Gjuha
Festa e Flamurit, në shenjë apeli për forcimin e shkollës shqipe në Zvicër
Nxënësit e shkollave shqipe, të vegjël e të rritur, të veshur kuq e zi, kanë festuar të dielën Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Humoristi i ri me prejardhje shqiptare, tashmë shumë i njohur në Zvicër, Bendrit Bajra, pas tetë vjetësh takohet sërish me mësuesin e tij, Naser Ulaj, këtë herë në manifestimin e Ditës së Flamurit, që edhe sivjet e kishte organizuar LAPSH-i në Cyrih.
Komediani shqiptar, që ishte i ftuari special të dielën në Glatbrugg, ka shfrytëzuar këtë rast për të falënderuar mësuesin që ia mësoi shqipen, por edhe për të përcjellë mesazhin për rëndësinë që ka gjuha shqipe për gjeneratat e reja të komunitetit të këtushëm shqiptar.
Me një shqipe të rrjedhshme, Bendriti ndjehet krenar që di të komunikojë në gjuhën amtare dhe u ka bërë thirrje nxënësve të pranishëm të mos heqin dorë nga mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Ai i ka dhuruar mësuesit një flamur shqiptar dhe të gjithëve u ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.
Për rëndësinë e Ditës së Flamurit folën edhe diplomatët e pranishëm në këtë manifestim, zëvendësambasadori në Ambasadën e Shqipërisë, Marin Meksi dhe shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu.
Diplomati nga Tirana ka përgëzuar LAPSH-it në misionin e tyre për të përmbushur më së miri, siç tha ai, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Zvicër.
“Jam i bindur se do të ketë një vazhdimësi të përjetshme për sa kohë do të ketë shqiptarë në Zvicër. Zvicra është treguar tepër bujare, duke i hapur dyert e mikpritjes, duke na ofruar me kulturën e tyre dhe duke i hapur edhe zemrat e tyre për integrimin sa më të mirë të shqiptarëve në vendin e tyre, që është djep i kulturës evropiane”, tha Meksi, duke bërë thirrje që paralelisht të ecim me gjuhën e bukur shqipe, e cila, sipas tij, na bashkon të gjithëve.
Nga ana tjetër, diplomati kosovar, Islam Spahiu, tha se Festa e Flamurit frymëzon të gjithë, sidomos fëmijët tanë që të jenë përkrah shkollës shqipe sikur futbollistët shqiptarë në Zvicër që mbushen formacionet e skuadrave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Nikoqiri i këtij organizimi, Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut, derisa foli për datat më të rëndësishme të nëntorit, nënvizoi se misioni i tyre i përbashkët është një e ardhme dinjitoze, për ruajtjen e gjuhës amtare, traditën dhe kulturën tonë jashtë atdheut në secilin vend ku jetojmë.
“E ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë me edukimin, gjuhën dhe kulturën që marrin rinia jonë, sepse vetëm kështu shpirti i Naimit, Fishtës, Konicës e shumë të tjerëve mund të jetë i qetë. Gjuhën shqipe e duam të gjithë së është gjuha e zemrës, gjuhën tjetër e mësojmë se është gjuha e bukës!”, tha mësuesi Ulaj, duke bërë thirrje që prindërit të mos hezitojnë që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në shkollat shqipe, sepse njohja e gjuhës amtare i jep përparësi të mësojë me lehtë edhe gjermanishten, kjo është vërtetuar, sipas tij, nga ekspertë të fushës së arsimit nga Drejtoria e Arsimit e kantonit Cyrih.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i LAPSH-it për Zvicër, Nexhat Maloku. Edhe ai i ka ftuar nxënësit e pranishëm që t’i ftojnë shokët e tyre që t’u bashkëngjiten në bankat shkollore të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Pasditja festive ishte e veçantë edhe për njërin nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në Zvicër, Nexhat Ibrahimi.
Mësuesi Nexhat, që kishte vënë themelet e LAPSH-it në vitet ‘92-‘93, tashmë në pension, ka 10 vjet që e ka lëshuar Zvicrën, por misionin fisnik të mësuesisë e kishte vazhduar në qytetin e lindjes në Prizren. Mësuesi nga Kosova kishte hapur klasën e parë në gjuhën shqipe në Lugano të Zvicrës.
“Orën e parë e kishte përcjellë edhe Televizioni Zviceran SRF”, evokon kujtimet e asaj kohe mësuesi nga Prizreni. “Me pavarësinë e Kosovës vërehet një rënie, por duke falënderuar mësuesit e shkollës shqipe, ka mbetur gjallë shkolla shqipe në Zvicër. Kjo atmosferë këtu tregon se është ruajtur një vazhdimësi e mirë pas shumë vjetësh ekzistence të LAPSH-it”, deklaron për albinfo.ch mësuesi 66-vjeçar, Nexhat Ibrahimi, të cilit i solli emocione programi artistik, i përgatitur kryesisht nga nxënësit me recitale, vjersha dhe këngë, duke e plotësuar edhe SHKA “Rilindja” nga Winterthuri, e cila u paraqit me disa valle të bukura shqipe.
Në fund nuk munguan as mirënjohjet për ato dhe ata që kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?