Kultura

FAZ: Fototeka Marubi, “një thesar i fshehur mirë”

Në veriun e Shqipërisë ndodhet një thesar i fshehur: gjysmë milioni fotografi mbi kulturën, modën dhe historinë e vendit. Tablotë nga një kohë kahmot e harruar...

 

Në veriun e Shqipërisë ndodhet një thesar i fshehur: gjysmë milioni fotografi mbi kulturën, modën dhe historinë e vendit. Tablotë nga një kohë kahmot e harruar janë të fshehura mirë. Kush i kërkon, i gjen ato dhe “shpërblehet”. Kështu e fillon gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” një artikull mbi fototekën e famshme të Shkodrës, “Marubi”. Gazetarja gjermane, duke zbuluar këtë thesar, zhytet në një botë të vjetër e të harruar që për të është krejt e re dhe ekzotike.

“Pjetër Marubi sigurisht as në ëndërr nuk do ta ketë parë se në një kohë atij do t`i kushtohej një muze. Dhe nëse edhe kjo megjithatë mund të ndodhte, fotografi nuk do të besonte kurrë se si një muze mund të fshihej kaq mirë”, shkuan gazetarja e FAZ duke iu referuar “labirintit” në të cilin gjendet fototeka, transmeton albinfo.ch.

Ne duhet patjetër të udhëtojmë atje, në Shkodër, në veri e Shqipërisë, na thanë artistë nga kryeqyteti, Tirana. Rreth gjysmë milioni foto-negative ndodhen në arkivin e muzeut: kulturë, modë, arkitekturë dhe ngjarje historike nga e kaluara e Shqipërisë e para më shumë se 100 viteve. Një thesar kulturor.

Si vendndodhje na orientuan me qendrën e Shkodrës. Kur ne mbërritëm në qytet, ishte mesditë me vapë. Qendra ishte e vogël: një rrethrrotullim, në mesin e tij shpërthente një fontanë betoni nga arti komunist, nga e djathta një kupolë e një xhamie, nga e majta një kishë ortodokse. Pllaka e parë udhëzuese ku shkruan “Marubi”, të çon te shkolla e lartë, e cila mban po atë emër. Në google pastaj e gjejmë një pikë me emrin “muzeu” që ndodhej afër qendrës por ajo në fakt ishte një gërmadhë.

Përfundimisht na drejtoi një kamerier i një bari, duke na treguar se vendi qe kërkonim ishte dy rrugë më tutje, pastaj duhej kaluar dy kënde rrugësh, përmes një hyrjeje të prapme dhe ne tashmë ndodheshim para mbishkrimit “Fototeka Kombëtare Marubi”, që e kishte sjellë Ministria Shqiptare e Kulturës. Nga i gjithë ky labirint ku është vendosur, duket sikur të jetë menduar që thesarin ta mbanin për vete.

Muzeu ndodhet në katin e parë të një ndërtese ngjyrë gri dhe me fasadë që po derdhej. Në mure, dhjetëra fotografi bardh-zi në korniza të errëta. Ne po mahniteshim nga bukuria e fotografive: portrete bujqish shqiptarë nga malet, me revole dhe me plisa; gra katolike me pantallona të gjera (dimi), fytyrat e të cilave humbeshin mbrapa mbulesave të tyre; gra myslimane në jelekë të ngushtë e të praruar etj. të cilat në studio tregonin fytyrën e tyre të pambuluar, percjell albinfo.ch gazetën FAZ.

Pastaj peizazhe nga malet rreth Shkodrës, fotografi nga arritja e princit gjerman Wielhelm von Wied i cili ka qeverisur vendin për disa muaj në vitin 1913. Tablotë tregojnë një botë të humbur në mes të oksidentit de orientit, ato rrëfejnë mbi qytetarinë që ishte ne ngritje, mbi jetën e bujqve, luftën e lëvizjes nacionale shqiptare dhe mbi atë se si moda nga Parisi kishte gjetur rrugën edhe në këndin më të largët të Ballkanit”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung” duke bërë fjalë për fototekën “Marubi” të Shkodrës.