Integrimi

Fanaj: “Kosovarët edhe një herë detyrohen të arsyetohen”

Tash shumë kosovarë detyrohen në arsyetohen, me gjithë faktin se nuk kanë të bëjnë asgjë me rastin

Në numrin më të ri të “Migros Magazin”, është botuar një intervistë me Ylfete Fanajn. Migros-i, ndërmarrja më e madhe e shitjes me pakicë në Zvicër, revistüen “Migros Magazin” e shpërndan gratis me një tirazh milionësh nëpër pothuaj të gjitha ekonomitë familjare të Zvicrës.

Ylfetja është prezantuar këtu si deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit dhe kryetare e organizatës second@plus në nivel të Zvicrës.

Në intervistë Fanaj përgjigjet lidhur me dy aktet e dhunshme që ndodhën dy javë më parë në Zvicër, me protagonistë shqiptarët e Kosovës.

Migros Magazin: Ylfete Fanaj, çfarë keni menduar kur keni dëgjuar për aktet e dhunshme të kryera nga kosovarët?

Ylfete Fanaj: Gjithnjë në rastet e ushtrimit të dhunës mendoj: Oh Zot , të shpresojmë se nuk ka qenë i huaj. Kur dëgjova për peshën e aktit dhe se dorasi kishte qenë kosovar, kjo më goditi tepër shumë. Kjo më mllefosi shumë pasi që e di se tash shumë kosovarë detyrohen në arsyetohen, me gjithë faktin se nuk kanë të bëjnë asgjë me rastin.

M.M. Si duket atmosfera në komunitetin shqiptar?

Y.F.: Aktualisht nuk ka temë tjetër bisede. Të gjithë janë të nemitur dhe e dinë se ata do të gjykohen si popull i tërë. Ndjehen të pafuqishëm dhe duan të bëjnë diçka por nuk dinë çfarë. M.M.: Kuvendi i Shqiptarëve në Zvicër , i themeluar para rreth dy muajve, është drejtuar në mënyrë ofensive në medie ?

Y.F.: Në këtë mënyrë dëshirohet që të veprohet kundër gjykimit kolektiv. Komuniteti kosovar në Zvicër numëron rreth 200 mijë pjesëtarë . Kuvendi ka për detyrë që tash t`i përfaqësojë të drejtat tona si bashkëqytetarë të barasvlershëm  dhe të angazhohet për integrimin tonë.

M.M.: Vrasësi i dyfishtë nga Pfäffikoni e vrau bashkëshorten e vet sepse ajo donte të ndahej nga ai. A përkon kjo me botëkuptimin kosovar të ndarjes së roleve?

Y.F.: Jo. Kjo përkon me strukturat patriarkale të familjeve, të tilla çfarë kanë jetuar më parë në fshatra. Një numër migrantësh të viteve të nëntëdhjeta i kanë marrë me vete (ato botëkuptime) dhe vetëm sa i kanë përforcuar këtu. Mirëpo, nga njerëzit e tillë sot edhe në Kosovë  distancohen. Atje në përgjithësi përqeshen emigrantët, për faktin se në Zvicër kultivojnë traditat dhe folklorin siklur dikur.

M.M.: Si duhet të përfytyrohet Kosova e sotme?

Y.F.: Në fshatra jetohet disi ngjashëm sikur në Zvicrën qendrore rurale. Pra, në mënyrë më pak moderne se sa në qytet. Shoqet e mia nga Prishtina mund të ishin qytetare të Cyrihut. Ato janë të punësuara, dalin dhe udhëtojnë shumë.

M.M.: Ju keni ardhur këtu si vajzë 9 vjeçe. Si jeni rritur këtu?

Y.F.: Unë kisha diçka më pak liri në krahasim me shoqet e mia zvicerane por edhe krahasuar me vëllezërit e mi. Prindërit e mi janë nga një fshat i Kosovës. Jeta e këtushme moderne u ka shkaktuar pasiguri. Mirëpo ata ishin po ashtu të mendimit se vajzat duhet të edukohen ndryshe nga djemtë. Unë e konsideroja të padrejtë këtë, por sot e di se nuk është menduar për të keq, Fundja, prindërit më kanë mbështetur në të gjitha synimet që kam pasur.

M.M.: Kosovarët në moshën e prindërve tuaj ndodh shpesh të mos e flasin fare gjermanishten. Përse?

Y.F.: Ata kanë ardhur këtu si gastarbajterë me mendimin se së shpejti do të ktheheshin. Si të tillë ata edhe janë trajtuar nga zviceranët. Kjo mënyrë u konvenonte atëbotë të dya palëve .Dhe, më pastaj, gastarbajterët mbetën këtu. Ata punonin shumë, dërgonin para në shtëpi dhe rritnin fëmijë. Kurset e gjuhës, në këto kushte, ishin të fundit në listën e mendimeve të tyre.

M.M.: Shumë kosovarë të rinj duket të mos jenë të integruar më mirë (se prindërit e tyre)

Y.F.: Shumica kanë gjetur mirë veten. Por integrimi varet shumë nga arsimimi dhe nga ajo se me kënd shoqërohesh. Prandaj, nxënësit më pak të arsimuar me prejardhje të huaj rrinë më shumë me njëri tjetrin. 

11 shtatori 2001 – 10 vjet më pas

Ky numër i Migros Magazin i kushtohet 10 vjetorit të sulmit terrorist të 11 shtatorit mbi kullat binjake në Nju Jork. Me këtë rast, të gjithë të intervistuarit janë lutur të përcjellin përjetimin e tyre të kësaj tragjedie. Ylfete Fanaj ka këtë përvojë:  “ndodhesha në sekretariatin e shkollës së gjuhëve, ku po e bëja “lehren” (zanatin, profesionin). Ende e kam para syve pamjen kur hyri shefja jonë dhe tha: `Një aeroplan ka fluturuar pëmes kullave binjake!`. Unë nuk e dija fare se për cilat ndërtesa po fliste. Pasi hymë në internet dhe i pamë fotografitë, nuk mund të besonin se çfarë po shihnim”.