Integrimi
“Kino Kosova”: Një realitet filmik i shikuar nga perspektiva femërore
Në pesë nga shtatë filmat e shfaqur në ditën e dytë, autore janë gratë ose vajzat regjisore nga Kosova. Edhe dy filmat e mbrëmjes së parë ishin realizuar nga gratë
Dita e dytë e festivalit “Kino Kosova” ka vazhduar të premten, me shfaqjen e pesë filmave të shkurtër dhe dy të metrazhit të gjatë.
Në pjesën e parë të programit janë shfaqur filmat e shkurtër: “Kiss me now” (Norika Sefa), “Pashtriku” (Ana Morina), “Bartësit e betonit” (Vesa Shahini), “Si në vaj” (Aulona Selmani), “I kissed your kiss in your girlfrend Cheek, it was still wett” (Samuel Weniger & Dardan Zhegrova). Për shumicën prej tyre është zhvilluar edhe debat me autoret dhe me pjesëmarrjen e publikut.
Në pjesën e dytë, pas debateve është shfaqur filmi i metrazhit të gjatë i Luana Bajramit, me titull “Phantom youth” (Bota jonë) dhe ai “I love you more” i Erblin Nushit, po ashtu i metrazhit të gjatë.
Nëse do të kërkonim një të përbashkët në këta filma, nuk mund t`i shmangeshim konstatimit se mbizotëron gjinia femërore – në pesë nga shtatë filmat, autore janë gratë ose vajzat regjisore nga Kosova, shkruan albinfo.ch. Edhe dy filmat e mbrëmjes së parë ishin punuar po ashtu nga gratë. Kjo flet mbase edhe për një zhvillim interesant e shpresëdhënës në kinematografinë e Kosovës, ku, vajzat duket se mbajnë primatin në fushën e regjisë së filmit.
Sidoqoftë, filmat, secili në mënyrën e vet dhe nga një kënd specifik, ofrojnë tablo interesante nga realiteti kosovar. Sigurisht, qëndrimi kritik dhe konstatimi i një realiteti të zymtë që lë fare pak vend për optimizëm, është mbizotërues në këta filma. Shtoji kësaj edhe perspektivën “femërore” nga e cila shikohet ky realitet dhe tabloja merr shpesh nota pesimiste.
Si më karakteristik nga këta filma është ai “Si në vaj” i Aulona Selmanit, me aktoren e njohur nga Prishtina, Ilire Vinca dhe aktoren e re nga Zvicra, Margarita Lajçi. Ai merret me përditshmërinë e grave shqiptare në Zvicër dhe me raportet anakronike që shpesh mbretërojnë në familjet përkatëse. Në këtë rast, gruaja e vejë i është nënshtruar një presioni nga kunatat (motrat e të shoqit). Ajo më në fund shikon një “dritë në fund të tunelit” kur zbulon një pikturë të realizuar kur ka qenë e re dhe studente. Kjo i hap perspektivën nga realiteti i zymtë dhe filmi përfundon me “hepiend”.
Kur jemi te gratë regjisore, filmi “Phantom youth” (Bota jonë) i Luana Bajramit që u shfaq në pjesën e dytë të programit të mbrëmshëm është edhe një konfirmim më shumë për perspektivën femërore të përmendur më sipër. Të kujtojmë: Luana Bajrami është regjisore e re shqiptaro-franceze dhe ky është filmi i saj i dytë artistik.
Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 2007, në Kosovë. Dy vajza, Zoe dhe Volta, largohen nga fshati i tyre për të studiuar në Universitetin e Prishtinës. Mes tensioneve sociale dhe politike, ato zbulojnë një vend në trazira që është duke kërkuar identitetin e tij në prag të pavarësisë dhe rinia e të cilit është harruar. Duke qenë shumë kërkuese dhe të guximshme, Zoe dhe Volta kalojnë nëpër shumë sfida që ua përgatit realiteti i ashpër në Kosovën ende të pashëruar nga pasojat e luftës.
Festivali “Kino Kosova” vazhdon sonte me shfaqjen e dhjetë filmave të shkurtër dhe me një film të metrazhit të gjatë, shkruan albinfo.ch. Ky i fundit është filmi “The Land within”, i autorit tashmë të njohur zvicerano-shqiptar, Fisnik Maxville. Ky film në rrugëtimin e tij prej afër dy vitesh ka një bagazh të çmuar çmimesh dhe vlerësimesh. Ai ka marrë çmimin e parë për film debutues në festivalin në Tallin (Estoni), që është një nga festivalet e kategorisë së parë të filmit, pastaj ka qenë në rrethin e ngushtë për filmin më të mirë në Zvicër në vitin 2023 etj.
Filmi “The land Within” shfaqet sot, me fillim në orën 18.40, në kinemanë RiffRaff të Cyrihut. Programi i sotëm i shfaqjes së filmave fillon në orën 15.00.
Platforma Albinfo.ch është partner medial i festivalit “Kino Kosova”.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa