Uncategorized

FDP-PLR, kundër tri iniciativave

Më 3 mars në Zvicër votohet për: iniciativën “Minder”; për iniciativën e revidimit të Ligjit mbi Planifikimin Hapësinor dhe për iniciativën e futjes në kushtetutë të një neni që harmonizon familjen me profesionin

Këtë të diele, më 3 mars në Zvicër votohet në nivel federal, për tri iniciativa të ndryshme. Është fjala për iniciativën “Minder” ose kundër pagave padrejtësisht të larta të menaxherëve; për iniciativën e revidimit të Ligjit mbi Planifikimin Hapësinor dhe për iniciativën e futjes në kushtetutë të një neni që harmonizon familjen me profesionin.

Nisur nga fakti se një numër në rritje i shqiptarëve tashmë ka fituar shtetësinë zvicerane, Albinfo.ch i konsideron këto votime si çështje me interes. Për këtë  arsye, redaksia ka kontaktuar përfaqësues nga disa parti të mëdha, të përfaqësuara në parlamentin dhe qeverinë federale për të dhënë qëndrimin e tyre sa u përket votimeve që janë në prag.

Pyetjet u janë dërguar përgjegjësve për medie në partitë si CVP-PDC dhe FDP-PLR, si dhe disa përfaqësuesve shqiptarë në jetën politike zvicerane, nga Partia Socialdemokrate (SP-PS).

Nga e hëna, kur u janë dërguar pyetjet, vetëm nga përfaqësuesja për medie në FDP-PLR, zonja Pia Guggenbuehl kanë ardhur përgjigjet e kërkuara. Në vijim po i japim ato. Ndërkohë, mirëpresim dhe i publikojmë edhe prononcimet e partive tjera, në rast se ato do të vijnë.

“Partia liberale e Zvicrës (FDP-PLR) është qartë kundër Iniciativës “Minder” (iniciativa kundër “zhvatjes”) që orientohet kundër bonove padrejtësisht të larta të menaxherëve në ndërmarrjet zvicerane që i nënshtrohen kuotimit të bursave”.  

Sipas përfaqësueses për medie të kësaj partie, Pia Guggenbuehl, “FDP liberalët janë kundër zhvatjes. Dhe pikërisht për këtë arsye e hedhin poshtë Iniciativën “Minder”, duke mbështetur kundërpropozimin indirekt të Këshillit Federal.

Iniciativa “Minder” synon të ndalojë bonot e stërlarta dhe kjo është mirë. Mirëpo, në vend se tu jepen më shumë të drejta vendimmarrjeje aksionarëve, me rregullat që kërkohet të aplikohen, atyre me këtë rast vetëm sa  “u zihet fryma” më shumë. Fondeve pensionale kështu do t`u vihet një detyrim për të votuar nën kërcënimin për ndjekje penale, për çfarë atyre do t`u duhet të paguajnë ekspertë të shtrenjtë. Bordet menaxhuese zgjidhen një herë në vit, dhe anëtarët e tij, në rastin e parë të paralajmërimit të “kohëve të turbullta” do t`ia mbathin. Rregulla konkrete kundër bonove problematike nuk parashihen. Për më tepër, sipas asaj iniciative, parlamentit do t`i duhet të përgatisë një ligj përkatës, që mund të zgjasë me vite.

Përfundimisht: Iniciative “Minder” nuk realizon atë që e premton. Nëse hidhet poshtë iniciativa, do të hyjë automatikisht në fuqi kundërpropozimi indirekt i parlamentit. Ai vepron më shpejtë, në fakt menjëherë, duke filluar nga viti 2014, kundër pagave “eksesive”.

Në këtë mënyrë do të pengohet që fitimet e sotme të shndërrohen në humbje të nesërme dhe që shefat megjithatë të përfitojnë”, e rrumbullakon z. Guggenbuehl qëndrimin e FDP-PLR-së për Iniciativën “Minder”.

Edhe sa i përket iniciativës për referendum lidhur me Ligjin për planifikimin hapësinor, FDP-PLR ka qëndrim kundërshtues. “FDP lufton shtrirjes së pakontrolluar të vendbanimeve dhe mbron normat efektive të ndërtimit dhe të planifikimit hapësinor. Për këtë arsye ajo dëshiron një planifikim të koordinuar të infrastrukturës së komunikacionit dhe të planifikimit hapësinor, i cili shkon kundër shtrirjes së pakontrolluar ndërtimeve urbane dhe kundër tjetërsimit të regjioneve rurale.

Revizioni i ligjit që kërkohet me iniciativë ka mangësi të shumta. Mes tjerash, shkel parimin e federalizmit, krijon një burokraci enorme, shkakton një pasiguri juridike, çon në ngritjen e tatimeve dhe së fundi, imponimi në fushe të ndërtimtarisë është kontrapoduktiv”, thotë, veç tjerash, Pia Guggenbuehl nga FDP.

Iniciativa për futjen në kushtetutë të nenit mbi familjen është po ashtu e papajtueshme me qëndrimet e  FDP-PLR-së. “E gjithë partia përkrah qëllimin që ka neni konkret, gjegjësisht një harmonizim më të mirë në mes të familjes dhe profesionit. Mirëpo FDP e hedh postë në mënyrë të qartë një nen brenda kushtetutës që do të rregullonte këtë çështje.

Për FDP-PLR, familja bën pjesë në sferën private. Prandaj shteti duhet të ndërhyjë vetëm kur bëhet e domosdoshme mbrojtja e pjesëtarëve të familjes ose e shoqërisë. Veç kësaj, duhet të mbrohet edhe federalizmi. Masat stimuluese duhet të merren dhe të financohen në përputhje me nevojat që janë të ndryshme nga regjioni në regjion: diktati nga Berna duhet parandaluar”, shkruan Guggenbuehl.

Ajo numëron pastaj shkaqet për të cilat FDP hedh poshtë futjen në kushtetutë të nenit për harmonizim në mes të familjes dhe profesionit. Shkaku i parë është se i duhet dhënë përparësi angazhimit privat para atij shtetëror, imponues, shkaku i dytë është evitimi i burokracisë së tepruar që do të shkaktonte e gjithë kjo dhe i treti, detyra për të respektuar federalizmin.

Sipas FDP-PLR-së, neni për familjen do të shtynte federatën të vepronte vetëm në rast se një ose disa kantone nuk do të realizonin atë që parashihet në nenin e përmendur. Dhe, në rast se ndodh kjo, atëherë federata nuk do t`i imponohet vetëm atij kantoni, por do t`i detyrojë edhe të gjithë kantonet tjera të veprojnë duke iu nënshtruar rregullave fikse”, përfundon Pia Guggenbuehl, përgjegjëse për medie në FDP-PLR.

Blerim Shabani