Integrimi
Fehr: Zvicra të ndihmojë Kosovën në këtë situatë të rëndë
“Zvicra, pasi që luan një rol të rëndësishëm në Kosovë, ka detyrim të ndihmojë për të zgjidhur problemet atje”
Jacqueline Fehr është një politikane e nivelit nacional të Zvicrës, e njohur për ndikimin e madh në krijimin e politikave në Parlamentin Nacional ku ajo ka kaluar disa mandate, nga viti 1998 e këndej. Pak vite më parë ajo ka qenë kandidate për të hyrë në Qeverinë Federale. Në zgjedhjet për Qeverinë e Kantonit të Cyrihut, që mbahen më 12 prill 2015 ajo kandidon për një vend vakant të Partisë Socialdemokrate të cilës i takon.
Me znj. Fehr, e njohur edhe si mike e shqiptarëve, albinfo.ch ka biseduar rreth shanseve të saj në zgjedhje, situatës në Kosovë, integrimit të shqiptarëve në Zvicër, prishjes së Marrëveshjes së Sigurime Sociale etj.
Albinfo.ch: Para pak ditësh ju keni marrë pjesë në një tubim të shqiptarëve të Kosovës në Bülach. Çfarë ju lidh me Kosovën e shqiptarët dhe kur zë fill kjo lidhje?
Jacqueline Fehr: Kontaktet e mia të para me Kosovën datojnë nga koha e luftës atje, kur kosovarët në vendin e tyre i nënshtroheshin një shtypjeje të rëndë. Unë atëbotë punoja në arsim kështu që kam takuar dhe kam pasur kontakt me nxënës kosovarë të strehuar në Zvicër. Pas kësaj unë kam vazhduar interesimin dhe kam mbajtur në vazhdimësi lidhjet si dhe angazhimin tim politik lidhur me Kosovën. Ndërsa në vitin 2013 isha atje në kuadër të një delegacioni, një kombinim në mes të vizitës zyrtare dhe private. Kemi vizituar projekte të ndryshme zvicerane atje, në mesin e të cilave edhe projektet e organizatës Solidare Suisse, kemi biseduar me përfaqësues të qeverisë së atëhershme, pastaj kemi vizituar Kfor-in gjegjësisht Swisscoy-n etj.
Albinfo.ch: Zvicra dhe ish ministrja e jashtme, Calmy-Rey, rreth 10 vite më parë janë shprehur për pavarësinë e Kosovës në një kohë kur pavarësia perceptohej si realitet pothuaj vetëm nga shqiptarët. Ndërkohë, nga viti 2008 Kosova është shtet i pavarur dhe Zvicra ka qenë në mesin e vendeve të para që e kanë njohur këtë pavarësi.
Fehr: Sa i përket njohjes së hershme të pavarësisë së Kosovës nga Zvicra, unë besoj se vendi ynë ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces edhe për faktin se këtu që me kohë jetonin shumë kosovarë kështu që shumë zviceranë kishin kontakte të ngushta me kosovarët. Pastaj ka qenë kjo pjesë e politikës së jashtme të Zvicrës, të cilën Calmy-Rey e ka konkretizuar me një hap të rëndësishëm, duke bërë njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës, hap ky të cilin e kanë pasuar vendet tjera.
Albinfo.ch: Tash, në dritën e eksodit më të ri të kosovarëve sërish dëgjohen zëra që Kosovën duan ta identifikojnë si “shtet të dështuar”. Cili është mendimi Juaj?
Fehr: Siç po shohim, problemet nëpër të cilat po kalon aktualisht Kosova janë mjaft të rënda, si ai me korrupsionin e lartë etj. Njerëzit janë të zhgënjyer nga politika dhe unë jam e bindur që edhe Zvicra, pasi që luan një rol të rëndësishëm në Kosovë, ka detyrim të ndihmojë për të zgjidhur problemet atje. Ne duam që në Kosovë të kemi politikanë që angazhohen për të mirën e përgjithshme dhe jo për interesin e tyre.
Megjithatë, sa u përket zërave për “shtetin e dështuar” them se kjo assesi nuk qëndron. Por është megjithatë një dëshpërim enorm i të rinjve që në Kosovë nuk shohin ardhmëri, nuk kanë perspektivë dhe mendoj se është mjaft dramatik fakti që kaq shumë njerëz e braktisin Kosovën. Njerëz të cilët në të vërtetë do të donin ta ndërtonin atë.
Albinfo.ch: Ne, shqiptarët e Kosovës, në Zvicër na identifikojnë me një imazh jo shumë të mirë. A është ky paragjykim apo ku i shihni ju shkaqet për një gjë të tillë?
Fehr: Ka sigurisht shumë shkaqe. Në kohën e krizës në Kosovë kanë ardhur në Zvicër, bashkë me familjet e tyre, edhe shumë të rinj të një moshe që nuk ishin më fëmijë por as plotësisht të rritur. Ata kishin probleme me integrimin në shoqërinë e këtushme. Por me kohë nga kjo kategori kanë mbetur vetëm raste të izoluara delinkuentësh, ashtu siç ka raste të tilla edhe në mesin e zviceranëve. Sepse ndërkohë ka shumë shembuj të të rinjve që janë integruar me sukses në shoqërinë e këtushme me punët që bëjnë. Duhet përmendur edhe shembullin e futbollistëve të suksesshëm shqiptarë të Zvicrës.
Me rëndësi për të gjithë ata që shkojnë për të jetuar në një vend të huaj është të përpiqen ta mësojnë gjuhën e vendit. Duhet të angazhohen në mjediset ku jetojnë, në organizata, shoqata etj. Kudo ku njerëzit takohen dhe njihen mes vete, problemet janë më të vogla dhe e kundërta, problemet shtohen nga mosnjohja e njëri tjetrit.
Albinfo.ch: Ju, si socialdemokrate angazhoheni për drejtësinë sociale. Pesë vite më parë është bërë shkëputja e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore me Kosovën nga ana e Zvicrës. Çfarë mendimi keni për këtë?
Fehr: Mendoj se ky është një problem i madh që po u ndodh kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, të cilëve u pengohet marrja e pensioneve të merituara. Për këtë problem kemi folur kur ishim në Prishtinë dhe po ashtu edhe në Bernë në vazhdimësi flasim e debatojmë për këtë çështje. Për ne është me prioritet të lartë që kjo marrëveshje të lidhet sërish. Shkëputja e marrëveshjes ka qenë një vendim politik, në kohën kur departamenti i punëve sociale ka qenë në duar të partive të djathta. Është bërë përpjekje për të kursyer, në kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Sindikatat kanë reaguar shpejt por është gjithmonë vështirë që një marrëveshje e cila është shkëputur të ringjitet!
Albinfo.ch: Ju keni kandiduar për Qeverinë e Kantonit të Cyrihut. Keni një përvojë të gjatë në politikën nacionale. Çfarë ju shtyn tash të kandidoni për nivelin kantonal?
Fehr: Ju e dini, kantonet në Zvicër kanë kompetenca shumë të mëdha si në arsim, në shëndetësi etj., kanë kompetenca më të mëdha se federata. Dhe për mua kanë shumë rëndësi këto çështje. Pra ka shumë tema për të cilat vendimet merren në kantone dhe jo në federatë.
Albinfo.ch: Si i vlerësoni shanset për t`u zgjedhur?
Fehr: SP i ka dy vende në qeverinë kantonale prej shtatë vetash. Njëri prej këtyre dy vendeve është vakant, të cilin e synoj unë. Prognozat janë të vështira, shanset janë sigurisht të mira por nuk bën ta nënçmojmë situatën kur dihet se partitë e djathta kanë lidhur koalicion dhe duan të na e marrin këtë vend në qeverinë e kantonit.
Albinfo.ch: Çfarë do t`u premtonit shqiptarëve dhe komuniteteve tjera me prejardhje të huaj? Përse do të votonin ata për Ju?
Fehr: Unë gjithmonë jam angazhuar për integrim, për respekt dhe tolerancë. Kam shumë kontakte me njerëz prejardhjesh të ndryshme. Mendoj se Zvicra duhet t`u jetë mirënjohëse migrantëve dhe në veçanti kosovarëve. Këta mbi 200 mijë shqiptarë-kosovarë që jetojnë në Zvicër kanë dhënë kontribut thelbësor që Zvicra të gëzojë këtë gjendje të mirë që e ka. Fakti se njerëzit vijnë te ne, është një pasurim, një shans enorm e dhe për këtë arsye ne përpiqemi që këtë shans ta shfrytëzojmë dhe t`i mbështesim këta njerëz që te ne ta ndjejnë veten në shtëpi të tyre.
Nga Kosova po ikin ata që duhej ta ndërtonin atë
Është një dëshpërim enorm i të rinjve që në Kosovë nuk shohin ardhmëri, nuk kanë perspektivë dhe mendoj se është mjaft dramatik fakti që kaq shumë njerëz e braktisin Kosovën. Njerëz të cilët në të vërtetë do të donin ta ndërtonin atë. Tash është me rëndësi të krijohen struktura ku të rinjtë të mund të punojnë, të investohet në mënyrë që ata të qëndrojnë në vendin e tyre dhe kështu ta ndërtojnë atë.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?