Kosova

Festivali në Wiesbaden të Gjermanisë, në fokus filmat nga Shqipëria dhe Kosova

Nga data 24 deri më 30 prill në Wiesbaden të Gjermanisë mbahet Festivali i 24-t i Filmit të Evropës Qendrore dhe Lindore „goEast“. Në fokus të festivalit të sivjetmë do të jenë filmat nga Shqipëria dhe Kosova, përcjell albinfo.ch.

Shikuesit do të kenë mundësi të shikojnë filmat në gjuhën shqipe nga arkivat e Shqipërisë dhe Kosovës, e do të ketë edhe shumë mysafirë nga këto dy vende, si dhe dhe përfaqësues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare.

Në kuadër të këtij festivali do të organizohet edhe një tryezë e rrumbullakët lidhur me mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivat e ardhshme për këtë rajon frymëzues, njofton organizatori i festivalit.

Në panelin “Perspektivat e së ardhmes për prodhimin e filmit dhe trashëgiminë filmike në Shqipëri dhe Kosovë” do të marrin pjesë Arben Lami, drejtor i përkohshëm i Qendrës Kombëtare Kinematografike të Shqipërisë, Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Gentian Koçi, regjisor shqiptar, Ilir Gjocaj, nga Arkivi i Filmit të Kosovës dhe Norika Sefa, regjisorja nga Kosova.