Shqipëria

Festivali ndërkombëtar i filmit “Travel Fest Albania” çeli edicionin e parë

Pjesëmarrje nga e gjithë bota

Festivali ndërkombëtar i filmit Travel Fest Albania çeli edicionin e parë të hënën në Amfiteatrin e Liqenit Artificial me pjesëmarrjen e artistëve nga e gjithë bota.

Ky festival, i pari i llojit të tij në Shqipëri, ka kryefjalë natyrën, mjedisin dhe turizmin dhe një zhanër filmi të veçantë. Filmat pjesëmarrës fokusohen në zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin natyror, duke eksploruar tendencat më novatore audiovizuale të përvojës së turizmit dhe udhëtimit nëpër botë.

Bashkia e Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë mbështesin festivalin. Të pranishëm në ceremoninë hapëse, nënkryetari i Bashkisë, Andi Seferi dhe Hubert Perr nga delegacioni i BE-së e vlerësuan iniciativën në promovimin e Shqipërisë në botë dhe si pjesë e aktivizmit në mbrojtje të mjedisit dhe natyrës.

Ndërsa ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, në një postim në Facebook e përshkruan festivalin si bashkim të artit me turizmin e mjedisin.

Fituesit do të shpallen në një ceremoni të veçantë në ditën e fundit të festivalit më 24 korrik 2022. Autorët e pranishëm do të kenë mundësinë të vizitojnë disa prej pikave turistike në Tiranë për një përvojë të paharrueshme duke përfshirë turne, degustime gastronomike, ekspozita, vizita në muze, shfaqje kulturore etj.

Festivali do të mbahet nga 18 deri më 24 korrik, ku do të shfaqen 128 filma me temë turizmin dhe mjedisin nga 42 vende të botës. Filmat mund t’i shihni në Kinema Millenium dhe Qendra Multifunksionale “Ten” dhe Amfiteatri i Parkut Rinia.

Kategoritë e filmave në konkurim janë të larmishëm nga tema e natyrës, jeta e egër, alpinizmi, peizazhi, mjedisi dhe ekologjia, bota nënujore, biodiversiteti, flora, sportet ekstreme dhe aventurat, vendet historike, trashëgimia, ekspeditat dhe rrugëtimi, ushqimet dhe pijet etj.

Drejtor i Festivalit, Pandeli Çeço, shprehet se e veçanta e këtij festivali është mënyra e xhirimit të tyre, pasi regjisorët nuk ulen në poltrona në një skenë xhirimi, por xhirojnë në natyrë, ndonjëherë edhe në kushte të vështira ose dhe të rrezikshme.

Juria e festivalit përbëhet nga profesionistë në fushat e kinematografisë, artit, turizmit, gazetarisë dhe emra të njohur të organizatave ndërkombëtare me aktivitet rreth turizmit dhe mjedisit: Ema Andrea – kryetare,  Lendita Zeqiraj (Kosovë), Dejan Petrović (Serbi), Lutfi Dervishi, Clara García Parra (Spanjë), Roden Hoxha, Erjon Uka, Elias Mazloum (Liban), Beti Njuma dhe Gjergj Bojaxhi.