Sport

Faton Vukshinaj Kampion Bote në WMAC

Të shtunën mbrëma ishte hera e katërt që shkolla e boksit „Golden Dragon” në Bazel organizoi mbrëmje spektakulare boksi në „Thai Box dhe Kickbox”, e cila u mbajt në Reinach të Basel Land. E veçanta e kësaj mbrëmjeje të madhe ishte pa dyshim lufta në mes të kampionit të botës në Kickbox ISKA, Faton Vukshinaj, dhe kampionit të shumëfishtë, turkut Erkan Varol.

Me fillim në orën 19:00, salla në Reinach ishte mbushur pothuajse plot. Në mesin e shumë adhuruesve të këtij sporti, mund të thuhet se gjysma ishin shqiptarë, gjë që vërehej lehtë edhe nga ekspozimi i simboleve kombëtare. Por ardhja e tyre kishte edhe një shkas, sepse nga gjithsej 22 garues, 4 ishin shqiptarë, e sidomos interesim kishte zgjuar garimi i Fatonit, pasi që bëhej fjalë për titull të botës për K1 në kategorinë 72.5 kg në WMAC (Komiteti Botëror i Arteve Marciale).

I pari ndër shqiptarët, por edhe ndër garuesit, i cili u ngjit në ring ishte Besim Fejzulahovic, që garonte në kategorinë 90 kg. Kundërshtari i tij ishte Khaled Sahki, e që për mposhtjen e kundërshtarit Besimit iu deshën hiq më pak se 50 sekonda, ku pas disa goditjeve të furishme, vazhdimi i luftës ishte i pamundur për Sahki-n.

Por fatin e njëjtë si të Besimit fatkeqësisht nuk e pati edhe Malsor Tafaj, i cili edhe përkundër një lufte mjaft të mirë, humbi nga vendimi i gjyqtarëve me anë të pikëve.

Ndeshja e radhës, ku protagonistë ishin shqiptarët, ishte paksa e veçantë, për shkak se si garuese kishte Bestare Kicajn, e cila praktikon karatenë që nga mosha 8-vjeçare, e cila së fundmi është kyçur edhe në Full Contact dhe MMA (Arte marciale të përziera). Pas ndeshjes, ku kundërshtare kishte Aline Seiberth, Bestarja fiton luftën në bazë të pikëve.

Pas ndeshjes ajo tejet e emocionuar shprehet për albinfo.ch se është shumë krenare që është shqiptare, e si e tillë tenton që t’i përfaqësojë vlerat e saj edhe në këtë sport.

Dhe jo më kot thuhet se ëmbëlsira lihet për fund. Ajo për të cilën me padurim pritej ishte pa dyshim lufta në mes të Faton Vukshinajt dhe Erkan Varol.

Edhe pse përvoja dhe statistikat në karrierën e garuesit turk Varol ishin të frikshme ( 96 luftëra – 73 fitore), kjo nuk ishte problem aspak për Fatonin. Ai me një bilanc prej 22 luftërash, 20 prej tyre fitore, si dhe me 10 vjet diferencë në moshë, shpresonte që të përmbushte dëshirën e tifozëve të shumtë si dhe të trajnerëve që të stolisej me titullin e botës.

Pas një lufte që ngjasonte me atë të gladiatorëve, për shumë të pranishëm në sallë fituesi dihej që pas rundit të tretë, se boksohej në 5 runde. Mirëpo dy rundet e fundit vetëm sa e vërtetuan se ata kishin të drejtë. Me vendim unanim të gjyqtarëve, Faton Vukshinaj shpallet Kampion i Botës për K1 në kategorinë 72.5 kg në WMAC (Komiteti Botëror i Arteve Marciale).

I ngazëllyer nga fitorja, e në përcjellje të vëllait dhe trajnerit të tij, Mërgimit, e gjithsesi i mbuluar me flamurin kuq e zi, ai shprehet mjaft i lumur për këtë fitore, e cila u dedikohet pa dyshim shqiptarëve. Mërgimi thekson se pas fitores kundër një kundërshtari të tillë, Fatoni ka dëshmuar edhe një herë se synon majat e këtij sporti. Titujt e tjerë, të cilët Fatoni i ka fituar deri më tani janë: WKA SWISS Champion 2010 – WUFC kampion i turneut 2010 – ISKA Kickbox kampion botëror 2012 – ISKA K1 nënkampion botëror 2012 – 2013 mars, Volksmarsen Champion – 2013 tetor WBC Muay Thai Champion.

Krejt në fund, pothuajse “fajtori” kryesor për këtë ngjarje të madhe sportive, Florim Brajshori, duke falënderuar albinfo.ch për përcjelljen e ngjarjes, deklaron se edhe pse ngjarja kishte shkuar ashtu siç ishte planifikuar, atë e bën më të madhe edhe fakti se shqiptarët dolën fitues në këtë event.

Gjergjaj, i ftuar special

Si i ftuar special në këtë mbrëmje ishte edhe Kampioni i Boksit, Arnold Gjergjaj, i cili u nda më se i kënaqur nga kjo mbrëmje. Ai po ashtu pati porosi për bashkatdhetarët shqiptarë se puna që po bëhet në sporte të ndryshme në Zvicër ka krijuar një shembull të mirë për integrimin e shqiptarëve në Zvicër, duke nxitur kështu që një punë e tillë të bëhet edhe në fushat e tjera.