Kosova

Qyteti i Ferizajt përuron veprën e gazetarit Rexhep Rifati

Për veprat: “Shtegtimet e një gazetari”, “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit” dhe ”Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” foli prof. dr. Isak Shema

Në vapën e madhe stinore dhe politike, më 14 korrik, Ferizajn 150-vjeçar e përshkoi një “fllad” kulturor tejet i mirëseardhur. Në kuadër të Ditëve të Mërgatës e në organizim të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Klubit  letrar “De Rada” të Ferizajt u bë përurimi i krijimtarisë publicistike të gazetarit, tash e rreth 30 vjet në mërgatë, z. Rexhep Rifatit.

 

Dhjetëra dashamirës të kulturës e të fjalës së shkruar ishin tubuar në Galerinë e Arteve të Qendrës Kulturore në Ferizaj, me rastin e përurimit të krijimtarisë së gazetarit e publicistit Rexhep Rifati, shkruan albinfo.ch. Në hapje të këtij takimi kryetarja e klubit letrar “De Rada” nga Ferizaj, zonja Zyrafete Shala shpalosi biografinë e gazetarit Rexhep Rifati, i lindur më 28 maj 1942 në fshatin Komogllavë të komunës së Ferizajt, e që me gazetari merret që nga viti 1967.

Zyrafete Shala

Për rrugëtimin e z. Rifati, si dhe për veprat: “Shtegtimet e një gazetari”, “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit” dhe ”Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” foli prof. dr. Isak Shema.

Prof. Dr. Isak Shema

Profesori Isak Shema, duke shpalosur krijimtarinë e Rexhep Rifatit, shpërfaqi emocionet, por edhe privilegjin, që shumica e të pranishmëve në sallë, ndër ta edhe vetë Rexhep Riafti, ishin ish-studentë të tij. Ai, madje, nuk u përmbajt pa thënë se vepra e Rexhep Rifatit është një monument kulturor i albanologjisë, e cila, tashmë, ka zënë vend të merituar edhe në Qendrën e Studimeve dhe të Botimeve Albanologjike.

Më tej ai tha se është mahnitës informacioni i gazetarit Rifati, vepra e të cilit tashmë ka zënë vend në shumë institucione kulturore e shkencore: në universitete, në shkolla, në biblioteka etj. Ai përkujtoi edhe faktin se krijimtaria është edhe një sakrificë më vete, ku arritjet maten edhe me nivelin e sakrificës.

“Ai që do të arrijë pak, sakrifikon pak; ai që do të arrijë shumë, duhet të sakrifikojë shumë, por ai që do të arrijë lart e më lart, duhet të sakrifikojë edhe më tepër. E, këtë shkallë të arritjes e ka realizuar Rexhep Rifati, me angazhimin e tij të pandalshëm”, tha mes tjerash prof. Shema. Duke e ngritur në piedestal krijimtarinë e Rexhep Rifatit, prof. Shema, si studiues edhe i arbëreshëve të Italisë, nuk ngurroi për të pohuar se libri, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” ishte edhe një pasuri e madhe për arkivin e tij personal studimor.

Prof. Hazir Mehmeti

Për ta nderuar këtë ngjarje kulturore, nga Vjena e Austrisë kishte ardhur edhe Prof. Hazir Mehmeti, i cili ishte shoqërues i z. Rifati në pesë ekspedita të tij tek arbëreshët e Italisë. Për madhështinë e krijimtarisë së Rexhep Rifatit ai përkujtoi mesazhet e dy recensentëve të veprave të tij: të zviceranit Basil Shadër, që kishte thënë se Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë e mërgatës shqiptare në Zvicër, si dhe mesazhi i arbëreshit, Antonio Bellushi, i cili Rexhepin e kishte quajtur Apostull të arbëreshëve, pjesë të gjakut arbëresh, shkruan albinfo.ch. Prof. Hazir Mehmeti gazetarin Rifati e cilësoi edhe si pjesë të historisë së Ferizajt, e cila nuk do të jetë e plotë pa emrin e këtij qytetari të devotshëm.

Njësoj sikur edhe parafolësit, edhe prof. Arsim Hamiti shtjelloi krijimtarinë e Rexhep Rifatit.

Shukrije Ramadani

Në emër të mërgatës zvicerane foli edhe zonja Shukrije Ramadani, e cila krijuesin R. Rifati e paralelizoi me punën e bletës, e cila lule më lule mbledh nektarin për të dhënë mjaltin. “Baca Rexhë, sikur edhe bleta mblodhi gjithandej Zvicrës biografi krijuesish, studentësh e punëtorësh për t’i portretizuar ata në krijimtarinë e pavdekshme letrare.

Me punën e tij prej gazetari nuk i kërkoi asgjë atdheut, por i solli shumë atij, madje vepra të cilat Akademia e Shkencave e Kosovës do të duhej t’i realizonte nga ekipe studiuesish e krijuesish, shkruan albinfo.ch. Nga respekti i madh që kishte zonja Ramadani për Rexhep Rifatin, si krah i përhershëm në aktivitetet e saj në Zvicër, ajo e cilësoi z. Rifati si babain e saj të dytë në Zvicër.

Mirënjohjen ja dorëzoi udhëheqësi i Sektorit të Kulturës, Sabri Pajaziti

Pjesë e këtij manifestimi kulturor ishin edhe dy filma të shkurtër dokumentarë kushtuar fshatrave arbëreshe dhe busteve të Skënderbeut në fshatrat arbëreshe të Italisë.

Pjesën muzikore të këtij manifestimi e përmbushën Driton Gashi me banim në Gjermani dhe pianisti Shpend Hysaj nga Ferizaj.

Hanumshahe Sopa

Një fjalë përshëndetëse e mbajti Hanumshahe Sopa, shoqe e gjeneratës e autorit Rifati, ndërkaq në emër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Ferizajt, udhëheqësi i Sektorit të Kulturës, z. Sabri Pajaziti i dha mirënjohje falënderimi krijuesit Rexhep Rifati.

Krijuesi Rexhep Rifati, falënderoi të pranishmit për praninë e tyre në këtë përurim si dhe në rrugëtimin e tij krijues.

Për të pranishmit e kësaj ngjarjeje kulturore familja e z. Rifati dha një apero, kurse të pranishmit bënë edhe foto të përbashkëta në kujtim të kësaj ngjarjeje kulturore.

 

(Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba)