E-Diaspora
FC Kosova Cyrih, 20 vjet futboll shqiptar në Zvicër
Është më shumë sesa një ekip futbolli. Është pjesë e identitetit të të bartësve të tij, është si një familje e dytë në Zvicër. Janë shumë tifozë që i shkojnë pas në çdo lojë me daulle e flamuj, duke treguar se janë krenarë me djelmoshat e një ekipi të futbollit që përfaqëson FC Kosovën.

Është fjala për FC Kosovën, ekip që ka lënë gjurmë ndër vite në Cyrih me më së shumti shikues në stadiumet e ligave të dyta interregjionale të Zvicrës.
Klubi përbëhej në fillim nga emigrantët që vinin nga Kosova, po edhe nga trevat e tjera shqiptare. Kishte filluar nga fundi i ligave të futbollit zviceran. Tash të gjithë janë futbollistë të gjeneratës së dytë, talente futbolli “sekondo” që ngjiten lart në ligën e dytë interregjionale të Zvicrës.
Për më tepër, FC Kosova Cyrih tash ka tetë ekipe e shumë lojtarë dhe nga një ekip për secilën moshë nga 7 vjeç deri te seniorët, gjithsej 181 lojtarë. Krenaria e veshjes së fanellave kuq e zi shihet te secili nga lojtarët, junior e senior.
Këtë verë bëhen 20 vjet që kur është themeluar klubi shqiptar, vite këto që ky klub ka kaluar në periudha dhe sfida të ndryshme.
FC Kosova Cyrih ekziston nga viti 1994 dhe deri tani jo vetëm që ka arritur suksese, por njëkohësisht ka arritur që rreth vetes të grumbullojë edhe shumë të rinj nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Deri tash suksesi më i madh është mbërritja deri në gjysmëfinale të kupës së Zvicrës nga skuadra e seniorëve, 2 herë finaliste e kupës së Lidhjes Futbollistike të Regjionit të Cyrihut dhe 1 herë fituese e kupës së e Lidhjes Futbollistike të Regjionit të Cyrihut. Ndërsa në futbollin aktiv vlen të ceket pjesëmarrja në garat e Ligës së dytë Interregjionale e të Zvicrës.
Besim Rexhiqi ishte i vetmi që e përcolli klubin për 20 vjet në detyrat organizative të kryesisë, herë si sekretar, arkëtar, trajner, refer, spiker, e nganjëherë edhe tifoz, thjesht klubi FC Kosova i ishte bërë si familja e dytë. Ai rrëfen në një intervistë për albinfo.ch për historikun e klubit FC Kosova, për peripecitë dhe problemet që e përcollën me vite.
Fillimet e para, që në vitet 80`
Besim Rexhiqi bën një retrospektivë. Ai thotë se dikur në Kantonin e Cyrihut ishin disa grupe futbollistësh, por më e dalluar ishte fillimisht shoqëria “Rilindja” dhe më vonë shoqëria “Albaner Boys”. Koha për të cilën flet Besimi ishin vitet e fundit të ‘80-ve dhe fillimi i viteve të ‘90-ta.
“Fillimisht për shkak të disa obligimeve administrative dhe teknike klubi shqiptar “Përparimi” në Cyrih nën drejtimin e Avni Bunjakut u detyrua të zhvillojë aktivitetin nën ombrellën (nënseksion) e klubit të atëhershëm italian “Venusio Calcio” dhe më vonë pasi numri i të interesuarve rritej, u organizuan disa takime me aktivistë të ndryshëm të asaj kohe dhe pas konstituimit të kryesisë dhe pranimit të FC Kosovës nga FVRZ, ëndrra e shumë shqiptarëve u bë realitet”, deklaron Rexhiqi.
Me plot përgjegjësi konstaton Rexhiqi se pas shumë takimeve dhe punëve të bëra në atë kohë, 1994-a ishte viti kur anëtarët iniciatorë të këshillit themelues të FC Kosovës dhe më pas të paraqitur në Lidhjen Futbollistike të Regjionit të Cyrihut ishin siç vijon: kryetar Hamdi Raçi, nënkryetar Avni Bunjaku, sekretar Shemsedin Ismajli, arkëtar dhe udhëheqës sportiv Nevzad Musliu, udhëheqës teknik dhe trajner Sepp Hess. Përgjegjës për sponsorë Shaban Hajdari, masazhist Milaim Misini.
Duhet pasur parasysh se FC Kosova në Cyrih prapa kryesisë kishte një numër të konsiderueshëm të futbollistëve cilësorë, të cilët këta djelmosha shqiptarë dëshmuan me vite se janë futbollistë, por edhe sportistë të mëdhenj. Tani disa nga ata i gjejmë ende aktivë në struktura të ndryshme të FC Kosovës, por edhe si futbollistë te seniorët.
Kështu nga kampionati i vitit 1995-1996 FC Kosova filloi të garonte me emrin që edhe sot mban, FC Kosova. Edhe në atë kohë suksesi i kuqezinjve të FC Kosovës nuk ka munguar. Ata janë ngjitur deri në ligën e tretë regjionale të Zvicrës. Ndërsa në vitin 2001-2002 ekip kaloi për herë të parë në ligën e dytë regjionale, për t’u kthyer një vit më vonë në Ligën e 3-të.
Daullja, e pranishme në të gjitha ndeshjet
„Qindra futbollistë shqiptarë kanë kaluar nëpërmjet FC Kosovës“, thotë Besimi. FC Kosova është një ndër klubet më të suksesshme të migrantëve në Zvicër. Klubi ka lënë gjurmë te vendësit me numrin më të madh të shikuesve nëpër tribuna. „Daullja ka bërë jehonë në çdo lojë të FC Kosovës dhe na ka dalluar si shqiptarë. Publiku ka qenë motivimi i madh për futbollistët“, tregon Besimi.
„Qëllimi i krijimit të klubit nuk ka qenë vetëm të luajmë futboll, por edhe t’i largojmë të rinjtë nga rruga. FC Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë zvicerane. Duke luajtur futboll, në aspektin social kanë përfituar kulturë sportive të komunikimit me komunitetet e tjera“. Ne si klub po bëjmë të pamundurën të tregojmë se si komunitet jemi integruar mirë në shoqërinë zvicerane. Si ekip emigrantësh gjithmonë ishte përballur me probleme financiare, ngase mungonte përkrahja nga afaristë të mirëfilltë shqiptarë që veprojmë në Zvicër.
Por Besim Rexhiqi asnjëherë nuk është penduar për kontributin që ka dhënë në mbarëvajtjen e klubit për këto vite. Besimi ka sakrifikuar edhe familjen, duke mos kursyer as kohë e as para për FC Kosova.
„FC Kosova mbetet krenaria e shqiptarëve në Zvicër, sepse janë vlera që duken dhe janë vlerësuar nga Lidhja Futbollistike e Zvicrës. Ne iu kemi treguar zviceranëve se nuk merremi vetëm me politikë. FC Kosova ka qenë ambasador i shqiptarëve në Zvicër“.
Ai ishte ndier keq kur e humbi bashkëpunëtorin më të ngushtë Qaush Avdijaj, por edhe ishte gjetur shumë në siklet kur janë treguar gjeste josportive në fushë nga futbollistët e FC Kosovës.
Më 2006 i bashkohet ekipit të FC Kosovës Arsim Hyseni, por jo si futbollist, ngase ai nuk ka luajtur kurrë futboll, por si kryetar i klubit. I pasionuar pas futbollit Hyseni është bërë pjesë e pandashme e ekipit, kuptohet në strukturat organizative. Ai e kishte gjetur në gjendje kritike financiare me premtimin e strukturave organizative për të udhëhequr klubin.
Kryesia e FC Kosovës aktualisht udhëhiqet nga 7 anëtarë. Klubi komplet vetëfinancohet nga sponsorët, të hyrat nga shikuesit, anëtarët pasivë dhe prej anëtarësisë aktive.
„Prej 2006 nuk ka ndodhur të kemi ndonjë vërejtje për ndonjë mospagesë të klubit. Nëse klubit i kanë munguar mjetet, atëherë i kam paguar faturat me të hollat e mia. Deri më tash sponzorisuesit nga bizneset, pagesat e anëtarësimit dhe një shumë e vogël e mbledhur nga biletat mund të përmbyllin shpenzimet“, tha Arsim Hyseni.
„Unë jam vetëm pjesë e mozaikut të suksesit të klubit FC Kosova, duke i dhënë kahe zhvillimore, por gjithmonë me ndihmën edhe të kryesisë, anëtarësisë aktive, duke përmirësuar edhe imazhin, po edhe rezultatet sportive“.
Për Hysenin sukseset sportive nuk maten vetëm me ngjitjen nga një ligë në tjetër, ngase klubit i duhet një buxhet tjetër.
FC Kosova ka një bazë solide financiare, por i gëzohet çdo ndihme që vjen nga jashtë, ngase klubi ka vizion për zhvillim edhe në të ardhmen, për kalim në rang më të lartë garash.
Së paku 60 % të lojtarëve të jenë shqiptarë
Kryetari i klubit, Arsim Hyseni, i tha albinfo.ch se klubi po ruan identitetin që ka krijuar nga shqiptarët.
“Duke e respektuar pozicionin tonë në shoqërinë zvicerane, klubi ka qenë dhe do të mbetet një familje që përfaqëson komunitetin shqiptar. Ndërkohë është duke u zhvilluar në një klub për tërë Cyrihun dhe Zvicrën”, thotë Hyseni.
Megjithatë, shumica nga 11 lojtarët aktivë janë shqiptarë. Por, urdhrat nga banka jepen në gjuhën gjermane. Trajneri i ekipit është Enver Osmani, një shqiptar me origjinë nga Maqedonia.
Ndërkohë struktura e repartit të juniorëve të FC Kosovës në masë të vogël ka filluar të përzihet nga etnitete të ndryshme futbollistësh.
Udhëheqësit e klubit e arsyetojnë këtë si hap drejt integrimit të të rinjve në shoqërinë zvicerane.
„Krejt kjo ndodh për shkak se lojtarët shqiptarë i ftojnë shokët e nacionaliteteve të tjera për të luajtur futboll në klubin tonë dhe të tyre“, tha Hyseni.
Deri tani Hyseni tha se futbollistët kanë luajtur për shtetin dhe popullin e tij, por vë në pah se klubi FC Kosova është një lloj makine e rëndësishme për integrim në Zvicër. Megjithatë, ai insiston se do të ruhet trungu që ekipi i FC Kosovës të përfaqësohet nga shqiptarët.
Kryetari i klubit FC Kosova Cyrih ka falënderuar të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë ndihmuar aktivitetet e klubit. “Falënderoj sponsorët, lojtarët dhe një mirënjohje e veçantë i dedikohet të ndjerit Qaush Avdijaj, i cili me vite të tëra ishte aktivistë i zellshëm i klubit tonë”, thekson Hyseni.
FC Kosova ka për synim ligën e parë Classic të Zvicrës
Trajneri i ekipit të parë, Enver Osmani, nga Gostivari, thotë se në të ardhmen duhet ta zhvillojnë konceptin që 60 për qind e futbollistëve të jenë shqiptarë. „Nuk mund të quhet klubi FC Kosova pa shqiptarët. Skuadra duhet të zhvillohet me filozofinë që e dallon nga klubet e tjera“, tha Osmani.
„Ekipi edhe më tej ruan stilin shqiptar të futbollit që karakterizohet me një temperament të lartë. Me një përzierje të stilit tika-taka me një teknikë të zhdërvjelltë“.
Trajneri Osmani thotë se është një moto e klubit që të luajë atë formë futbolli, me të cilën do të argëtoheshin si të vjetrit, ashtu edhe të rinjtë. „FC Kosova nuk e kishte problem asnjëherë të rekrutonte futbollistë të rinj nga dashuria që kanë për emrin e klubit. FC Kosova është „brendi“ më i mirë për një klub në Zvicër“, flet për objektivat sportive dhe kulturore trajneri Enver Osmani.
Trajneri shpreson se klubi jo vetëm se do të eksportojë futbollistë në ekipet e ligave më të larta, por një ditë presin ta shohin ekipin e tyre favorit të luajë vetë kundrejt klubeve më të mëdha në tërë vendin.
Udhëheqës të klubit kanë bërë thirrje me rastin e përvjetorit të 20 jubilar të FC Kosovës që prindërit shqiptarë të sjellin fëmijët e tyre të luajnë futboll nga mosha 7-vjeçare.
FC Kosova synon shumë shpejt të bëhet shkollë futbolli për të gjitha grupmoshat në Zvicër.
Rekordi i Haxhiut: 55 gola për një sezon
Fazli Haxhiu tashmë është “pensionuar” nga futbolli. Vlerësohet të jetë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve, me 55 gola të shënuar në një kampionat. Ai ishte ndër më meritorët për kalimin e FC Kosovës në Ligën e dytë interregjionale.
Alban Muharremi (18) është lojtari më i ri në klubin e FC Kosocës, dhe ai thotë se ndjehet krenar që luan për këtë klub.
“Jam krenar që luaj këtu, dhe vetë emri i klubit më bën që të ndjehem krenar. Jam lojtari më i ri në klub, dhe kemi respekt të ndërsjellë në mes vete“ tha Alban Muharremi
Futbollisti tjetër i FC Kosovës që njëherësh është edhe golashënuesi më i mirë i klubit Shqiprim Alia (21) thotë se është shumë i kënaqur te klubi i FC Kosovës.
“Lojtarët janë shumë të mirë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, luajnë mirë si dhe në lojë të gjithë e japin maksimumin, e kjo është shumë e rëndësishme për klubin” tha Shqiprim Alia, për të cilin ky është sezoni i parë në këtë klub dhe deri më tash ka shënuar gjithsej 16 gola.
E-Diaspora
-
Manifestimi i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lozanës Është bërë manifestim i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universiteteve të Lozanës (AEAUL), ditën...
-
Astronomja nga Kosova ndan përvojen e saj në Konferencën e Shkancave Hënore dhe Planetare në Houston
-
Rritet numri i shqiptarëve që heqin dorë nga nënshtetësia në këmbim të një pasaporte evropiane
-
Shqiptarja 55 vjeçare gjendet e vdekur në banjë – arrestohet bashkëshorti
-
15 vjeçarja me prejardhje nga Kosova u raportua e zhdukur në Francë, ambasada e Shqipërisë njofton rikthimin në familje
Jeta në Zvicër
-
Më shumë udhëtarë pa biletë se kurrë më parë në Zvicër, a ka më shumë kontrolle tani? Numri i udhëtarëve pa biletë në Zvicër po rritet vazhdimisht, me mbi një milion raste të...
-
Zvicër: Nga 1 Korriku do të duhet të dini edhe më shumë në testin e vozitjes
-
Sa vende pune në Gjenevë mund të humbasin për shkak të shkurtimeve të ndihmës nga SHBA?
-
Mbështetësit e Isis-it në Winterthur përballen me Gjykatën Penale Federale
-
PostFinance, “Klientët tanë po shpenzojnë më shumë se në janar”