Kosova

Faton Topalli: Fajtor për pritjet e mërgimtarëve është Ministria e Brendshme

Pak ditë më parë Parlamenti i Kosovës votoi rezolutën, e cila për qëllim kishte lehtësimin e procedurave kufitare për mërgimtarët. Megjithatë kjo nuk ka gjetur zbatim në pikat kufitare. Për këtë, fajtore sipas Faton Topallit, është Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, i cili e ka propozuar këtë rezolutë, tha për “Gazeta Blic”, se kjo rezolutë nuk është duke gjetur zbatim. Ai tha, se ditën e diele ka vizituar pikën kufitare në Vermicë, dhe që ka biseduar me mërgimtarë dhe punonjësit e policisë.

“Me 6 korrik, Kuvendi i Kosovës me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare ka miratuar rezolutën e PSD për heqjen, respektivisht për reduktimin e kontrollit kufitar për qytetarët tonë që jetojnë jashtë vendit. Zbatimi i rezolutës është dashur të filloj me 15 korrik. Për zbatimin e saj është përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme. Unë kam vizituar të dielën pikën kufitare në Vermicë dhe kam biseduar me mërgimtar dhe punonjësit e policisë. Pritjet në kufi mes orës 12 dhe 13 nuk kanë qenë më të gjata se 5 minuta. Më shumë kohë ka marr pagesa e policës kufitare. Nga punonjësit e policisë jam njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka njoftuar pikat kufitare me rezolutën gjë që flet për probleme në zinxhirin e brendshëm të policisë. Rezoluta është obligative dhe ajo duhet të implementohet nga Ministria e punëve të brendshme”, është shprehur Topalli.

Deputeti Topalli, bëri të ditur se problemet më të mëdha janë në kufirin me shtetin serb. Po ashtu, ai tregoi se, rezoluta parasheh që edhe numri i policisë në periudhën 15-korrik-15 shtator duhet të dyfishohet.

“Në ndërkohë kam marrë shumë mesazhe për pritje të gjata në kufi. Ne si Republikë e Kosovës nuk kemi ndikim në kontrollet që zhvillohen në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Problemet më të mëdha si duket janë në kufirin me Serbinë, ku ne nuk kemi ndikim, por që duket sikur janë të aranzhuar. Unë kërkoj nga Ministria e Punëve të brendshme ta zbatoj rezolutën e cila është obligative. Gjatë kësaj kohe kompanitë e sigurimeve duhet t’i dyfishojnë kapacitetet e tyre, Rezoluta kërkon që edhe numri i punonjësve të policisë në pikat kufitare për periudhën 15 korrik-15 shtator të dyfishohet”, tha ai.

Topalli, theksoi edhe një herë se është shumë e pakuptimtë që mërgimtaret nga Kosova, të ndalen e të presin gjatë në kufi.

“Nuk ka asnjë kuptim që mërgimtarët nga Kosova, pas kalimit të një varg mekanizmash të kontrollit dhe sigurisë të ndalen gjatë edhe në kufirin e Kosovës. Në të njëjtën kohë më duhet të theksoj që Delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë duhet ta tematizoj edhe këtë çështje pasi që frenimi i kalimit të shpejt në kufirin me Serbinë është i aranzhuar dhe ka qëllime destruktive”, ka përfunduar ai.
Zbatimi i rezolutës, do t’ua lehtëson mërgimtarëve proceduarat që të hyjnë në Kosovë.