Tematike
Mbijetesa e artit në kohë pandemie
Artisti konceptual, Shuk Orani: "Kriza me të cilën po ballafaqohet globi, ka krijuar një qasje të re të shoqërisë njerëzore e sidomos të institucioneve përkatëse kundruall artit dhe kulturës, duke i vendosur këto padrejtësisht në rend të dytë"
Shuk Orani është një artist tashmë i njohur shqiptar nga Kosova që prej shumë vitesh jeton dhe krijon në Gjermani. Ai njihet për numrin e madh të ekspozitave, jo vetëm në Gjermani por gjithandej, nëpër botë. Tani, kur situata me pandeminë ka bllokuar shumë veprimtari, puna e artistëve është ndër ato që kanë pësuar më shumë. Në këtë kuptim, “vuajnë” edhe ekspozitat…
“Ekspozitat mund të organizohen edhe tani. Problemi është që interakcioni me publikun mbetet pre e rregullave të pandemisë! Nuk arrihet ajo që arti bart në thelb. Pra, komunikimin e hapur pa ekuivoke, pa maska e ndalesa tjera të llojit (covid19), thotë Orani në një bisedë për albinfo.ch.
“Në prag të fillimit të pandemisë kisha një ekspozitë të madhe në „Freie Galerie“ në qendër të qytetit Hamburg. Pas 10 ditëve nga hapja u desh të ndërpritej kontakti me publikun! Sigurisht, për shkak të fillimit të pandemisë në rrafsh global. Që nga fillimi i pandemisë më janë anuluar katër ekspozita të planifikuara. Dy nga këto ishin planifikuar të mbahen në muze internacionalë. Është problem jo vetëm i imi por edhe i gjithë botës së artit”, vazhdon Shuk Orani.
Një seri ose cikël punimesh me titullin e përbashkët “Trascendence” ka identifikuar për një kohë punën e Shuk Oranit. Bashkëbiseduesi ynë flet rreth kësaj. “Me Këtë term, ose këtë temë, kam filluar diku rreth vitit 2009. Në fillim e kam shtjelluar në formë konceptesh të shkurtra të shkruara, e më pas kam kaluar në fotografi artistike. Kurse në vitin 2012 e kam shtjelluar edhe me ngjyrë, gjegjësisht ngjyra vaji mbi pëlhurë si dhe mediume tjera që përdor në krijimtarinë time Transcendenca do të thotë gjithashtu shtyrje e kufijve të përvojave dhe vetëdijes sonë. Mprehja e shqisave tona për të ndier veten përsëri dhe për të gjetur paqen. Nga ky qëndrim i brendshëm, ne mund të transferojmë „fitimin“ nga ky bashkëdyzim yni metafizik në energji dhe vetëdije për mjedisin tonë, aty ku jetojmë”, shpjegon ai më tutje për albinfo.ch qëndrimin e tij artistik.
Shpërfillja e artit dhe kulturës do të na hakmerret!
Ndërsa rreth preokupimeve të tij aktuale artistike, artisti konceptual nga Gjermania në bashkëbisedim me albinfo.ch thotë: “duke qenë se mundësitë ë ekspozimit normal, për momentin janë shumë të pakta, unë muajve të fundit i jam përkushtuar vazhdimit të koncepteve artistike të cilat i kam filluar vite më parë. Në këtë fushë edhe e kam zhvilluar temën e integrimit të artit në hapësira të ndryshme publike por edhe në ato private. Fjala është për konceptin e „Artintegré“…, koncept që e kam zhvilluar me shume vite dhe njëkohësisht e kam integruar në disa lokacione, gjegjësisht në dy kontinente deri më tani.
Arti, jo vetëm sipas artistëve, nuk trajtohet siç e meriton. Kjo vlen pak a shumë gjithandej nëpër botë. Por si qëndron puna në Gjermani?. “Unë besoj që, ashtu sikur shoqëria jonë njerëzore, zhvillimi i vrullshëm teknologjik, po ashtu edhe arti po përjeton një evoluim të skajshëm. Edhe pse, për mendimin tim në një formë jo të dëshiruar. Situata apo kriza me të cilën po ballafaqohet globi, ka krijuar një qasje të re të shoqërisë njerëzore e sidomos të institucioneve përkatëse kundruall artit dhe kulturës, duke i vendosur këto padrejtësisht në rend të dytë! Pandemia, e cila ende po shfrytëzohet tej mase nga politika si prioritet, vazhdon të vështirësojë edhe më shumë zhvillimin e artit. Besoj që dëmet psikologjike edhe kur pandemia do të jetë histori do të jenë më të mëdha se ato materiale. Janë njëkohësisht arti dhe kultura ato të cilat në masë të madhe ndikojnë në ruajtjen e shëndetit shpirtëror, mendor dhe mirëqenies mbarëshoqërore. Në këtë segment edhe shteti gjerman por edhe shumë shtete tjera të botës kanë reaguar me gabime trashanike! E pasojat mbetet të shihen në dekadën në vazhdim.
Mund të jetohet nga arti por…
Në rrethet artistike shpeshherë shtrohet pyetja nëse mund të jetohet nga arti. Rrethanat në vende të ndryshme ndryshojnë, ndërsa rreth asaj se si qëndron puna me artistët në Gjermani dhe në vendet e BE-së Shuk Orani shprehet pozitivisht, por me siguri, pasi te jenë përmbushur disa kushte. “Besoj se nga arti mund të jetohet gati në çdo vend të Bashkimit Evropian. Për të arritur në këtë pikë, ku puna e një artisti/e është garant e/i mbijetesës, duhet pasur parasysh disa parametra. Duke filluar nga artisti/ja vet. Forma dhe metodat e zhvillimit të artistit modern nga ai klasik kanë ndryshuar gati se rrënjësisht! Artisti modern është menaxher i mirë, është udhëheqës i një kompanie të vogël (punëtorie, atelie, studio), realizon prezantim dhe punë profesionale ne mediat digjitale dhe ato të shkruara, komunikon profesionalisht me botën e artit – galeritë, muzetë, koleksionistët si dhe është kontabilist i zotë dhe i aftë me shifrat e ekonomisë moderne”, shprehet ai. dhe sqaron: “Unë personalisht jetoj ekskluzivisht nga krijimtaria ime artistike, më shumë se një dekadë”.
Çfarë përkufizon një artist dhe në rastin tonë z. Orani si sukses në art, është një çështje mjaft komplekse dhe nuk ka përgjigje uniforme. “Është e vështirë të gjenden parametra që mund të paraqesin suksesin si lloj „vlere“! Mendoj që, rruga më e mirë për përcaktimin e „etapave të suksesit“ janë ekspertet e lëmit në fjalë. Për mua, një sukses është vetëm një etapë e vogël e gjithë procesit. E kur të gjitha etapat e procesit do të kishin si rrjedhojë të vjela produktive në zhvillimin e një krijimtarie artistike, atëherë do të kishim një lloj hapësire teorike për të shtjelluar suksesin”.
Nga 1 shkurti Shuk Orani ka ndërruar ambientin e punës, ka marrë një lokal tjetër që i shërben si atelie pas një kohe relativisht të gjatë që kishte kaluar në një lokal tjetër. “Ndërtesa ku kam krijuar nga viti 2016 do të „shembet“ për t’u krijuar një tjetër edhe më luksoze! Adresa e re, apo Atelier Nr. 2 ku jam tani (Colonnaden 15, 20354 Hamburg) është vetëm 100 metra larg nga e para. Këtë atelier e kam përdorur edhe me herët si atelier pune, përfundon Shuk Orani.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?