Kosova

FAZ: Qeveria e Kosovës, për herë të parë pa “guerilë”

"Është hera e parë që asnjë anëtar i ish-lëvizjes çlirimtare të UÇK-së nuk përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës. Kryeministri i ri, Albin Kurti, ka një marrëdhënie të veçantë me Serbinë - ai dikur ishte atje në burg”, nis shkrimi i prestigjiozes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” lidhur me Qeverinë e re të Kosovës

Është një pikë kthese për Kosovën: për herë të parë nga tërheqja e trupave serbe, më shumë se dy dekada më parë, shteti më i ri në Evropë do të qeveriset nga një kabinet pa pjesëmarrjen e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK), shkruan Michael Martens, korrespondent për Evropën Juglindore i gazetës së njohur gjermane,  “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Katër muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, 66 nga 120 deputetët në Parlament votuan të martën mbrëma për qeverinë e koalicionit, të cilin do ta udhëheqë ish-lideri studentor, Albin Kurti. Koalicioni përbëhet nga partia e majtë nacionaliste Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike konservatore, e cila, me kandidaten e saj Vjosa Osmani, doli si   forca e dytë në zgjedhjet e tetorit.

Kundër vullnetit të tij, Kurti u desh të pranonte në kabinetin e tij dy deputetë serbë që i përkasin “Listës Serbe”, e cila kontrollohet nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta gjermane, transmeton albinfo.ch. Kushtetuta që i është imponuar Kosovës nga Perëndimi para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 e bën të detyrueshme që në çdo kabinet të përfshihen edhe ministra nga pakicat etnike.

Në deklaratën e tij pas shpalljes së qeverisë, Kurti ka premtuar fillimin e një “epoke të re” dhe i ka shpallur luftë korrupsionit, pa marrë parasysh gradën dhe emrin e atyre që janë të përfshirë në korrupsion. Një premtim si ky në fakt ka qenë arsyeja kryesore për suksesin e tij në zgjedhje. Mbetet të shihet nëse qeveria e tij me të vërtetë do të ndryshojë në këtë drejtim nga kabinetet e mëparshme, shkruan FAZ. “Por të paktën zyrtarisht, hyrja e Kurtit në qeveri përbën me të vërtetë një epokë të re – qoftë dhe vetëm për faktin se pasardhësit e UÇK-së nuk janë më të përfshirë drejtpërdrejt në pushtetin politik”.

Pasi përshkruan rrethanat se si fituan pushtetin politika personalitetet e dala nga lufta, gazeta vazhdon: Sidoqoftë, batica u kthye me zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat u zhvilluan pa incidente të mëdha dhe në rrethana më demokratike sesa në Serbinë fqinje ose në Shqipëri.

I zhgënjyer nga pushteti i “guerilëve” që zgjati shumë, pushtet i cili perceptohet si i korruptuar dhe kleptokratik, elektorati kosovar u përcaktua për opcione tjera. As Vetëvendosje dhe as LDK nuk kanë rrënjë në UÇK. Kurti ka qenë përkohësisht  bashkëpunëtor i ngushtë i zëdhënësit të UÇK-së Adem Demaçi, një pionier i pavarësisë së Kosovës për dekada. Por ai kurrë nuk u ishte bashkuar partive që kishin dalë nga ish luftëtarët, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, Vetëvendosjes dhe LDK-së iu deshën muaj të tërë për të rënë dakord rreth ndarjes së pushtetit. Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Parlamentit të Kosovës.

Kurti dikur, në vitet `90 kishte organizuar demonstrata kundër sundimit serb mbi Kosovën. Ndërsa më vonë edhe kundër “kolonizimit” të Kosovës nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Komuniteti ndërkombëtar tani pret që ai të rinis dialogun me Beogradin dhe të heqë taksat e vendosura nga Haradinaj për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Kurti, si qëllim afatgjatë të politikës së jashtme promovon synimin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndonëse këtë nuk e bën në mënyrë aq agresive sa disa vjet më parë.

Në vazhdim, gazeta përkujton se Kurti “ka pasur një marrëdhënie të veçantë me Serbinë: në prill të vitit 1999, gjatë sulmeve ajrore të NATO-s, ai qe arrestuar në Prishtinë nga regjimi i tiranit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviç dhe qe deportuar në Serbi, përcjell albinfo.ch. Atje ai ishte dënuar me 15 vjet burg për “terrorizëm” dhe rrezikim të “unitetit të Jugosllavisë”.

Kurti kishte fituar famë kur, në fillim të gjykimit, kishte deklaruar se nuk e njihte Serbinë, Jugosllavinë dhe as gjykatën “që po i shërbente regjimit fashist të Sllobodan Millosheviçit”.

Edhe pas rënies së Millosheviçit në tetor të vitit 2000, kur kishte ardhur në pushtet qeveria e reformatorit pro-evropian të ekzekutuar më vonë, Zoran Xhinxhiç, Kurti fillimisht nuk u la i lirë, përcjell albinfo.ch. Ai u lirua vetëm në dhjetorin e vitit 2001, nën presionin ndërkombëtar.

Nëse BE do të rifillojë dialogun serbo-kosovar për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Kurti gjithashtu do të hyjë në negociata duke pasur në kokë kujtimet e viteve të tij të burgut serb, shkruan gazeta gjermane, transmeton albinfo.ch. “Unë jam gati të flas me Beogradin”, është shprehur ai pas zgjedhjes së tij. “Por ne insistojmë në reciprocitet të plotë në tregti, politikë dhe ekonomi”.