Lajme

FDA mirafon një vaksinë të re për fëmijë

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar vaksinën e parë që mbron të porsalindurit kundër virusit respirator sincicial, i njohur si RSV, shkruan CNN.

Vaksina, e prodhuar nga Pfizer, u jepet nënave në shtatzëninë e vonë dhe siguron mbrojtje për foshnjat gjatë gjashtë muajve të parë të jetës.

Në një studim të më shumë se 7 000 grave shtatzëna dhe të porsalindurve të tyre, vaksina e quajtur Abrysvo, uli rrezikun që të porsalindurit të kenë nevojë të vizitojnë një mjek ose të shtrohen në spital.

RSV është një sëmundje e zakonshme dhe një shkak kryesor i shtrimit në spital te foshnjat dhe të moshuarit çdo vit.

Zakonisht godet më fort gjatë muajve të dimrit dhe sezoni i fundit i RSV ka qenë më i gjatë dhe më i rëndë se zakonisht, duke mbushur spitalet e fëmijëve.

“RSV është një shkak i zakonshëm i sëmundjes tek fëmijët dhe të porsalindurit janë ndër ata me rrezikun më të lartë të sëmundjes serioze, e cila mund të çojë në shtrimin në spital”, tha Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësim.

“Ky miratim u jep punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe shtatzënave aftësinë për të mbrojtur të porsalindurit nga kjo sëmundje potencialisht kërcënuese për jetën”, shtoi ai.

“Aprovimi i ABRYSVO si imunizimi i parë dhe i vetëm i nënës që ndihmon në mbrojtjen e foshnjave nga RSV menjëherë në lindje deri në gjashtë muaj, shënon një moment historik të rëndësishëm për komunitetin shkencor dhe të shëndetit publik”, thuhet në deklaratë.