektorin në rritje të turizmit.
- Një pikë tjetër kryesore është angazhimi ynë në sektorin e ujit: Zvicra është në fakt një mbështetëse kryesore e reformës së sektorit të ujit, duke forcuar shoqëritë e ujësjellësit në disa bashki dhe duke investuar në sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, përfshirë Tiranën. Gjithashtu këtu, ne mund të bëjmë një lidhje me turizmin: Një turizëm në lulëzim është i paimagjinueshëm pa furnizime të besueshme me ujë dhe shërbime sanitare.
- Dhe një pikë e fundit kryesore (në këtë listë shumë selektive) është mbështetja jonë për reformën zgjedhore. Sapo nënshkruam një marrëveshje me Parlamentin dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të përmirësuar funksionet kryesore të Parlamentit. Kjo fazë e re e një partneriteti tashmë të gjatë do të mbështesë gjithashtu legjislacionin zgjedhor dhe do të prezantojë mjete transparence në proceset zgjedhore.
Këto ishin vetëm disa shembuj aktualë të punës sonë të bashkëpunimit. Dëshiroj të falënderoj të gjithë partnerët tanë këtu për bashkëpunimin në shumë projekte të tjera në vazhdim.
Të nderuar miq,
Ndërsa jemi këtu për të festuar festën kombëtare të Zvicrës, përgëzoj veçanërisht komunitetin e biznesit zviceran, Klubin Zviceran dhe të gjithë ata individë dhe organizata që janë lidhje të gjalla midis dy vendeve tona. Sipas fjalëve të Presidentes sonë aktuale të Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd:
‘Duke u takuar dhe festuar së bashku lindjen e kombit tonë, ju tregoni se, megjithëse keni gjetur një shtëpi të re, nuk e keni harruar të vjetrën’.
Si përfundim, dëshiroj të falënderoj sponsorët tanë të këtij viti: SWISSA – Dhoma e Tregtisë Zvicerane-Shqiptare; TAP – Gazsjellësi Trans Adriatik; dhe SICPA.
Një falënderim i veçantë shkon për Emergency Rescue Albania, ERA, një nismë e Fondacionit Zviceran për Inovacionin. Ju mund të vini re praninë e tyre në pjesën e pasme të ndërtesës, ku një ambulancë është në gatishmëri në rast se është e nevojshme.
Si çdo vit, ne përpiqemi të sjellim disa përvoja tipike zvicerane.
Kam kënaqësinë t’ju them se sot nuk është vetëm raclette – që tashmë është një traditë në festimet tona të Ditës Kombëtare. Ju gjithashtu do të mund të shijoni një pjesë tipike të kulturës zvicerane – një performancë e shkurtër në alphorn – instrumenti më tipik zviceran – sjellë për ju (menjëherë pas fjalës sime) nga hornisti profesionist z. Ilir Kodhima nga Universiteti i Arteve Tiranë.
Tani për bashkëqytetarët e mi zviceranë:
Buona Festa Nacionale!
Une bonne fête kombëtare!
“Es schöns Fest”!
Dhe për të gjithë ju: le të ngremë një dolli, të festojmë dhe të shijojmë mbrëmjen. Gëzuar festën! Gëzuar!
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?