Futboll
Loja cilësore e FC Kick-in të Kosovës në “Meyrin Cup 2023” impresionon të gjithë
Të 15-të lojtarët e FC Kick-in ishin të mrekullueshëm si në lojë ashtu edhe në sjellje
Akademia e Futbollit Kick-in nga Kosova edhe pse e formuar vetëm para dy viteve po tregohet mjaft e suksesshme.
Ajo dy herë radhas me grup moshat U-11, merr pjesë në turnirin ndërkombëtar të futbollit “Meyrin Cup“ të Republikës dhe kantonit të Gjenevës.
Udhëheqësit e kësaj Akademie Gazmend Haliti dhe Kushtrim Munishi, ish-futbollistë të njohur të Prishtinës, në këtë Akademi kanë tubuar fëmijë me talent të rrallë në futboll.
Ata në këtë turne tashmë tradicional të futbollit, ku marrinë pjesë ekipe të njohura të Anglisë, Italisë, Spanjës, Francës dhe Zvicrës, vitin që shkoi kanë luajtur në finale.
Suksesi i vit të kaluar për akademikët e vegjël të Kosovës, do të përsëritej edhe sivjet fare lehtë sikur FC Kick-in, të kishte vetëm pak më tepër fat.
Këtë skuadër me futbollistë të shkëlqyeshëm dhe shpresë e ardhshme e futbollit të Republikës së Kosovës, jashtë ciklit final kësaj here e lë ekzekutimi i penalltive në ndeshjen All*Soccker – FC Kick-in 1:0.
Këta fëmijë të mrekullueshëm të Kosovës edhe pse me mungesë palestrash dhe fushash të futbollit, me angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë dy ditëve, sa edhe ka zgjatur turneu u kanë rënë në sy të gjithë shikuesve.
Veç kësaj edhe pse ende të njomë dhe me një orar të stërngarkuar të ndeshjeve kanë demonstruar lojëra cilësore me raste të shumta shënimi.
Gent Munishi qendërsulmues i FC Kick-in të Kosovës, që muajin e kaluar i ka mbushur 11 vjet për portierët e skuadrave kundërshtare ka qenë rrezik i vazhdueshëm.
Ai ndaj FC Champel të Gjenevës ka shënuar katër gola të bukur nga pozita që portieri dhe mbrojta kundërshtare i vlerësonin si të pamundshme për të shënuar.
Munishi një talent i vërtetë i futbollit i disponuar për t’u dhuruar momente gëzimi mërgimtarëve tanë të shumtë, që po i përcillnin lojërat e FC. Kick-in, bën hetrik edhe në ndeshjen FC Kick-in -Grand Saxonnex 3:0.
Ai kuotën e shënimeve do ta shtojë në 12 gola, secili më i bukur se tjetri, duke shënuar edhe ndaj skuadrës FC Juventus Academy-FC Kick-in 0 :1.
Munishi shënon dy gola edhe ndaj FC Lausanne të Zvicrës . Ky takim në kohë të rregullt përfundon me rezultatin baras 2:2.
Pasi që patjetër duhej të përcaktohej fituesi i këtij takimi pason ekzekutimi i penalltive. Me këtë rast më me fat janë llozanasët të cilët nga 11-metërshi e mundin FC Kick-in 2:1.
Gent Munishi që nga trajnerë e gjyqtarë të këtij turneu u pa si një shpresë e ardhshme e futbollit kosovar, me gola që rrallë shihen i ka mposhtur edhe portierët e skuadrave finaliste US Mauguio Carnon dhe DB Academy të Francës.
Njohësit e futbollit si favorit të këtij turneu i kanë paraparë anglezët, kosovarët eventualisht spanjollët.
Mirëpo, loja e futbollit e karakterizuar me befasi dhe të papritura i ka çuar në ballafaqim në ndeshjen finale skuadrat franceze US Mauguio Carnon të regjionit Occitanie dhe DB Academy të Parisit.
Minutat e rregullt të këtij takimi final kanë përfunduar me rezultatin baras 3:3. Më të saktë në gjuajtje të penalltive tregohen 11vjeçarët e DB Academy të Parisit dhe Kupa e turnirit “MEYRIN CUP 2023”shkon në sirtarët e klubit të tyre.
Lojë interesante dhe me shumë kthesa ishte edha ajo ndërmjet FC Deportivo la Coruna dhe FC Kick-in të Kosovës.
Spanjollët që në minutat e parë të ndeshjes vinë në epërsi 1:0. Kur të gjithë menduan që takimi do të përfundojë në favor të tyre, lojtari nga Kosova, me origjinë kroate Marko Malsiq, me një gjuajtje të rrëmbyeshme barazon rezultatin në 1:1.
Edhe këtu ngadhënjyesin e përcaktojnë penalltitë. Akademikët e vegjël kosovarë sikur janë të pafat, pësojnë edhe nga moshatarët e tyre spanjollë me rezultat të ngushtë 12:11.
Në këtë odisejadë penalltish i fundit për ekipin e tij gjuan portieri Rene Kuqi, i cili godet shtyllën pingule, në anën e majtë nga brenda, por për fatin e tij të keq topi nuk e kalon vijën e portës dhe fitues dalin spanjollët, që nuk ishin asnjë grimë më të mirë se moshatarët e tyre nga Kosova.
Të 15-të lojtarët e FC Kick-in ishin të mrekullueshëm si në lojë ashtu edhe në sjellje. Mirëpo, me lojën e tyre brilante kërshërinë e tifozëve e zgjojnë Munishi i shpejtë dhe preciz në gjuajtje dhe mbrojtësit Diar Xhogoviq e Leart Sinani.
Madje, Xhogoviq jo vetëm që i evitoi të gjitha rreziqet që i vinin portierit të skuadrës së tij Rene Kuqi, por edhe shënoi dy herë, nga një distancë bukur e madhe.
Falë dy golave të Diar Xhogoviq dhe bashkëlojtarëve të tij Riad Muçaj dhe Dren Krasniqi, FC Vevy e kantonit Vaud të Zvicrës mposhtet 4:0.
Shumëkujt i kanë bërë përshtypje edhe kërcimet në ajër për mrekulli të qendërmbrojtësit Leart Sinani.
Ai gjakftohtë dhe i sigurt të gjithë topat që i shihte me rrezik për portierin e skuadrës së tij Rene Kuqi i largonte me kokë, sikur të ishte 18 apo 20 vjeç.
Përveç lojtarëve të përmendur përfaqësim të denjë klubit të tyre i bënë edhe futbollistët e tjerë si: Jon Goxhuli, Norik Berisha, vëllezërit binjak Altin e Altar Nikqi, Muhamed Bajra, Erion Gajraku, që me shpirt luftonte për çdo top të humbur.
Po ashtu vërehej edhe vetëmohimi i Andi Halilit dhe portierëve Rene Kuqi dhe Ubejd Ramadani.
Trajnerët Haliti dhe Munishi duke e pasur parasysh moshën e këtyre vocërrakëve u treguan profesionistë të vërtetë, ku me shumë gjentilesë i morën në konsideratë të gjitha kërkesat e tyre.
Edhe në lokalet e zhveshjes nuk dëgjohej kurrfarë zhurme, secili lojtarë dëgjonte me vëmendje këshillat dhe detyrat që i jepnin trajnerët Haliti e Munishi.
Kur të kihet parasysh fakti se në këtë turne morën pjesë 24 ekipe që kanë emër në Evropë dhe jashtë saj, pozicionimi i FC Kick-in, nga Kosova në vendin e 8-të, është për çdo lëvdatë.
Po ashtu kur pamë që përkrah flamujve të Anglisë, Italisë, Zvicrës, Francës dhe Spanjës valonte edhe flamuri i Republikës së Kosovës, të gjithë u ndjemë krenarë dhe përjetuam një kënaqësi të veçantë.
Duhet pranuar që ardhja e kësaj skuadre të Kosovës në këtë ngjarje të madhe sportive nuk do të realizohej sikur të mos ishte ndihma e vëllezërve Salihu dhe e disa familjeve bujare të cilat prej vitesh jetojnë në Gjenevë. Sistemimin e fëmijëve në këto familje e ka programuar me kohë z. Avni Salihu.
Në mënyrë që fëmijët tanë nga Kosova të ndihën sikurse në shtëpitë e veta, pritjen dhe përcjelljen e tyre në Aeroportin e Gjenevës, së bashku me axhën Avni e kanë bërë djem dhe vajza të familjes Salihu.
Ngjashëm me ta ka vepruar edhe Milazim Maliqi, një mërgimtar i hershëm nga Busovata e komunës së Dardanës.
Në mungesë informimi apo arsye të panjohura për ne, përfaqësuesit diplomatik të Kosovës dhe ata të Shqipërisë të akredituar në Bernë dhe Gjenevë të Zvicrës, askush nuk i ka vërejtur në këtë ngjarje të madhe sportive.
ARIF EJUPI
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër? Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme në Zvicër. Ekspertët besojnë se rregulloret aktuale janë të...
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes