Integrimi
Festivali fillon me një shfaqje që thyen tabutë
Mbrëmjen e të premtes është bërë hapja zyrtare e programit garues të festivalit. E para në skenë është ngjitur shfaqja “Fuck You Europa, fuck you Moldavia” e teatrit “Maxim Gorki” nga Berlini
Një zjarr (jo olimpik) që po ndizej në oborrin e teatrit “Miller`s Studio”, i rrethuar nga një numër vizitorësh, shënonte hapjen zyrtare të edicionit të nëntë të festivalit “Secondo Theaterfestival” në Cyrih. Me ngrohtësinë që lironte zjarri përzihej edhe aroma e bukës, e cila piqej, e vendosur në hej mbi prush. “Aroma e bukës” mban moton njëri nga programet përcjellëse të festivalit dhe në kuadër të këtij programi, më 28 nëntor, pikërisht në këtë vend do të ketë edhe pjekje të flisë, specialitetit aq të dashur të shqiptarëve, nga Kosova. Flija do të piqet pra pikërisht mbrëmjen kur do të jepet shfaqja “Doruntina” dhe që ka rastisur në Ditën e Flamurit.
Ndërsa mbrëmjen e të premtes këtu është bërë hapja zyrtare e programit garues të festivalit, i cili në fakt kishte filluar disa ditë më parë.
Në hapje është folur për misionin e këtij festivali, i cili synon mbarështrimin përmes teatrit të temës së migracionit gjegjësisht larushisë kulturore që sjellin të huajt në përditshmërinë zvicerane.
- Integrimi dhe kultura e mikpritjes
Christof Meyer udhëheqës i Zyrës për Integrim i qytetit të Cyrihut dhe njohës i teatrit ka mbajtur me këtë rast një fjalë më të zgjeruar. Ai ka theksuar se e ka përcjellë festivalin që nga fillimet e veta dhe dy herë ka qenë dhe anëtar i jurisë së tij. Meier ka konstatuar ndryshimet dhe zhvillimin e këtij festivali ndër vite. Ndërsa në cilësinë e përgjegjësit për integrim në qytetin më të madh të Zvicrës, Meier ka folur për aspekte të ndryshme të integrimit të të huajve në Cyrih, dhe në veçanti për kulturën e mikpritjes. Kjo e fundit, ka thënë ai, nuk është vetëm hapja e portave ose kufijve për të huajt por edhe pranimi i vlerave që ata sjellin me vete si pasurim për shoqërinë pritës. Kulturë e mikpritjes është njohja e kulturës që të huajt sjellin me vete dhe krijimi i mundësive që ata t`i jetojnë traditat e tyre duke e gërshetuar edhe me atë vendëse, ka thënë veç tjerash shefi për integrim i qytetit të Cyrihut.
Ndërsa drejtoresha dhe themeluesja e festivalit, Gjyle Julie Krasniqi ka përshëndetur mbështetësit dhe sponsorët e festivalit. Sigurisht, Federata Zvicerane dhe Kantoni i Cyrihut, me zyrat e tyre për integrim janë shtyllat kryesore që kanë mbështetur festivalin e secondove. Por në radhën e sponsorëve znj Krasniqi ka përmendur dhe ka falënderuar edhe Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, me drejtoreshën e saj Shukrije Ramadani, pastaj importuesin e Birra Peja Rexhep Berishën si dhe me një falënderim të posaçëm ajo i është drejtuar platformës albinfo.ch, e cila, siç ka theksuar Krasniqi, është media e parë që bëhet sponsore e këtij festivali, që nga fillimi i ekzistimit të tij.
Barbara Lindberger, udhëheqëse artistike e festivalit ka prezantuar shkurtimisht projektet dramatike të cilat janë në konkurrencë për çmimin e festivalit. Me këtë rast ajo ka theksuar se shfaqja që do të jepej në mbrëmjen e parë me titull “Fuck You Europa, fuck you Moldavia” është programatike për misionin e festivalit. Ajo prezanton një shoqëri në lëvizje, në kthesat e saj të shoqëruara me probleme migratore. Në këtë kthesë ndodhet pra shoqëria e Moldavisë, duke mos qenë më ajo që ishte por edhe duke mos arritur akoma në Evropë, të cilën e synon. Në këtë pikë rrahin edhe shfaqjet tjera që do të shfaqen mbrëmjet e ardhshme. Edhe shfaqja “Doruntina” që do të jepet të hënën, më 28 nëntor, ndonëse mbështetet në një legjendë shqiptare shkon po kështu në këtë drejtim.
- Një shfaqje që i bën radiografinë shoqërisë në tranzicion
Shfaqja “Fuck You Europa, fuck you Moldavia”, e cila u ngjit e para në skenën e festivalit, si njëra ndër pesë shfaqjet në konkurrencë garash, është prodhim i teatrit “Maxim Gorki” nga Berlini. Ajo është në fakt një monolog i autores moldave Nicoleta Esinescu në të cilin një vajzë nga Moldavia “flet”me babanë e saj të vdekur.
Ndërsa aktorja Marina Frenk, po ashtu nga Moldavia, por e rritur në Gjermani, ka impresionuar me monologimin, i cili për më shumë se një orë sa zgjati, nuk pësoi në asnjë moment rënie intensiteti ose kalim në monotoni. Ajo, e mbushur mllef, rrëfente, shtronte pyetje, gjestikulonte, shante, duke kërkuar kuptimin e jetës, duke kontestuar absurditetin e përkatësisë nacionale, shtetërore, fetare , moralin e rremë qytetar etj. Gjatë këtij rrëfimi me një rrjedhë të rrëmbyer e të pandalshme fjalësh, Frenk, gjegjësisht Esinescu sjell te shikuesi gjithë dramacitetin dhe absurditetin e situatave nëpër të cilat ka kaluar njeriu i shteteve të lindjes, në kapërcyellin nga komunizmi në demokraci.
Sfondin e dramës e plotëson bendi “The real Baba Dunyah” ose dyshja e instrumentistëve që sipas nevojës bëheshin edhe këngëtarë, DJ dhe aktorë .
Siç kemi shkruar më parë, në garat për çmim të festivalit merr pjesë edhe shfaqja shqiptaroamerikane “Doruntina” e teatrit prishtinas “Oda” dhe atij njujorkas, “Blessed Unrest”.
Trupa e përbërë nga aktorë të këtyre dy teatrove do ta japë shfaqjen e përmendur më 28 dhe 29 nëntor. Në mbrëmjen e hapjes së festivalit, në mesin e publikut ishin edhe pjesëtarët e kësaj trupe.
Festivali, i cili është themeluar dhe udhëhiqet nga menaxherja e teatrit Gjyle-Julie Krasniqi, ka në fokus krijimet teatrore që lidhen me migracionin, bën të ditur albinfo.ch.
Qendra Kulturore e Kosovës, e angazhuar për mbarëvajtjen e festivalit
Shukrije Ramadani, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih ka marrë një pjesë të detyrimeve për mbarëvajtjen e festivalit. Ajo, së bashku Andrea Pintece, një aktore me prejardhje nga Rumania, gjatë gjithë festivalit është përgjegjëse për artistët që marrin pjesë në këtë festival. Kështu, ajo përveç përcjelljes dhe orientimit që u bën artistëve i vë në dispozicion edhe lokalet e Qendrës Kulturore të Kosovës. Ajo tha për albinfo.ch se artistët e shfaqjes “Doruntina” do ta vizitojnë këtë qendër dhe do të jenë mysafirë të nderuar të saj. Zonja Ramadani po ashtu bashkëpunon me “Backstube” (furra ose dhoma e zjarrit) për mbrëmjen e kuzhinës shqiptare, kur në këtë furrë të improvizuar do të përgatitet flija. Krahas këtyre angazhimeve ajo njofton dhe sensibilizon komunitetin shqiptare për festivalin.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë