Muzikë
Festa e nxënësve në Monthey-Chablais, erdhi shqip dhe bukur
Mbrëmja në Monthey-Chablais ishte organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë të kantonit Valis (Valais), "Naim Frashëri"
Me himnin e flamurit kombëtar shqiptar, veshjet karakteristike tradicionale shqiptare të fëmijëve e në një mbrëmje të gëzueshme me të ftuar të shumtë, u hap eventi në Monthey-Chablais që ishte organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë të kantonit Valis (Valais), “Naim Frashëri”.
Ishte një organizim i shkëlqyer dhe shumë i larmishëm me prindër, intelektualë, zyrtarë e nxënës me qëllimin e vetëm të promovimit të kulturës shqiptare. Organizimi kishte një frymë të ngrohtë ku ndihej kudo gëzimi dhe shkujdesja, të gjithë dukeshin të kënaqur dhe të gëzuar, të përmbushur.
Fjalën së pari e mori Zenun Shala, personi i cili ka ngritur shkollën shqipe në Monthey. Në fjalën e tij u theksua thirrja që të rritet kontributi per gjuhën shqipe, shkruan albinfo.ch. Kultura shqiptare dhe gjuha shqipe nuk duhet të harrohen nga fëmijët. Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar më mirë identitetin e tyre kombëtar, krahas identiteteve të tyre të tjera personale, profesionale a grupore etj. Më mirë për të kuptuar nga të gjithë traditat dhe zakonet e tyre që aq me fanatizëm janë ruajtur nga brezat e vjetër. Fëmijët duhet të rrisin ndërgjegjësimin për këtë.
Mësuesja dhe moderatorja e eventit, Ganimete Jakupi-Demiri prezantoi më pas programin si dhe ftoi e inkurajoi nxënësit e shkollës që të bënin paraqitjen e tyre ndaj publikut.
Vjershat dhe këngët rodhën vetvetiu rrjedhshëm në zërat e nxënësve. Fëmijët kënduan këngët “Vajta kalova…” e “Xhamadani vija vija”, ku shpalosej dashuria e tyre për gjuhën e bukur shqipe. Kjo tregonte një rezultat shembullor të arsimtarëve me punën e palodhshme që e bëjnë për të përvetësuar, jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe kulturën shqiptare në emigrim. Po kështu, kjo flet dhe për vullnetin dhe kompetencën e treguar nga nxënësit.
Ky kontribut modest është një pikë e fortë për të mos u asimiluar po krahas vendit pritës në emigrim ata përforcojnë edhe origjinën e tyre nga vijnë dhe nga kanë prejardhjen, historinë e tyre, gjuhën, zakonet, doket, dramat dhe problemet që duhen zgjidhur. Çështja e identitetit personal sa identitetit kombëtar është një nga çështjet më të rëndësishme në diasporë, e cila ka treguar një kujdes të madh jo vetëm në Zvicër, por në gjithë vendet ku shqiptarët organizohen në komunitete dhe pikërisht të gjithë kanë përforcuar dëshirën për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën e dashur shqipe. Kjo u shpreh më së miri nga nxënësit.
Më pas kjo u përfaqësua me të ftuarin special nga Prishtina, aktorin dhe poetin e njohur, Çun Lajçi. Ai nuk mund të mungonte në këtë event të rëndësishëm të kulturës, shkruan albinfo.ch. Lajçi dha kontributin përmes fjalës së tij duke u dhënë zemër prindërve dhe nxënësve për përforcimin e gjuhës amëtare, për mos harrimin e saj. Me anë të një monologu që shikohej edhe si dialog në sytë e gjithë të ftuarve ai u bëri thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo ndodheshin:
Mbështetini fëmijë të lexojnë sa më shumë libra shqip. Fëmijët shqiptarë nuk duhet të harrojnë vetveten!
Në tavolinën e tij ishte një dhuratë e madhe për eventin. Një valixhe me libra që kishte afër vetes. Dukej si një ogur i mbarë dhe një shtysë për çdo artist dhe intelektual shqiptar që të japë sa më shumë kontributin e vet për brezin e ri. E ku ka më mirë se libri dhe më mirë akoma, libri që flet vetëm shqip. Dhe në fakt libri nuk po lexohet më si më parë. Brezi i ri duhet të kultivohet me kulturën e librit, por edhe brezi i vjetër, kulturimi i njeriut mbaron kur ai i jep fund jetës.
Nga ana tjetër monologu i artistit të madh Çun Lajçit ishte një dramë sokratiane ku dallohesh klithje, zhgënjim e shpresë. Kjo u duk më shumë në sytë e publikut. Ata ishin përlotur dhe pamja e tyre jepte tipare krenarie me shikimin, dëgjimin dhe përqendrimin e trupit.
Ndër shumë të ftuar ishte dhe Rexhep Gashi. Bisnesmen dhe intelektual, pronar i verës së mirë të Rahovecit Kalaja Albatros® që nuk mungoi në tavolinat e të ftuarve. Një brand vere zvicerane e prodhuar në Kosovë, në vreshtat e rrethit të Rahovecit.
Gjithashtu Driton Kajtazi, mësimdhënës, shkrimtar dhe drejtues i Instituti i Zvicrës për studimet shqiptare ISEAL. Një figurë publike poliedrike kulturore që përfaqëson në çdo event vlerë për shqiptarët e këtushëm.
Nuk mungoi në këtë event edhe Afërdita Bogiqi, shkruan albinfo.ch. Ajo është shembulli i një femre shqiptare të suksesshme në Zvicër dhe gjithashtu Këshilltare Bashkiake e Ekzekutivit për legjislaturën 2021-2024 në Bashkinë Monthey.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Drejtoresha e shoqatës “Swiss Albania Event”, Aina Hoti.
Më pas vallet shqiptare u vallëzuan aq bukur nga nxënësit të veshur bukur me veshjet karakteristike kombëtare.
Ansambli “Ilirët”, i drejtuar nga Ilir Bytyqi, i cili është edhe udhëheqës artistik i tij, përforcoi më fort idenë për kulturën shqiptare e sidomos për muzikën folklorike e popullore, ajo që kumbon aq bukur në të tilla evente dhe jep frymëzim për çdo shqiptar. Ansambli “Ilirët” i dha shije të këndshme kësaj mbrëmjeje.
Ky event erdhi si përmbushje e një viti të vështirë, si fillim feste për festat e fundvitit dhe si qëllim e motiv për të përmbushur në radhë të parë detyrat që ka çdo shqiptar si nxënës i kombit të tij. Të promovojë dhe të kultivojë gjuhën dhe traditat shqiptare, doket dhe tradicionalen të cilat duhet të bashkëjetojnë të ndërthurura me modernitetin e jetës.
Aty ku klasikja t’i japë aromë e shëndet e frymëmarrje modernes për njeriun e sotëm. Modernia nuk duhet ta asimilojë kujtesën kombëtare. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu kulturon tonë, artin, librin shqip. Shqiptarët duhet të gëzojnë shqip. Shqip dhe bukur për të qenë të kohës!
Të mbledhur në dy krenare së bashku e plot hare kuq e zi!
Ky duhet të jetë motiv edhe në të ardhmen!
Artikullin dhe fotografite: Zamira Bytyqi.
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra