Sport
Festën e derbit vëllazëror e zbehin fyerjet e tifozëve shqiptarë
Edhe pse humbi Shqipëria dhe nuk u regjistrua asnjë fërkim apo incident i vetëm mes tifozëve shqiptarë dhe atyre zviceranë, fyerjet jotolerante ndaj Valon Behramit gjatë ndeshjes e kanë lënë një shije të hidhur për shumëkend. Por edhe Shaqiri, ylli shqiptar i futbollit, nuk është kursyer nga fishkëllimat.
Tifozët paqësor të kombëtares shqiptare që një natë më parë kishin ngritur në maksimum gjallërinë festive të qytetit të vogël Lens, të shtunën dështuan të japin provimin e një tifozërie që mund të merret shembull. Në fakt, dy nga lojtarët të Zvicrës me prejardhje shqiptare nuk u kursyen as sot, sikurse dy vite më parë, nga fishkëllimat e tifozërisë shqiptare. Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri kanë vuajtur përplot 90 minuta në përballjen kundër vendit të etërve të tyre më 11 qershor në Lens të Francës.
Saherë që merrte topin Behrami, publiku shqiptarë ulërinte me fishkëllima e fyerje. Hiç më mirë se ai nuk kaloi as ylli përfaqësueses zvicerane, Xherdan Shaqiri. Tifozët shqiptarë nuk ia falin golin që ai i ka shënuar kombëtares shqiptare dy vite më parë në Luzern në lojën kualifikuese për botërorin.
Sa i përket Behramit dhe Shaqirit, tifozëria paqësore e kombëtarës shqiptare ka një „faturë (banale) të hapur“ me djemtë shqiptarë të përfaqësueses zvicerane dhe jo pse ata kishin deklaruar ndonjëherë ndonjë gjë të keqe ndaj vendit të prejardhjes, apo të kenë bërë ndonjë gjest provokues, por vetëm se nuk e kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Një vend, siç thonë Behrami e Shaqiri, që kurrë nuk ua ka dërguar ftesën të luajnë për ta.
Inati i një pjese të tifozëve me Behramin e Shaqirin, ka të bëjë së pari me atë se ai ka festuar golin ndaj Shqipërisë, siç thonë ata çmendurisht, dhe i dyti i ka shënuar gol Shqipërisë. Edhe pse kjo ka ndodhur katër vite më parë, duket se shqiptarët nuk harrojnë lehtë „poshtërimin“!
Për Granit Xhakën nuk kishte fishkëllima, ai duket se është kursyer për faktin që vëllai i madh luan për Shqipërinë. Përderisa Xhemajli dhe Mehmedi që kanë prindër shqiptarë nga Maqedonia nuk bëjnë pjesë në hasmërinë e tifozëve shqiptarë, ndonëse angazhimi i tyre në përballjen kundër Shqipërisë e sidomos gëzimi dhe festimi i golit tregonin që ata nuk e çanin fort kokën se për kundërshtare kanë Shqipërinë.
Por kush janë ata tifozë shqiptarë që fyejnë e fishkëllojnë lojtarët e përfaqësueses zvicerane? Pyesim e kërkojmë ne në mesin e qindra tifozëve shqiptarë prezentë në Lens. Kot! Ata ndonëse i ke dhe i dëgjon në kor gjerë sa ulërijnë „Valon maxhupi“ një term racist, nuk i gjen e nuk i dëgjon kur i vë përballë mikrofonit.
Kështu një tifoz i ri që dilte tepër i mërzitur nga disfata e pësuar në përballjen e parë të Shqipërisë në një kompeticion të këtillë, deklaron: Jo unë nuk kam qenë pjesë e tifozëve që fishkëllonin lojtarët shqiptarë të përfaqësueses zvicërane.
Sido që të jetë, ky dhe shumë tifozë të tjerë që identifikohen fort me kombëtarën, bartin së paku përgjegësi morale ndaj këtyre gjesteve aspak të hijshme të tifozërisë së kombëtares, sepse po nuk u distancove, jep të nënkuptosh që solidarizohesh me tifozë që fishkëllojnë e fyejnë.
Por kështu e haptas e thotë një tifoz tjetër shqiptar, „po u nervozova dhe u futa edhe unë mes turmës e shajta sa munda“, tregon Dorjan Deda i rritur në Itali me origjinë nga Lezha (Shqipëri). Por pse e bën këtë, pyesim ne? „Me thënë të drejtën që kur shënoi Zvicra, Behrami ishte i pari qe u tregua ma festiv në atmoseferën zvicerane, gati më shumë u gëzua Behrami se Schär që bëni golin“.
Madje ai tenton ta relativizojë këtë se gjoja Behrami është vetë fajtor dhe thotë, shikoni, „nuk është bash e vërtetë që tifozëria shqiptare i urren lojtarët shqiptarë të Zvicrës njëlloj, sepse po të shihni, Granit Xhakën nuk e urren tifozëria shqiptare, sepse është një djalë që e ka treguar gjithmonë edukatën familjare kundrejtë vendit të vetë duke mos ekzagjeruar ndjenjën kundër Shqipërisë, kurse Behrami e ka bërë gjithmonë duke treguar njëllojë kënaqësie kur ne pësojmë gol“.
Pastaj, vazhdon, kjo ka ndodhur që në fillim sepse golin e pësuam që në minutën e pestë të ndeshjes dhe duke parë që ne nuk kishim mundësinë që t’i mposhtim, nervozizmi e frustrimi e bën të veten. Kështu që kur je mes turmës shoqërohesh kollaj dhe kështu ulërin, arsyeton sjelljen e tij në stadium ky tifoz duke qenë i vetëdijshëm se kjo nuk i bën nder tifozërisë shqiptare.
„Normalisht fjala nuk ëshë e bukur, por është futboll, nuk është opera, apo jo“, deklaron tifozi që mban veshur fanelën e re të kombëtares shqiptare.
Megjithë zërat ofendues e fishkëllimat, numri i atyre që kundërshtojnë këto sjellje është i madh. Lojtarët e përfaqësueses zvicerane me prejardhje shqiptare, vazhdojnë të gëzojnë një mbështetje të madhe te shqiptarët që futbollin e përjetojnë si një përballje sportive dhe jo më shumë.
Kështu, kur pyesim një ish futbollist të njohur dhe për një kohë të gjatë trajner i ekipit shqiptar në St. Gallen, FC Besa, Agim Binaku, deklaron, jo unë asnjëherë. Kjo është turp. Ne bëmë një lojë të mirë sot. Me 10 lojtarë të mos pësosh gol e madje të kesh raste të pastërta edhe të shënosh, është sukses. Sa për fishkëllimat e fyerje ai as që do të dëgjojë. „Futbollistët shqiptarë të Zvicrës, jo që nuk janë tradhtarë, por ata janë heronjtë tanë, ata janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, thekson Binaku.
Dhe ai nuk është i vetëm, edhe dy shoqet sharmante, Arta nga Ferizaj (Kosovë) dhe Rudina nga Gjirokastra (Shqipëri) që nuk kishin parë shumë futboll në jetën e tyre, ishin të habitura me thirrjet jotolerante ndaj Valonit. „Ne nuk iu kemi bashkagjitur fyerjeve ndaj Valonit, sepse janë raciste“. Por, pastaj këto fishkëllimat po, fishkëlluam edhe ne saherë që merrnin topin ata, sepse donim t’i hutonim e ishim pak të inatosura me ta, tregon Rudina. „Në qoftë se ata do të luanin për Shqipërinë, ne sot do të kishim një fitore shumë të madhe ndaj Zvicrës, dhe pikërisht që këta nuk na e dhanë e nuk na e falën këtë kënaqësi, ne i fishkëllonim”.
Thirrjet „Valon magjupi“ nuk kanë kaluar pa u dënuar nga shumë gazetarë, publicistë, artistë të Kosovës. Kjo sjellje e tifozëve ka ngjallur një debat të madh në rrjetet sociale duke cilësuar sjelljet e tifozëve shqiptarë tejet të ulta.
Publicisti i njohur Halil Matoshi, këta tifozë i quan të rrjepur, të cilët ta falin edhe gjakun e babës, por kurrë suksesin. Racistë të ligj, shkruan ai. „I Madh je Valon Behrami-Solidar me ty!“. Publicisti shqiptar, i kërkon Valonit falje publike në emër te të gjithë kosovarëve normal, shkruan Matoshi.
Ndërsa aktori i njohur kosovar, Fatmir Spahiu i njohur me nofkën Bufi shkruan: Valon Behramin, Granit Xhaken, Xherdan Shaqirin etj, sot mund t’i fyej vetëm dikush që e mohon apo nuk e njeh hiç fatin e shqiptarëve të Kosovës dhe nuk i kujton hiç vitet e 90-ta, sot ky ishte i vetmi lloq në këtë festë të madhe!
Shkrim i botuar në gazetën Le Temps, në bashkëpunim me Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje