Futboll

Federata zvicerane konfirmon zhvillimin e ndeshjes miqësore në Cyrih

Pra, takimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 29 maj në Cyrih nga ora 20:00

Takimi miqësor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Zvicër, ashtu siç ishte planifikuar në fillim, edhe pse më pas ishte anuluar nga Federata Zvicerane.

Megjithatë, kjo e fundit për albinfo.ch ka treguar se është arritur marrëveshja për zhvillimin e këtij takimi.

“Ne kemi arritur marrëveshje që ndeshja miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të zhvillohet në Zvicër”, thuhet në përgjigjen për albinfo.ch, nga zyra e mediave të Federatës zvicerane.

Marrëveshjen e arritur e kanë konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Pra, takimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 29 maj në Cyrih nga ora 20:00.

Ky do të jetë rast i mirë për bashkatdhetarët që të shohin një ndeshje të bukur futbolli ndërmjet ekipeve shqiptare.

Ky do të jetë gjithashtu një test i mirë për dy trajnerët të ftojnë lojtarë të rinj. Shqipëria më 2 qershor do të luajë një miqësore tjetër me Ukrainën, derisa kjo është e vetmja miqësore për Kosovën në këtë fazë.

Kuqezinjtë fillojnë përgatitjet dhjetëditore në Zvicër më 26 maj, ku trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka mundësi të shoh nga afër formën e disa lojtarëve.